1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Waffenrecht Jugendliche

Jochen Vock/Vilma Filaj-Ballvora12 Mars 2009

Pas amokut në shkollën e Vinendes shtrohet pyetja: a mos vallë armët bien lehtë në dorë të të rinjve. Në rrugë legale një gjë e tillë nuk ndodh, sepse ligji gjerman i armëmbajtjes është më se i qartë.

https://p.dw.com/p/HAZY
Sërish në diskutim e drejta e armëve në Gjermani
Sërish në diskutim e drejta e armëve në GjermaniFotografi: AP

Atentati në amok që ndodhi në gjimnazin "Gutenberg" të Erfurtit (26 prill 2002) nuk e influencoi ndieshëm ligjin gjerman të armëmbajtjes. Ligji hyri në fuqi një vit pas ngjarjes tronditëse në Erfurt - më 1 prill 2003 - dhe zëvendësoi ligjin ekzistues të vitit 1976. "Unioni gjerman i Sportit të Qitjes" paraqiti ankesë pranë Gjykatës Federale Kushtetuese për shkak të disa ashpërsimeve në ligj. Në veçanti u kritikua fakti, se normalisht me armët nuk abuzojnë ata, që i posedojnë ato në mënyrë legale, e si rrjedhojë ashpërsimi i ligjit influencon në dëm të sportistëve të qitjes dhe të gjuetarëve tradicionalë. Faktikisht shumica e akteve penale kryhen me armë ilegale. 90% e armëvë të sekuestruera pas akteve të tilla janë ilegale. Sidoqoftë Gjykata Federale Kushtetuese vendosi pranverën e vitit 2003, që të mos e marrë në shqyrtim ankesën e sportistëve të qitjes.

Krahas ligjit të armëve në Gjermani ka edhe një urdhëresë "Rregullorja e Përgjithshme për Adminsitrimin e Ligjit të Armëve" – Ligji dhe urdhëresa janë pjesë e së drejtës gjermane federale. Tipari i veçantë i ligjit gjerman të armëmbajtjes të rikonceptuar në vitin 2003 është vështirësimi i akesit të të rinjve tek armët. Kufiri i moshës për sportin e qitjes është rritur në 21 vjeç, ndërsa për gjuetarët në 18 vjeç. Një sërë armësh të ftohta si: elektroshok, thikat me sustë apo biçakët janë ndaluar. Në vitin 2003 u vendos aplikimi i së ashtuquajturës "patenta për armë të vogla". Kjo patentë është një parakusht, që dikush, që mbush moshën e pjekurisë, 18 vjeç, të lejohet të mbajë një pistoletë me gaz. Gjithashtu kushdo që do të marrë këtë patentë duhet t´i nënshtrohet edhe një vizite mjekësore - psikologjike. Personat që kanë pasur dënime, të alkoolizuarit dhe njerëzit me të meta psiqike nuk lejohen t´i posedojnë në mënyrë legale këto lloj armësh.

E drejta e posedimit të armëve është ashpërsuar
E drejta e posedimit të armëve është ashpërsuarFotografi: AP

Pesë vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të armëmbajtjes më 1 prill 2008 hynë në fuqi edhe të tjera rregulla të forta. I ashtuquajturi "privilegji i trashëgimisë" u ashpërsua. Ndalohet gjithashtu mbajtja e thikave me një gjatësi mbi 12 cm - përjashtim bëhet vetëm në rast "interesash të justifikueshme" si p.sh. për sport, për gjueti e për peshkim, si dhe për ruajtje tradite.