1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligji i ri për prokurorinë - objekt debati mes mazhorancës dhe opozitës.

Arben Muka/ Tiranë9 Shtator 2008

Sipas opozitës qeveria kërkon që ta vërë nën kontroll institucionin e pavarur të prokurorisë, por mazhoranca i quan kwto paragjykime të opozitës me sfond të qartë elektoral.

https://p.dw.com/p/FEaG
Salla e Parlamentit të Shqipërisë
Salla e Parlamentit të ShqipërisëFotografi: AP Photo

Një projektligj për funksionin e Prokurorisë, që po përgatitet nga Ministria e Drejtësisë është kthyer në objekt debati mes mazhorancës së djathtë dhe opozitës së majtë, të cilat janë shumë larg në qëndrime mbi përmbajtjen e tij. Ndasitë u shfaqën qysh në seancën e parë plenare të parlamentit për këtë sezon, ku opozita akuzoi ekzekutivin dhe për mënyrën se si po e përgatit ligjin e ri, në mënyrë jo transparente, me synimin që institucioni i pavarur i prokurorisë të vihet nën kontrollin e qeverisë. Kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj deklaroi :

"U bënë javë e ndoshta muaj që në opinionin publik është ngritur një vorbull shqetësuese lidhur me një draft të qeverisë për prokurorinë. Shqetësuese, sepse as shqiptarët, as partnerët tanë strategjikë dhe as vetë ne, opozita këtu në parlament, nuk prisnim nga qeveria që të hartonte në terr një ligj themelor të reformës në drejtësi, ku të shkruhej e tërë ëndrra kryeministrore për të likuiduar prokurorinë e këtij vendi".

Leskaj paralajmëroi se opozita nuk do të jepte konsesus për një projektligj të tillë.

Por kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, i quajti pretendimet e opozitës si të paragjykuara dhe me sfond të qartë elektoral. Ai kërkoi që

"socialistët të mos bëjnë që tani fushatë elektorale, por ta ruajnë atë pas miratimit të kodit zgjedhor. Në emër të grupit më të madh të këtij kuvendi, do të dëshiroja të ftoja të gjitha grupet e tjera parlamentare, por edhe çdo koleg në veçanti, që të punojmë bashkërisht për të realizuar synimet tona ambicioze në dobi të vendit",

deklaroi Astrit Patozi i PD-së.