1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligji për Prizrenin për herë të tretë në procedurën e kuvendit

8 Shtator 2011

Me shpjegimin se i jep përparësi KOS-it, deputetët kosovarë edhe pas votimit të dytë refuzuan të votojnë për projektligjin për ruajtjen e qendrës historike të Prizrenit, të parashikuar edhe me paketën e Marti Ahtisaarit.

https://p.dw.com/p/12VHQ
Manastiri "Sv.Djordje", Prizren
Manastiri "Sv.Djordje", PrizrenFotografi: Refki Alija

Ligji ndër të tjera i referohet mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare të besimit ortodoks, katolik dhe mysliman, përfshin pjesëmarrjen në procesin e vendimmarrjes transparente të palëve të ndryshme të interesit dhe komuniteteve, që janë të lidhura historikisht me qytetin dhe trashëgiminë e tij kulturore.

Rezerva ndaj fuqisë së vetos të Kishës Ortodokse Serbe

Ndër kundërshtarët më të mëdhenj të këtij ligji është Nait Hasani, anëtar i Parlamentit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës të kryeministrit Hashim Thaçi. Sipas tij, është e papranueshme shpallja monumente kulture dhe në këtë mënyrë ndalimi i çdo ndërtimi në një rreze njëqind metra përreth kompleksit të kishës së Shën Gjergjit, seminarit të Qirilit dhe Metodit dhe disa objekteve të tjera të kishës ortodokse në qendër të qytetit. "Seminari, nga i cili doli dhe Milloshević-i, i cili ka kryer krime të njohura në Ballkan, kur pas Luftës së Dytë Botërore u vranë mbi 200.000 vetë, do të jetë monument kulture. Në qoftë se do të jetë kështu, unë pyes qeverinë, por edhe të gjithë ata që merren me këtë çështje, cila është atëherë kultura jonë? A kemi ne kulturën tonë?"

Ai është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e ojq-ve në Prizren, të cilët janë shprehur në një njoftim për shtyp. "Përmbajtja aktuale e projektligjit parashikon nevojën për të kërkuar miratimin e Kishës Ortodokse Serbe për çdo veprimtari, që prek pronën e saj në qendrën historike të Prizrenit. Edhe pse në vështrim të parë duket se ligji trajton në mënyrë të barabartë të gjitha komunitetet fetare, ky formulim i jep avantazh shtesë kishës ortodokse, në një kohë kur ky privilegj nuk i ofrohet komuniteteve të tjera fetare“, thuhet në deklaratën e sektorit të ojq-ve.

Arkitekti Jusuf Xhibo, një bashkëpunëtor i vjetër i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Prizren dhe anëtar i komitetit për përgatitjen e ligjit, thotë se "askund në botë nuk ka dëgjuar që përzihen politika dhe profesioni", prandaj ka qenë dhe është kundër miratimit të tij.

Kisha Ortodokse Serbe nuk shprehet

„Kriteret janë normale dhe unë nuk kam asgjë kundër tyre. Brenda një rrezeje prej 50 metra nuk lejohet të luhet muzikë, të vendosen reklama, të bashkohen parcela, të ngrihen kate. Kjo është në rregull. Por në qoftë se do të ketë ndonjë mosmarrëveshje, atëherë do të kemi problem. Si mundet, për shembull, një institucion fetar të vlerësojë, nëse kjo është në përputhje me konventën e UNESCO-s, apo organizatave të ngjashme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe ata të vendosin, nëse diçka duhet të bëhet, ose të konservohet?", pyet Xhibo.

Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe akoma nuk kanë reaguar në këtë rast. Savo Šmigić, sekretar i dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit me seli në Graçanicë në një deklaratë për DW tha vetëm se "nuk ka kompetencë të japë deklarata të këtij lloji". Ndërsa Petar Miletić, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë së Pavarur Liberale (SLS), duke hedhur poshtë, siç thotë ai, argumentet konservatore të disa deputetëve nga komuniteti shqiptar, beson se në përpjekjen e tretë ligji do të aprovohet, "sepse ai nuk dëmton askënd".

"Ju e shikoni që qeveria këmbënguli që ligji të kalojë dhe unë mendoj se ne këtë herë do të arrijmë të sigurojmë shumicën. Unë besoj se shumica kësaj radhe, jo vetëm shqiptarët, por edhe të gjithë të tjerët, do të jetë në anën e ligjit, sepse ai me të vërtetë nuk rrezikon askënd dhe mbron një pjesë shumë të bukur të Prizrenit", përfundon Miletić.

Autor: Refki Alija / Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj