1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Limaj dhe Musliu lirohen, Balaj dënohet me 13 vjet

Bahri Cani30 Nëntor 2005

Tribunali i Hagës liroi sot dy prej tre të akuzarve shqiptarë. Trupi gjykues vlerësoi se prokuroria nuk ka paraqitur dëshmi të mjaftueshme lidhur me akuzat për krime lufte, trajtim mizor, keqtrajtim dhe krime kundër njerëzisë, kundër të akuzuarit të parë, Fatmir Limaj.

https://p.dw.com/p/AqhR
Fatmir Límaj
Fatmir LímajFotografi: dpa

Udhëheqësi i trupit gjykues, australiani Kevin Parker pasi i bëri thirrje që të ngrihet në këmbë, Fatmir Limajt i shqiptoi këtë vendim: "Trupi gjykues shpall se nuk jeni fajtor në asnjë prej pikave të aktakuzës. Trupi gjykues urdhëron lirimin tuaj të menjëherëshëm prej burgut të Kombeve të Bashkuara, pas përfundimit të formaliteteve të domosdoshme".
Pas shpalljes së vendimit, Fatmir Limaj nuk mund të fshihte emocionet. Ndërkohë që gjykatësi i bëri thirrje të akuzuarit të dytë, Haradin Balaj, të ngrihet në këmbë, për të shpallur këtë vendim: "Trupi gjykues ju shpall fajtor, sipas nenit shtatë, pika një e statutit të Tribunalit, për këto vepra: Pika katër: torturë, shkelje e ligjeve të luftës dhe ndihmë në torturimin e një të burgosuri. Pika gjashtë: trajtim mizor, shkelje të ligjeve dhe traditës së luftës, për keqtrajtimin e tre të burgosruve dhe për rolin tuaj përsonal në mbjatjen në kushte jonjerzore të të burgosurve në kampin e Llapushinkut. Dhe pika 10: vrasje, shkelje e ligjeve dhe zakoneve të luftës. Për pjesëmarrjen përsonale në vrasjen e nëntë të burgosurve me 25 ose 26 korrik të vitit 1998 në malet e Berishës. Dhoma ju shpall të pafajëshëm për të gjita pikat tjera", lexoi gjykatësi i cili duke shpjeguar se kohëzgjatja e dënimit bazohet në rastet e ngjashme të Tribunalit dhe se merren parasyshë disa lehtësime, për shkak se Balaj ishte vetëm roje në këtë burg dhe jo edhe komandant, shpalli edhe vendimin për 13 vjet heqje lirie.
Balajt i llogaritet koha e kaluar në burg, ndërkohë që në burgun e Sheveningenit do të jetë deri në vendimin se në cilin vend do të vuaj pjesën tjetër të dënimit.
Më në fund, për të akuzuarin e tretë, Isak Musliu, gjykata shpalli këtë vendim: "Trupi gjykues ju shpall të pafajshëm lidhur me të gjitha pikat e aktakuzës. Dhoma urdhëron lirimin tuaj të menjëherëshëm, pas kryerjes së formaliteteve të tjera".
Fatmir Limaj, Haradin Balaj dhe Isak Musliu janë arrestuar në shkurt të vitit 2003. Aktakuza i ngarkonte me krime lufte, krime kundër njerëzisë, trajtim mizor, keqtrajtim dhe vrasje në një burg të Llapushnikut.
Gjykatësi tha se prokuroria ka nxjerrë prova të mjaftueshme se në këtë fshat UCK-ja ka pasur një kampburgim, se në periudhën prej majit e deri me 26 korrik të vitit 1998, në këtë vend janë mbajtur 35 serbë dhe shqiptarë, se 14 prej tyre janë vrarë në këtë vend, ndërkohë që 10 të tjerë janë vrarë në malet e Berishës. Në këtë burg ka pasur edhe keqtrajtime dhe trajtime jonjerzore. Mirëpo, prokuroria nuk kishte asnjë dëshmi për përzierjen e Fatmir Limajt dhe Isak Musliut në këto krime.