1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liqeni i Ohrit afron palën maqedone me atë shqiptare

25 Korrik 2009

Tre qytete në dy shtete fqinje i afron liqeni i Ohrit, fjala është për Ohrin, Strugën dhe Pogradecin.

https://p.dw.com/p/IxH8
Bregui i liqenit të OhritFotografi: MIA

Pas mbarimit të së ashtuquajturës Luftë e Ftohtë, por veçanërisht pas liberalizimit të regjimit të vizave, për qytetarët e të dy vendeve frekuenca e lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe të kapitalit po arrin një pikë kulminante. Prefektët e tre qyteteve të përmendura thonë se liqeni është ai që i afron qytetarët, që ndikon në zhvillimin e rajonit evropian Ohër-Prespë dhe në tërheqjen e mjeteve financiare nga fondet evropiane.

Pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe pas proceseve të demokratizimit në Maqedoni kanë ndryshuar shumë marëdhëniet mes këtyre dy shteteve fqinje. Kur të dy palët u hapën ndaj njëra tjetrës dhe mësuan se si është situata në anën tjetër të liqenit, filloi menjëherë të lulëzojë biznesi. Disa udhëtojnë për në Maqedoni, të tjerët për në Shqipëria, ndërsa të dy shtetet gjithnjë e më tepër po shndërrohen në destinatione të preferuara turistike.


Orthodoxe St.Naum Kirche beim Ohrid See, Mazedonien
Manastiri i Shën NaumitFotografi: AP

Lidhjet rajonale dhe lokale janë shumë përpara në krahasim me marëdhëniet zyrtare të nivelit shtetëror. Mbajtësit e pushtetit lokal mendojnë se qeveritë në Shkup dhe në Tiranë çështjet e lidhura me liqenin e Ohrit duhet t'ia japin sa më shpejt pushtetit lokal. Kështu liqeni do të mund të mbrohej nga peshkatarët pa leje dhe nga degradimi i mëtejshëm, tha prefekti i Pogradecit Artan Shkëmbi:


"Mendoj që kontrolli për plazhin dhe peshkimin duhet të vendoset në kompetencat e pushtetit lokal. Nëse ky vazhdon të mbahet nga pushteti qendror në Shkup dhe nga inspektorët e tij, atëhere do të jetë e vështirë për t´i ndaluar dukuritë negative. Ne duam t'u themi të dy qeverive se ne këtu jemi më afër njëri-tjetrit sesa mendojnë ata. Këtë mendim ka edhe prefekti i qytetit të Ohrit Aleksandar Petreski:


"Qytetarët që jetojnë këtu janë si shpirtërisht ashtu edhe dhe në mënyrën e të menduarit shumë afër njëri-tjetrit. Ata kanë një kuptim të mirëfilltë mes tyre. Për këtë arsye është mirë që vendimet të merren këtu e jo në Shkup dhe Tiranë. Porosia është: përfundimisht të vazhdojë decentralizimi."


Struga Innenstadt, Mazedonien
Qendra e StrugësFotografi: Petar Stojanovski

Për të nëntën herë kësaj radhe në Strugë u mbajt manifestimi „Dita e Liqenit“. Nikoqiri, prefekti i Strugës Ramiz Merko, tha se tani është koha kur duhet të funksionojë linja e anijeve nëpër liqen. Është koha, kur ne duhet ta thyejmë akullin. Një ditë të dalim dhe të mundemi të lundrojmë në drejtim të tre qyteteve me anije. Të gjtha parakushtet teknike janë përmbushur. Tani vetëm ministritë e transportit te të dy vendeve duhet të ulen dhe të nënshkruajnë një marrëveshje ndërshtetërore. Qytetarët dhe pushteti lokal nga të dyja anët e liqenit duan që sa më shpejtë të lidhen me linjë hekurudhore, ndërsa rinovimi i një rruge vetëm sa u realizua, theksoi Ramiz Merko.


"Linja hekurudhore Kërçovë – Lin do t´i bëjë të mundur Strugës dhe Maqedonisë dalje pa pengesa në të gjitha portet e Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë tashmë ka lëshuar 30 milionë euro për ndërtimin e rrugës, që shkon përgjatë bregut të liqenit të Ohrit nga Qafa e Thanës deri në Pogradec."


Gjithnjë e më të forta po bëhen kërkesat për një pikë te re të kalimit kufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Mes Strugës dhe Pogradecit ose mes Radozhdit dhe Linit. Ky kalim i ri është me të vërtetë i nevojshëm, sepse shkurton rrugën për shëtitje dhe për çdo gjë tjetër mes dy vendeve. Por sidoqoftë për t'u zhvilluar rajoni janë të nevojshme mjete financiare, posaçërisht tani në kohën e krizës ekonomike globale. E kemi përpiluar një strategji rajonale për bashkëpunim mes dy vendeve dhe për tërheqje të mjeteve financiare nga fondet e Bashkimit Evropian për realizim të projekteve të përbashkëta. Kështu u shpreh Ramiz Merko.


"Biseduam për një projekt në vlerë prej afër 50 mijë eurosh për zhvillim të turizmit. Paratë do të vijnë nga BE-ja nëpërmjet programit IPA. Projekte të tilla do të ketë shumë më tepër nëpërmjet Bashkimit Evropian. Mendoj se pikërisht për këtë shkak është i nevojshëm ky afrim mes dy shteteve."


Komunat e shfrytëzojnë këtë periudhë për ngritjen e kapaciteteve në pushtetin lokal dhe të sektorëve të tjerë. Gjithsesi mbretëron klimë pozitive. Kështu do të mund të përforcohet edhe besimi mes njerëzve. Prefektët e qyteteve e kanë bërë këtë hap qysh moti. Ramiz Merko rrëfen se ata edhe jashtë orarit të punës takohen për të pirë kafe.

Autorë: Millço Jovanovski / Ibraim Akipi

Redaktoi: Elert Ajazaj