1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lizzie Doron: Gjermania -simbol lirie, barazie, solidariteti

10 Shtator 2017

Një izrealite, prindërit e së cilës kishin mbijetuar Holokaustin, ka një marrëdhënie komplekse më Gjermaninë. Por nga sinonim i ferrit, sot ky vend është vend i ëndërruar për shumë vetë thotë shkrimtarja, Lizzie Doron.

https://p.dw.com/p/2jdGT
Lizzie Doron israelische Schriftstellerin
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Vennenbernd

"Pra Merkel do të rizgjidhet sërish?" më pyet një mik, librar në Tel Aviv, kur pijmë bashkë kafe në lokalin në cepin e rrugës, ku ndodhet libraria e tij. „Po si mendon ti?", dëshiron të dijë ai. „Po për refugjatët, çfarë mendon ti për ta?” Unë dridhem: Refugjatët janë një temë që më prek shpirtin. "Po qe se do të ishe gjermane për kë do të votojë ti?”, këmbëngul ai. "Por nuk jam gjermane", i them unë.

Gjermania e fëmijërisë sime

Gjermania dhe unë kemi një marrëdhënie komplekse me njëra-tjetrën. Në vitet 50-të, lindur si fëmijë i të mbijetuarve të Holokaustit në Izrael, Gjermania ka qenë gjithmonë prezente në jetën time. Njerëzit rrëfenin se kishin dalë nga ferri. Dhe ky ferr ishte Gjermania. Çdo produkt me markën "Made in Germany” hidhej në plehëra në shtëpinë tonë. Edhe tek miqtë e mi në shtëpi ishte kështu. Gjermanishtja ishte gjuhë e ndaluar dhe të udhëtojë ne Gjermani qëndronte shumë lart në renditjen e tabuve. Megjithatë fëmijëria ime u shoqërua edhe nga pëshpëritjet e nënës sime. Sekreti i sekreteve – "Gjermania njeh edhe kohë të tjera”. "Gjermania është djep kulture”, "Jo të gjithë gjermanët janë të këqinj”, "Gjermania është një vend, ku unë doja të jetoja”.

Me këto ajo ia dilte të më hutonte dhe të nervozonte. "Por unë e kam vendin tim”, i përgjigjesha e zemëruar. „Dy janë më mirë, dhe ti ke nevojë për dy vendlindje", ishte përgjigjja e saj.

Vitet 90-të

Nëna ime nuk jeton më. Shumë nga ata, me të cilët u rrita, po ashtu kanë ndërruar jetë. Nga përjetimet e fëmijërisë sime është krijuar një seri librash. Kur u publikua libri im i parë, ishte një botues gjerman që vendosi ta përkthente.

Me këtë u thye tabuja. Udhëtova drejt Gjermanisë.

Mbërrita me frikë dhe shqetësim. Hap pas hapi e e me kujdes ndërtova marrëdhëniet me shumë gjermanë të gjeneratës së dytë dhe të tretë, të copëtuar nga trauma, të ngarkuar nga ndjenja e fajit dhe vetëreflektimi. Me çdo libër të ri rrëzoheshin muret e frikës.

Një proces i ngadaltë dhe i dhimbshëm i shndërrimit filloi të zhvillohej. Erdhi një moment që edhe unë isha gati të dëgjoja historitë e të tjerëve. Më vonë takova palestinezë. Marrëdhëniet që zhvillova me ta, më dhanë lëndë për librat e mi të fundit. Për habinë time, botuesit izraelitë i refuzuan këta libra. Më në fund ata u botuan në Gjermani.

Nga kjo kohë jetoj në dy botë – Izrael dhe Gjermani. Kam mësuar të jetoj me problemet që dalin, kur menaxhoj jetën në një gjuhë që nuk e flas rrjedhshëm.

Kur hedh vështrimin tek marrëdhëniet e komplikuara mes gjermanëve dhe të huajve, zhvillimeve ekonomike dhe trazirave sociale, atëherë më përfshin një ndjenjë jo e mirë. E në ditët kur neonazistët protestojnë, zbuloj frikën që fshihet thellë brenda meje.

"Nuk besoj se do jetoj dot këtu",i them vetes.

Zgjedhjet 2017

"Shpresoj që të djathtët të mos vijnë në pushtet", i them mikut tim. "Po si është puna me të majtët. Edhe ekstremistët e majtë sjellin kaos”, thotë ai i pasigurtë.

Dikur ia dalim të kthehemi sërish tek tema „zgjedhje". Si të donte të qetësonte gjendjen, miku im shton, se "momentalisht ata janë ende grupime periferike në Gjermani.”

Pas kësaj ne heshtim për disa minuta.

Gjermania ime sot

Kohët e fundit është rritur rrethi i miqve të mi në Gjermani. Jam e lumtur me miq të rinj, ndër ta edhe një artist sirian, një autor nga Iraku, një dramaturg iranian, një kuzhinier grek. Ditë për ditë takon njerëz e dëgjoj histori, që mund t'i dëgjoja vetëm këtu. Më bie ndërmend im bir që erdhi në Gjermani si artist dhe ka gjetur veten këtu. Vajza ime që jeton me partneren e saj në Izrael, më tha se do të martohet në Gjermani, sepse kjo është e lejuar këtu.

„Pra katër herë Merkel, njëra-pas tjetrës?", më pyet miku im.

"Privilegji i miqve është, që të mos bëjnë shumë zhurmë për këtë", i përgjigjem unë.

„Sot duhet të vrasim mendjen për Amerikën, Britaninë e Madhe, Hungarinë, Poloninë, dhe Izraelin (na ruaj zot). Lista vazhdon me Turqinë, Rusinë, Korenë e Veriut, Sirinë…"

„Nga vendi yt, Gjermania fryn një erë e tolerancës, që e bën këtë vend një vend për t'u ëndërruar."

Ai buzëqesh.

„Duket sikur dëshira jote është plotësuar. Në fund të fundit, ti edhe unë, njohim njerëz që jetojnë vetëm në flluskën tonë, si ne.”

„Era e ideologjisë përreth nesh po bie. Mjaft me kapitalizmin, komunizmin, nacionalizmin, racizmin e fenë. Njerëzit vijnë nga shumë vende dhe për arsye të ndryshme në Gjermani. Ata duan barazi, liri, mbrojtje dhe solidaritet. Ky vend i ëndërruar mund të jetë fillesa për të thyer muret."

E pashë vështrimin e tij skeptik.

"Por ti e ke prishur ndërkohë një mur këtu", e kujtova unë. E ndërpremë bisedën, në librari hynë klientë.

"Po kë do të votoje ti?" nuk harron të pyesë sërish ai.

"Para së gjithash Gjermaninë", i them unë.

Fjala e nënës

"Ke nevojë për dy vendlindje", dëgjoja zërin e nënës, kur u largova nga libraria. Papritur m'u bë e qartë, se ishte nëna ime ajo që më solli në kontakt për herë të parë me një narrativ të ri, që prishi muret.

"Po”, i thashë.

Me këtë kisha ndjesinë se ajo ishte e kënaqur me mua. Madje besoj se edhe ka buzëqeshur,

Shkrimtarja izraelite Lizzie Doron lindi në Tel Aviv në vitin 1953. Ajo ka shkruar disa libra dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare për veprat e saj. Librat e parë që janë botuar në Gjermani janë: "Who thë fuck is Kafka” (2014) dhe "Okupim i ëmbël” (2017), të dy botuar në shtëpinë botuese, DTV.