1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Loja politike me emërimet duket se është shumë e rëndësishme për BE

19 Qershor 2009

Zgjedhjet e para pak ditëve për Parlamentin e Evropës, pasojat e këtyre zgjedhjeve dhe emërimet e ardhshme në postet më të rëndësishme të BE-së vazhdojnë të preokupojnë vëmendjen e gazetave gjermane.

https://p.dw.com/p/IUVQ
Bruksel, zgjedhjet parlamentare 2009
Bruksel, zgjedhjet parlamentare 2009Fotografi: AP

Lidhur me samitin e BE-së, e përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung" sugjeron:

"Do të ishte mirë sikur Këshilli i Evropës të gjente kohë dhe të debatonte për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian. Do të ishte kjo një shenjë e respektit ndaj qytetarit evropian. Por në Bruksel gjërat nuk zhvillohen kështu, sepse atje çështje të tjera konsiderohen më emergjente. Duket se më të rëndësishme atje janë problemet institucionale dhe natyrisht loja politike se kush do të marrë cilin post politik. Sa i përket posteve të ardhshme: propozimet për Komisionerin e BE-së vazhdojnë të jenë edhe më tej në qendër të vëmendjes. Shumica mendon se José Manuel Barroso duhet të rizgjedhet në këtë post. Por, atij i duhet shumica e votave në Parlamentin e Evropës, që deri tani nuk është siguruar", konstaton komentatori i "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Me rizgjedhjen e mundshme të José Manuel Barroso-s në postin e Komisionerit të BE-së merret sot edhe komentatori i gazetës "Handelsblatt", e cila botohet në Dyseldorf.

"BE është në rrugën më të mirë që ta shkatërrojë politikisht presidentin e Komisionit José Manuel Barroso, ende pa e rizgjedhur në këtë post. Ajo që po bëjnë kryeministrat dhe presidentët e shteteve anëtare të BE ndaj José Manuel Barroso-s, kufizohet me presione politike. Të gjithë kërkojnë prej tij lëshime politike në ndarjen e posteve dhe miratimin e ligjeve të ardhshme. Tani mund të shtrohet edhe pyetja: çfarë mund të vendosë vetë Barroso edhe në qoftë se rizgjidhet në këtë post. Do të ishte e ndershme dhe mirë për demokracinë evropiane sikur socialdemokratët, konservatorët, liberalët dhe ekologjistët të zhvillonin një luftë politike për postin më të lartë në BE. Por kjo nuk është kurfarë lufte politike", konstaton komentatori i gazetës "Handelsblatt". (bc/dpa/aca)