1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

• Lojrat Olimpike 2012 do të zhvillohen në Londër • G-8 premton ndihma për Afrikën

PP6 Korrik 2005
https://p.dw.com/p/Aruo
Londinezët festojë vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar
Londinezët festojë vendimin e Komitetit Olimpik NdërkombëtarFotografi: AP

Në lidhje me vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për organizimin e Lojrave Olimpike 2012 në Londër në gazetën "Neue Westfälische" që botohet në Bielefeld lexojmë:

"Londinezët festuan të çliruar, ndërsa parizienët nuk po u besonin veshëve duke dëgjuar vendimin. Emocione të mirëfillta, tamam sikurse i përfytyrojnë njerëzit lojrat olimpike. Qytetet kandidate për olimpiadën verore 2012 ishin aq me emër sa e bënë procesin e marrjes së vendimit më tërheqës se kurrë. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jaques Rogges, tha se që të pesë qytetet do të ishin në gjendje të organizonin lojra olimpike të mrekullueshme. Mbetet të shpresojmë që qytetet e tjera konkurruese të mos dalin nga kujtesa dhe të merren në konsideratë vitet e tjera. Kjo mund të thuhet edhe për qytete të tilla si Leipzig-u, i cili u skualifikua që në raundin e parë përzgjedhës."

Kurse në gazetën e Leipzig-ut "Leipziger Volkszeitung" lexojmë:

"Mënyra se si Leipzig-u bëri kërkesë për të qenë organizator i lojrave olimpike nuk duhet të ketë qenë aq e keqe. Në rast se Londra arriti të fitonte në Singapor edhe përmes prezantimit të modelit të organizimit, atëhere mund të vesh buzën në gaz. Para tre vjetësh edhe banorët e Leipzig-ut përdorën për reklamën e qytetit një vajzë të re, e cila me humor u bënte thirrje anëtarëve të jurisë që të votonin për këtë qytet. Për këtë ata i vunë në lojë. Ndërsa tani britanikët përdorën të njëjtën metodë në Singapor."

Gazeta "Landeszeitung Lüneburg" analizon shkaqet që çuan në vendimin e jurisë pro Londrës dhe kundër Parisit:

"Asambleja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar reagoi gjatë përzgjedhjes së kandidatit në mënyrë të ngjashme, sikurse juria nacionale gjermane në rastin e qyteteve që konkurruan brenda vendit për olimpiadën 2012. Në fund fitoi jo pretendenti që e ndjente veten të sigurt për fitoren, por ai që u prezantua më bindshëm. Fitorja e Londrës është edhe një fitore për kryeministrin Tony Blair, i cili ndryshe nga presidenti francez Jaques Chirak, nuk doli vetë në plan të parë, por ua la fjalën sportistëve. Dhe këta krijuan tek juria përshtypjen se në Londër u jepet rëndësi sportistëve dhe idesë olimpike dhe jo vazhdimit të luftës politike në një nivel tjetër. Dhe pa mbaruar mirë votimi për Londrën, Hamburgu lëshoi në ring pretendimin e tij për lojrat e vitit 2016, 2020, 2024 dhe 2028. Një hap disi i nxituar, sepse një qytet nuk ka shumë shpresa për të fituar në rast se pas tij nuk është gjithë kombi. Dhe për një gjë të tillë për momentin as nuk bëhet fjalë."

Kalojmë në temën tjetër, takimin e G-8 që po zhvillohet në Skoci. Për këtë temë në gazetën "Westfälische Nachrichten" që botohet në Mynster lexojmë:

"Të paktën të mëdhejtë e G-8, falë presionit të koncerteve në prag të takimit, po angazhohen për temat e Afrikës. Duke u angazhuar për të luftuar varfërinë të tetë burrat e shtetit tregojnë se nuk interesohen vetëm për punët e tyre. Por vetëm falja e borxheve dhe ndihmat financiare nuk mjaftojnë. Pa kritere të ashpra dhe kontrolle paratë e ndihmave do të jenë një ftesë tjetër për korrupsion ndaj elitave politike të pangpura të këtyre vendeve. Po ashtu afrikanëve u ka ardhur në majë të hundës që t'u ofrohen vetëm për të lypur tryezave të mbushura të vendeve të pasura. Në rast se vendet e industrializuara duan ta zgjidhin vërtet problemin, atëhere prodhimet afrikane duhet t'u jepet një shanc i vërtetë për të konkurruar në tregun botëror. Afrikën mund ta ngrejë në këmbë vetëm një ekonomi e fortë e brendëshme."

Citojmë në fund nga gazeta "Tagespost" që botohet në Würzburg, e cila shprehet me nota pesimiste për shancet që ofron G8 për Afrikën:

"Ndërsa të fuqishmit janë mbledhur në një hotel luksoz në Skoci në Afrikë vazhdojnë të vdesin njerëz të pafajshëm prej urisë, luftrave, sëmundjeve apo shpesh prej të trijave njëherësh. Në këtë mes nuk do mund të ndryshojë gjë as takimi i tanishëm i G-8. Pra megjithë rënien dakord për faljen e pjesëshme të borxheve edhe ky takim i G-8, sikurse takime të tjera të ngjashme më parë, është para së gjithash një takim i shumë fjalëve të bukura dhe ideve të mira. Një apo dy javë më vonë ky takim do të jetë harruar dhe vëmendja e opinionit botëror do të përqendrohet ndoshta tek konflikti i ri në lindje të Sudanit, i cili pritet të shndërrohet në një Darfur të dytë."