1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë kundër dhunës - Shoqata e Futbollit gjerman, DFB dhe Liga gjermane e futbollit, DFL prezantojnë një strategji të re

24 Prill 2010

Nga dhuna në stadiume nuk është i prekur vetëm futbolli shqiptar. Me një plan 10 pikësh Shoqata e Futbollit gjerman, DFB dhe Liga gjermane e futbollit, DFL duan t'i kundërvihen dhunës së shprehur nëpër stadiumet gjermane

https://p.dw.com/p/N5Qi
Futbolli - Pasioni i gjermanëve
Futbolli - Pasioni i gjermanëveFotografi: AP

Paketa e masave e prezantuar të premten (23.04) në tryezën e rrumbullakët në Berlin synon të rrisë sigurinë në sportin që prek më së shumti emocionalisht gjermanët.

Ministri i brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere
Ministri i brendshëm gjerman, Thomas de MaiziereFotografi: DPA

612 ndeshje në vit zhvillohen në bundesligën gjermane në kategorinë e parë dhe të dytë - shfaqje sportive plot emocione për një publik disamilionësh. Sporti më i dashur për gjermanët është ndër të tjera edhe një faktor ekonomik - sipas të dhënave të DFB-së, ai sjell në arkën e shtetit rreth një miliardë e gjysmë euro tatime. Por futbolli i kushton shtetit, si numëron ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere:

"Nga ana tjetër kemi 830 të plagosur ndër ta 229 policë. Kemi mbi 1 milinë orë shërbimi të policisë vetëm në kategorinë e parë dhe të dytë, dhe rreth 12.000 tifozë problematikë. Shpërndahen rreth tre mijë e gjysmë ndalimhyrjesh në stadiume."


Strategjia kundër dhunës në stadiume - Plani 10 pikësh

Takimi në tryezën e rrumbullakët në Berlin solli bashkë përfaqësues nga politika, policia dhe futbolli, në një diskutim shumë konstruktiv. Ndoshta edhe pse ra varianti që vetë klubet e bundesligës të merrnin pjesë në dëmet financiare që i shkaktohen shtetit.

Megjithatë kaq lehtë nuk do të shpëtojnë klubet e futbollit. DFL dhe DFB ranë dakord me ministrin e Brendshëm gjerman të zbatojnë një program prej 10 pikash. Një lajm i mirë për policinë: nuk do të ketë më ndeshje në ditën e 1 Majit. Këtë e deklaroi shefi i Ligës së fubtollit gjerman, Reinhard Rauball: "Ne e dimë se kërkohet një pjesëmarrje e gjerë policësh në federatë dhe lande, prandaj kemi deklaruar të mos zhvillojmë asnjë ndeshje në Ditën e 1 Majit."

Asnjë ndeshje futbolli më 1 Maj

Presidenti i Shoqatës së futbollit gjerman, Theo Zwanziger
Presidenti i Shoqatës së futbollit gjerman, Theo ZwanzigerFotografi: AP

Kjo do të vlejë edhe për vitet e tjera. Dita e 1 Majit njihet si ditë trazirash nëpër rrugët e Gjermanisë. Në të ardhmen do të ketë të punësuar si të ngarkuar për sigurinë, tifozë në klube dhe do të përmirësohet komunikimi me autoritetet. Po qe se këto masa nuk do t'i reduktojnë rastet e dhunës, atëherë do të ketë penalizime: Presidenti i Shoqatës së Futbollit gjerman, Theo Zwanziger: " Atëherë le të mbesë njëherë edhe ndonjë stadium bosh, po qe se raste të tille shfaqen rregullisht në ndonjë klub, dhe thjesht nuk arrihet që të krijohet ndjenja e përgjegjësisë dhe bindja për një gjë të tillë, pra nuk do zhvillohen ndeshje."

Autorë: Heiner Kiesel/ Lindita Arapi

Redaktoi: Sonila Harasani