1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistan Militär Swat-Tal

11 Maj 2009

Trupat qeveritare pakistaneze e zgjeruan të dielën (10.05) ofensivën e tyre ushtarake kundër talibanëve radikalë islamikë në veriperëndim të vendit. Më shumë se 200 kryengritës u vranë, bëri të ditur ushtria pakistaneze.

https://p.dw.com/p/Hni0
Civilë kanë marrë arratinë prej Luginës Swat.
Më shumë se 100 mijë civilë kanë marrë arratinë prej Luginës Swat, në veri të Afganistanit, ku po zhvillohen luftime.Fotografi: AP

"Është një luftë për ekzistencën e vendit". Thotë kryeministri i Pakistanit, Jusuf Raza Gilani për ofensivën më të fundit të madhe të ushtrisë në Luginën Swat dhe në dy distriktet fqinje, Dir dhe Buner. "Ushtria është e vendosur të bëjë gjithçka, për të patur sa më pak dëme kolaterale që të jetë e mundur. E gjitha duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur."

Ushtarë pakistanezë.
Ofensivë e re ushtrisë pakistaneze në Luginën Swat. Më shumë se 200 kryengritës u vranë, bëri të ditur ushtria pakistaneze.Fotografi: AP

Shifra zyrtare, po jo të verifikueshme për ekstremistët e vrarë publikohen rregullisht. Numri i civilëve të vrarë nuk dihet. Sipas të dhënave të ushtrisë, në zonën e luftimeve në veriperëndim të vendit janë angazhuar ndërkohë rreth 15 000 ushtarë. Përballë tyre besohet se qendrojnë rreth 5 000 talibanë pakistanezë dhe ekstremistë të lidhur me ta. Ushtria pakistaneze është e përgatitur të zhvillojë kryesisht luftë konvencionale kundër armikut për vdekje, fqinjit Indisë. Kurse të vetëquajturit luftëtarë të fesë janë luftëtarë guerilas. Ata janë tepër mobilë, përzihen me popullin dhe shfrytëzojnë terrenin malor. Për këto arsye, zëdhënësi i ushtrisë, Atar Abas beson se ofensiva nuk është punë disa ditësh: "Talibanët kanë shumë përvojë në luftë. Ata po luftojnë për një kohë të gjatë në Swat. Veç kësaj, ata marrin mbështetje nga zona kufitare me Afganistanin, kryesisht nga Vaziristani Jugor prej nga vijnë luftëtarë me shumë përvojë. Edhe xhihadistë të huaj luftojnë në radhët e tyre. Këtë luftë, qeveria dhe ushtria nuk mund ta kryejnë të vetëm. Këtë luftë duhet ta bëjë e gjithë shoqëria. Shoqëria duhet të angazhohet dhe të marrë edhe vetë iniciativë. Shteti nuk mund ta frenojë i vetëm këtë kërcënim në rritje."

Ushtar pakistanez.
Ekspertë besojnë se të paktën pjesë të ushtrisë dhe të shërbimit të fshehtë pakistanez kanë simpati për talibanët afganas.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Megjithë ofensivën në rajonin Swat, para së gjithash në Perëndim, shumë ekspertë besojnë se të paktën pjesë të ushtrisë dhe të shërbimit të fshehtë pakistanez kanë simpati për talibanët. Sidoqoftë kjo vlen më pak për talibanët e Pakistanit, që luftojnë shtetin dhe kushtetutën, se sa për talibanët afganas, që prej vitesh shihen si aleatë dhe partnerë strategjikë në luftën kundër armikut për vdekje, Indisë. Megjithatë, midis talibanëve afganas dhe atyre pakistanezë ekzistojnë lidhje të forta. Të dyja lëvizjet i rekrutojnë ithtarët thuajse krejtësisht nga grupi popullor i Pashtunëve, të cilët banojnë në një territor që ndahet nga kufiri Pakistan - Afganistan.

Ndërkohë, eksodi masiv vazhdon nga zona e luftimit përreth luginës Swat. Ushtria e zbuti përkohësisht ndalim- qarkullimin, për t'u mundësuar largimin sa më shumë civilëve. Sipas OKB-së, që prej vitit të kaluar, të paktën 1 milion vetë janë larguarnga rajonet e luftimeve në zonën kufitare midis Afganistanit dhe Pakistanit. Ata janë refugjatë në vendin e tyre.

Autor: Sandra Petersmann / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama