1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë terrorit - Strategji e re e Komisionit të BE-së

21 Korrik 2010

Komisioni Evropian synon të përmirësojë bashkëpunimin e vendeve anëtare për luftimin e terrorizmit

https://p.dw.com/p/OQIC
Suedezja Cecilia MalmstromFotografi: picture alliance/dpa

Komisarja e BE-së për Punët e Brendshme Cecilia Malmstrom pati fillimisht një lajm të mirë: numri i përgjithshëm i sulmeve terroriste në Evropë ka rënë. Por terroristët po ndryshojnë taktikën dhe pjesërisht atentatet vetëm se marrin forma të tjera më të larmishme. Përveç kësaj sot është shtuar terrorizmi që e ka burimin vetë në Evropë, tha ajo. Prej këtyre zhvillimeve duhen nxjerrë pasoja kërkoi Malmstrom:

"Si shumë aktorë të tjerë edhe BE ka reaguar deri tani sidomos ndaj ngjarjeve konkrete. Pas një sulmi apo tentative për sulm vëmendja në media është natyrisht shumë e madhe, njerëzit kanë frikë dhe presin prej politikanëve që të veprojnë shpejt. Por shumë prej këtyre masave emergjente rezultojnë më pas si jo aq të efektshme sa duket. Për këtë ne duhet të veprojmë në mënyrë më përfshirëse dhe afatgjatë. Fjala është që të pengojmë dhe parandalojmë kërcënimet, të mbrohemi dhe t'i ndjekim ligjërisht.“

Sidomos pas atentateve të rënda në Madrid dhe Londër shtetet e BE-së e kanë përforcuar shumë bashkëpunimin. Terrorizmi u shndërrua në katalizator të integrimit evropian. Në mënyrë të veçantë u forcua këmbimi i të dhënave mes organeve të ndjekjes penale dhe hyri në përdorim urdhëri evropian i arrestit. Megjithë ankesat për mbledhjen e zellshme të të dhënave, parimi i mbrojtjes së të dhënave personale nuk u vu kurrë në diskutim.

Problemi i deritanishëm është se kur në Evropë ndodh ndonjë sulm, atëhere miratohen me ngut ligje për masat anti-terror, por më pas atentati harrohet dhe këto masa lihen pas dore. Malmstrëm do që strategjia e ardhshme anti-terror të përqendrohet sidomos tek masat parandaluese:

„Në të ardhmen duhet të kemi sidomos parasysh që shoqëritë mund ta pengojnë radikalizimin për t'i prerë kështu rrugën financimit të terrorizmit, po ashtu duhet të kujdesemi më tepër për sigurinë e sektorit të qarkullimit si dhe të zhvillojmë aftësitë për të reaguar në raste krizash.“

Shumë nga këto gjëra do të bëhen të mundshme prej shtimit të bashkëpunimit evropian. Komisioni ka vetëm shqetësimin se ndjenja për kërcënimin sikur po humbet dhe me këtë edhe presioni për të vepruar bashkarisht.

Autor: Christoph Hasselbach / Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti