1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e Parë Botërore: E harruar në Gjermani?

Susane Spröer/Ina Verbica7 Maj 2014

Fëmijët e shkollave nga Britania e madhe vizitojnë fushëbetejat në Flander, në Francë dita e armëpushimit të vitit 1918 është festë kombëtare. Ndërsa në Gjermani Lufta e Parë Botërore dukej se ishte harruar. Deri tani.

https://p.dw.com/p/1Butp
Fotografi: picture alliance / AP

“I am connected because...” Se çfarë i lidh me Luftën e Parë Botërore, e tregojnë në website të Imperial War Museum në Londër. Dan dhe Elana, Emily dhe Hugh, britanikë të të gjitha grupmoshave: është gjyshi, i cili në ditën e tij të parë në front duhej të tërhiqte kufomat në fushën e betejës dhe t'i varroste, apo stërgjyshi, mjek ushtarak, i vrarë nga snajperët. Nëna, i fejuari i së cilës vdiq. Në një video, që bën thirrje për donacione për ekspozitën e madhe të Luftës Botërore në verë, tregojnë fëmijët, nipat dhe stërnipat për tmerret e luftës së Parë Botërore, që këtu janë të rrënjosura thellë në memorien familjare. Shumë gjermanë nga ana tjetër e kanë të vështirë ta bëjnë këtë hap. Sepse në Gjermani del një tjetër pyetje në plan të parë: A ka qenë gjyshi im nazist?

Keqbërës, viktima, apo statistë?

Sa ka bashkëpunuar gjyshi ose gjyshja, nëna apo babai me nacionalsocializmin, nëse ata ishin autorë të krimeve, viktima, apo simpatizantë, duan të dinë shumë fëmijë dhe nipër në Gjermani. Se sa mund të të nxjerrë nga shinat fakti, që nuk njeh rrënjët e tua, tregon historia e Jennifer Teege. Jeta e vajzës së një nëne gjermane dhe një babai nigerian u kthye plotësisht me kokë poshtë, në momentin kur ajo zbuloi rastësisht se gjyshi i saj ishte Amon Gëth, komandanti sadist i kampit të përqendrimit nga filmi "Lista e Schindlerit".

Çfarë ka të bëjë historia e Jennifer Teege me luftën e Parë Botërore? Ajo tregon përse ajo ka dalë në sfond të kujtesës kolektive. Ajo është mbuluar me tmerret edhe më të mëdha, që pasuan, me nazismin, Luftën e Dytë Botërore, Holokaustin dhe Luftën e Ftohtë. Dhe që buruan nga Gjermania.

Attentat auf Franz Ferdinand 1914
Atentati ndaj Franz Ferdinand në Sarajevë (gusht 1914)Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Historia gjermane plot thyerje

Sepse ndryshe nga Anglia, apo Franca, sistemet (demokratike) politike të të cilave në shekullin e 20 ishin kryesisht të qëndrueshme, historia gjermane është plot thyerje. Që nga viti 1914 ka pasur pesë sisteme krejtësisht të ndryshme: Perandoria, Republika e Weimarit dhe diktatura naziste, pastaj BRD dhe RDGj dy shtete gjermane, që qëndronin përballë njëra-tjetrës në dy blloqe armiqësore. Gjermania e ribashkuar ekziston prej vetëm 25 vjetësh. Ajo është një demokraci relativisht e re.

Ndryshime dramatike të ngjashme nuk ka përjetuar asnjë vend tjetër në Evropën Perëndimore, por shumë fqinjë lindorë të Gjermanisë, si Polonia, Rusia dhe vendet e Ballkanit. Politologu Herfried Münkler flet në intervistë për DW për një "ndryshim perëndim-lindje në kulturën e kujtesës" në Evropë.

Ndryshe nga belgët apo francezët, gjermanët nuk e kanë përjetuar Luftën e Parë Botërore direkt në vendin e tyre. Te shumë njerëz në perandori lufta mbërriti vetëm në formën e një lajmi të ftohtë për vdekjen e të afërmit, apo përmes një kartoline të cenzuruar. Tmerret e bombardimeve dhe evakuimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore e kanë larguar kujtimin e llogoreve dhe fushëbetejave të Luftës së Parë Botërore.

Erster Weltkrieg chinesische Arbeiter Frankreich Munition Zug
Marrëveshja e Paqes së Luftës së Parë Botërore në Brest-LitovskFotografi: Ullstein Bild

Kërkimi shkaqeve në vend të pyetjes për fatin e luftës

Megjithatë në shumë vende në Gjermani ka përmendore lufte, apo shoqata veteranësh, që përkujtojnë të vdekurit e Luftës së Parë të madhe. Për më shumë se një gjysmë shekulli shkencëtarët gjermanë merren intensivisht me Luftën e Parë Botërore. Ishte historiani nga Hamburgu Fritz Fischer, i cili në vitet 60-të arsyetoi tezën e fajit kryesor të gjermanëve në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, duke shkaktuar në këtë mënyrë një debat të vazhdueshëm ndërkombëtar, e quajtur polemika Fischer.

Në vitin jubilar 2014 janë botuar një numër publikimesh të reja (DW-Link: Der Erste Weltkrieg in den Medien). Pyetja për fajësinë e luftës është shtyrë në plan të dytë. Sepse që t'i japësh një përgjigje të qartë, është gati e pamundur për shkak numrit të madh të burimeve dhe perspektivave. Në vend të kësaj në qendër qëndron kërkimi shkaqeve. Për shembull në librin e Christopher Clark „Sonambujt“, në të cilin historiani australian analizon luftën si „një rezultat të shmangshëm të një serie ngjarjesh dhe vendimesh". Në mënyrë të detajuar përshkruan edhe libri „Lufta e madhe“ e Herfried Münkler (Link zu Interview) panoramën kohore të luftës së Parë Botërore dhe tregon, se çfarë mund prej saj të mësojnë politikanët sot. Që të kujdesen që konfliktet rajonale të mos kthehen në konflikte gjithëpërfshirëse.

Të rinjtë duan të dinë më shumë

Sa më shumë afron viti jubilar, aq më shumë është shtuar muajt e fundit edhe interesi publik. Një sondazh aktual tregon se të rinjtë në Gjermani duan të marrin vesh më shumë për Luftën e Parë Botërore nga ajo, që mësojnë në shkollë. Në aktivitete të shumta trajtohen anët e shumta të luftës, për shembull në ekspozitën „Avantgardat në luftë“ në muzeun federal të artit. Gazeta, revista dhe faqe interneti prezantojnë fate njerëzish.

Por një gjë të bie në sy: Në aktivitetet e mëdha kombëtare në përkujtim të fillimit të luftës para 100 vjetësh, Gjermania zyrtare është deri tani e përmbajtur. Këtu Lufta e parë Botërore nuk shërben për krijimin e mitit kombëtar dhe aq më pak për të festuar.

Projektet dhe botimet e shumta janë ato, që ndihmojnë për të sjellë nga copëzat e perspektivave të veçanta kombëtare një peisazh ndërkombëtar të Luftës së Parë Botërore. Sepse si astronauti, i cili mund të shohë tokën të tërën nga një farë distance, kështu ndodh edhe me historianët. Vetëm pas një distance të mjaftueshme mund të shihen qartë raportet dhe interaksionet.