1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta kundër terrorizmit zhvendoset në qendër të takimit të OKB

15 Shtator 2005

Reforma e madhe e Kombeve të Bashkuara dështoi

https://p.dw.com/p/Aqik
Jo reformë të KB por luftë kundër terrorizmit
Jo reformë të KB por luftë kundër terrorizmitFotografi: AP

Lufta e përbashkët kundër terrorizmit ndërkombëtar u kthye të mërkurën (14.9.05) në qendër të takimit të nivelit të lartë në Nju Jork. Sekretari i Përgjithshëm i KB, Kofi Annan përmblodhi fillimisht, se reforma e përgjithshme e organizatës botërore, për të cilën po punohet me përqëndrim që prej një viti, dështoi për shkak të "diferencave të theksuara". Folësit e tjerë, që morrën fjalën pas tij, siç ishin Presidenti amerikan Xhorxh Bush, kryeministri francez Dominique Villepin dhe Kryeministri britanik Tony Blair, vunë theksin tek domosdoshmëria e luftës së përbashkët kundër terrorizmit.

Shpresë apo dhunë?

Bush tha, se bota ka përpara një „detyrim shumë serioz“, për të ndaluar terrorizmin në fazën e tij aktuale të krijimit. Në këtë luftë, bën pjesë edhe lufta kundër varfërisë, sepse varfëria nxit dëshpërimin dhe terrorizmin. Për këtë arsye, duhen hequr të gjitha pengesat tregëtare, subvencionet dhe doganat, në mënyrë që të hapen shanset e zhvillimit edhe për vendet e varfëra. "Ajo që do të përhapet është ose shpresa ose dhuna“, tha Bush. "Ne duhet të nxisim shpresën“.

Edhe Villepin, kërkoi luftë të vendosur kundër „gjithshkaje që ushqen terrorizmin, pabarazitë, vazhdimin e dhunës, padrejtësitë dhe konfliktet, mungesën e mirëkuptimit midis kulturave“.

Terrorizmi nuk mund të mposhtet kurrë vetëm me dhunë, tha Villepin, sepse dhuna "nuk mbërrin deri tek rrënjët e së keqes".

Blair kërkoi, që Kombet e Bashkuara të marrin drejtimin në luftën kundër terrorizmit. Për vrasjen e të pafajshmëve, nuk ekziston asnjë lloj përligjjeje.

Këshilli i Sigurimit, aprovoi me unanimitet dy rezoluta, me anë të të cilave dënohen nxitjet e terrorizmit, dhe përkrahen masat parandaluese kundër konflikteve, kryesisht të Afrikës.

Mbledhja ishte takimi i tretë i organizmit më të lartë vendimmarrës, ku morrën pjesë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të 15 vendeve pjesëmarrëse.

Kritikë për gjendjen e Kombeve të Bashkuara

Në fjalimin e tij, me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Kombeve të Bashkuara, Bush nuk la pa thënë se mendon, se organizata botërore nuk është aktualisht e respektueshme. „Nëse vendet anëtare, dëshirojnë që Kombet e Bashkuara të respektohen dhe të jenë efektive, atëherë duhet të fillojnë të kujdesen, që të meritojnë respekt. Në fillim të këtij shekulli bota ka nevojë për Kombe të Bashkuara që bazohet në idealet e saj dhe përmbush detyrat e saj“.

Konventa kundër terrorit atomik

Në kuadër të Takimit të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara, Presidenti rus Vladimir Putin dhe kolegu i tij amerikan Bush, nënshkruan të parët Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër terrorizmit atomik. I treti që ndoqi shembullin ishte Kryeministri francez, Dominique de Villepin. Pritet që deri të enjten dokumenti i aprovuar në muajin prill nga Asambleja e Përgjithshme e KB, të nënshkruhet nga më shumë se 50 kryetarë shtetesh dhe qeverish. Për të hyrë në fuqi, Konventa duhet nënshkruar nga të paktën 22 shtete. Konventa kërkon që nëpërmjet dënimeve të shmangë mundësitë që terroristet të marrin në duar material atomik.