1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta kundër 'xhihadit seksual'

Clemens Verenkotte25 Shtator 2014

Shumë gra në Siri dhe Irak kanë rënë tashmë viktima të "shtetit islamik". Propaganda e IS rrotullohet edhe rreth fantazive të pushtetit seksual. Tani shumë gra kurde stërviten me armë për të luftuar kundër IS.

https://p.dw.com/p/1DKec
Fotografi: Nahida Ahmed Raschid

Për Houzan Mahmoud, zëdhënëse e "Organizatës për lirinë e grave në Irak" është e sigurt se emri i milicisë së terrorit të "shtetit islamik" është përjetësisht i lidhur me vrasjet e grave, përdhunimet dhe rrëmbimet e grave dhe vajzave për t'i shitur si skllave në tregjet e IS-it. Kurdja irakiane me organizatën e saj ndjek krimet e milicëve terroristë kundër grave: "Ata shkojnë në shtëpi dhe familje që kanë vajza të reja, për mendimin tim ende fëmijë. Ata i martojnë ato me xhihadistë. Këtë e quajnë "nikah", që nuk është gjë tjetër veçse abuzim me fëmijë. Kjo shkel qartë të drejtat e fëmijëve dhe të njeriut."

Një pjesë e madhe e propagandës së IS-it rrotullohet rreth dhunës së seksualizuar, është vëzhgimi i aktivistes irakiane të për të drejtat e grave. IS u premton luftëtarëve 72 virgjëresha në qiell dhe xhihadin seksual në tokë, për të cilin gratë duhet të jenë në dispozicion për shërbime seksuale.

Jesiden in Zakho Nordirak 16.08.2014
Fotografi: picture alliance/AA

"Vetëm interes i moderuar"

Këtë vlerësim e përkrah edhe drejtorja e sektorit për Lindjen e Afërt në Qendrën Wilson në Uashington, Haleh Esfandiara. Studiuesja me origjinë iraniane në fund të gushtit tërhoqi shumë vëmendje me artikullin e saj në "Wall Street Journal": mizoritë që IS kryen ndaj grave dhe vajzave ngjallin vetëm interes të moderuar në mediet ndërkombëtare, shkruante ajo. Por terroristët e IS-it janë barbarë thotë studiuesja për kanalin MSNBC: "Ka nuse fëmijë." Ajo që u bëhet grave është e pabesueshme, kudo që shkon IS, thotë Esfandiara.

Peschmerga Kämpferinnen aus dem Nordirak
Fotografi: Reuters/Ahmed Jadallah

Për aktet sistematike të dhunës të IS kundër grave ka shembuj të panumërt, thekson Esfandiara. Si ky nga Siria: milicët e terrorit kishin rrëmbyer gruan e dikujt dhe kërkonin shumë para për lirimin e saj. "Burri pagoi 30.000 dollarë, kjo është një shumë e madhe në ato anë. Gruan e rikthyen tek i shoqi. Por ajo tregoi se ishte përdhunuar 100 herë. E përsëris: 100 herë. Veç kësaj ajo ishte shtatzënë."

Vetëmbrojtje

Si reagim ndaj krimeve të IS ndaj grave jezide në veri të Irakut para pak javësh, shoqatat kurde pashmerga shënojnë një rritje të qartë të rekruteve të reja. Atje sipas vlerësimeve milicët e terrorit kanë rrëmbyer mijëra gra dhe fëmijë nga popullsia jezide.

Në Sulaimaniya të Irakut, rreth 180 kilometra në juglindje të Erbilit, gratë e reja ushtrohen në çmontimin dhe montimin e armëve të zjarrit. Oficerja në shoqatën luftarake të grave të pashmergëve, Faiza Aziz Fakih thotë: "Ngjarjet e rënda në Sinjar dhe sulmet ndaj grave kanë ndryshuar shumë gra kurde. Ato erdhën tek ne: fillimisht dhjetë gra, pastaj ishin 20." Gratë kishin treguar për mizoritë dhe theksuar se për këtë arsye donin të mësinon të përdornin armët për t'u vetëmbrojtur.

Pas stërvitjes luftëtaret e reja kurde zhvendosen në frontin që gjendet aktualisht në jugperëndim të Erbilit, thotë komandantja e rekruteve, Nahida Ahmed Rashid: "Luftëtaret tona nuk kanë frikë nga IS. Ato janë luftëtare peshmerga, të cilat janë mësuar të përdorin armë të lehta dhe të rënda dhe duan të shkojnë në front."