1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lukashenko - "diktatori i fundit i Evropës"- fiton zgjedhjet në Bjellorusi - protesta pas zgjedhjeve

20 Dhjetor 2010

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko i fitoi qartë, siç pritej zgjedhjet presidenciale, duke marrë rreth 80% të votave, sipas rezultateve paraprake. Pas zgjedhjeve Minsku tronditet nga protestat.

https://p.dw.com/p/Qg40
Fituesi i zgjedhjeve, Alexander Lukashenko
Fituesi i zgjedhjeve, Alexander LukashenkoFotografi: DW

Pas përfundimit të votimeve të dielën në mbrëmje, nisën protestat e mijëra ithtarëve të opozitës së bashku me disa prej kandidatëve presidencialë. Ata janë të mendimit se presidenti aktual Lukashenko i ka manipuluar zgjedhjet e djeshme presidenciale. Policia ndërhyri me mjete të dhunshme, si pasojë ka pasur mjaft të lënduar.

Protestues kundër zgjedhjeve në Bjellorusi
Protestues kundër zgjedhjeve në BjellorusiFotografi: DW

Ndërkohë u bë e ditur se presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko i fitoi për herë të katërt një mandat presidencial në zgjedhjet e së dielës. Sipas rezultateve jopërfundimtare, ai fitoi 79,1 të votave. Nëntë kandidatët konkurentë të tij arritën vetëm rezultate njëshifrore. Lukashenko është në pushtet që prej vitit 1994. Në zgjedhjet e fundit katër vjet më parë ai arriti të mbledhë 82,6 përqind të votave.

Lukashenko, që më parë ka qenë kryetar kooperative, pati paralajmëruar se do t'i mposhtte konkurentët e tij pa cënuar procesin elektoral. Por kritikët e akuzuan atë se kishte urdhëruar policinë që të arrestonte aktivistët e opozitës dhe e kishte detyruar median e kontrolluar nga shteti që ta mbështesë.

Policia rreh opozitarët

Pak para mbylljes së lokaleve të votimit të dielën, policia sulmoi me bomba tymosëse një grup aktivistësh të opozitës, që po ecnin në drejtim të Sheshit Tetori, sheshit qendror të Minskut. Grupin e drejtuar nga poeti Vladimir Neklajew e hodhën në borë dhe disa vetë u arrestuan. Një zëdhënës tha se Neklajevi 64 vjeçar u dërgua pas rrahjeve pa ndjenja në një spital, për të mjekuar plagët në kokë. Kritikë të qeverisë folën për manipulime të mëdha dhe kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve, duke përjashtuar Lukashenkon. Anëtarë të grupit vëzhgues For Fair Elections thanë të dielën se autoritetet u kishin ndaluar hyrjen në zyra dhe përdorimin e telefonave, sepse ata u kishin dhënë intervista mediave të huaja.

Vladimir Neklyaev Ausschreitungen nach Wahl in Minsk Belarus Weißrussland
Vladimir Neklyaevit, kandidat presidencial i jepet ndihmë pas protestave në MinskFotografi: AP

Lukashenko i pati ndaluar mbledhjet publike ditën e zgjedhjeve. "Çfarë presin mbështetësit e demonstratave të protestës? Lexoni ligjet tona", tha Lukashenko."Gjithçka do të jetë sipas ligjeve tona. Nuk ka për të pasur ndonjë demonstratë."

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve foli disa herë për pjesëmarrje të lartë në votime. Më shumë se 1000 vëzhgues ndërkombëtarë, të drejtuar nga një delegacion prej 490 anëtarësh të Organizatës Për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vëzhguan zgjedhjet në Bjellorusi. Opozita kishte paralajmëruar paraprakisht se zgjedhjet do të manipuloheshin.

Autor: Auron Dodi (dpa, dpae)

Redaktoi: Lindita Arapi