1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lutfi Haziri: Nuk pritet marrëveshje për decentralizimin në Vjenë

Bekim Shehu17 Janar 2006

Pala kosovare është tërësisht e përgatitur për të diskutuar me palën serbe në takimin e Vjenës të datës 25 Janar, çështjen e decentralizimit në Kosovë

https://p.dw.com/p/AqrD
Vjena
VjenaFotografi: dpa

Grupi Politik Strategjik ka mbaruar punën duke përpunuar kështu dokumentin përfundimtar të decentralizimit në Kosovë me të cilin pala kosovare pritet të paraqitet në takimin e Vjenës për të diskutuar decentralizimin me palën serbe të Beogradit.

Takimi i parë midis ndërmjetësueve ndërkombëtarë të OKB-së, të udhëhequr nga Marti Ahtisari dhe përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të mbahet me datën 25 Janar në Vjenë të Austrisë. Kjo u konfirmua nga zëdhënësja e zotit Ahtisari, Hua Jiang, pas takimit të djeshëm të Grupit të Kontaktit që u zhvillua po në Vjenë dhe ku mori pjesë edhe ndërmjetësi ndërkombëtar, Marti Ahtisari. Edhe pse akoma Grupi Negociator i Kosovës nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e palës kosovare në takimin e Vjenës ku do të diskutohet decentralizimi, ministri i pushtetit lokal, Lutfi Haziri, tha për programin tonë se nga takimi i Vjenës nuk pritet të dalë ndonjë marrëveshje me palën serbe.

Haziri: "Jo nuk kemi të bëjmë me negociata të drejpërdrejta në këtë drejtim. Zoti Ahtisari, në misionin e vet e ka identifikuar këtë temë, si njërën nga temat e rëndësishme për të krijuar mundësi reale për zgjidhjen e problemeve në Kosovë në kuadër të decentralizimit. Praktikisht plani serb është jashtë parimeve të Grupit të Kontaktit, i cili këkon ndarje të etniteve në Kosovë, kërkon ndarje fizike të grupeve etnike dhe shkakton probleme tek vetë sebët e Kosovës. Ndërsa, parimet e planit të Prishtinës, kanë të bëjnë me parimet e konventës evropiane për vetqeverisje lokale që janë të aplikueshme gjithandej dhe që kanë sjellë rezultate edhe në këtë region.
Shembull, marrëveshja e Ohrit në Maqedoni për pakicën shqiptare atje. Pra në takimin e Vjenës nuk kemi ballafaqim planesh por, angazhime dhe strategji delegacionesh që janë përgjegjëse për statusin e Kosovës në të ardhmën".

Sidoqoftë, kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, është shprehur se pala kosovare duhet të jetë e vetëdijshme për rëndësinë që kanë bisedimet e datës 25 Janar në mes palës shqiptare të Kosovës dhe asaj serbe nga Beogradi. Ai shprehet i bindur se pala kosovare është duke bërë përgatitje në këtë drejtim. Përfaqësues të Grupit Politik Strategjik, ndërkaq, kanë njoftuar, se gjatë kësaj jave dokumenti i përpunuar i decentralizimit do t'i dorëzohet Grupit Negociator të Kosovës, ndërsa, jo zyrtarisht thonë se, dokumenti do të marrë dritën e Gjelbër për t'u biseduar me palën serbe me 25 Janar në Vjenë të Austrisë.