1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësime nga pësimet - KESH premton shmangien e krizës energjitike që po troket

Ani Ruci / Tiranë8 Gusht 2008

Jo vetëm metereologët por dhe vetë autoritetet e KESH-it po njohin shenjat e afrimit të krizës energjitike në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/Et5d
Mungesa e energjisë do të ishte një shkatërrim i imazhit dhe humbjes së sigurisë se në Shqipëri mund të bëhet pushime me kushtet më të domosdoshme.
Mungesa e energjisë do të ishte një shkatërrim i imazhit dhe humbjes së sigurisë se në Shqipëri mund të bëhet pushime me kushtet më të domosdoshme.Fotografi: Aida Cama

Stacionet meterologjike paralajmërojnë një thatësirë të jashtëzakonshme, ku do të përfshihet edhe Shqipëria. Për një vend që energjinë elektrike e siguron kryesisht nga hidrocentralet këto paralajmërime janë preludi i përfshirjes edhe sivjet në krizat kronike energjitike të një dekade. Paralajmërimet përkthehen me ndërprerje të energjisë elektrike nga 4-6 orë në ditë në Tiranë dhe qytetet kryesore, pa folur për errësirën e stërzgjatur në zona periferike dhe fshatra të largët.

Pas metereologëve janë vetë autoritetet e KESH-it që njohin shenjat e afrimit të krizës. "Po përballemi me thatësirën apo me mosprurje ne liqenet e hidrocentraleve në veri. Ato janë sot 50% më të ulta se vitin e kaluar dhe parashikimet tona. Nëse në vitin e kaluar ato kanë qenë 64 metra kub në sekondë në liqenin e Fierzës, sot ato kanë rënë në në 32 metra kub," -thotë drejtori i departamentit të prodhimit në KESH, Muharrem Stojku.

Paralajmërimet përkojnë me kulmin e sezonit turistik të verës, kur plazhet dhe qendrat turistike janë mbushur me pushues vendas dhe të huaj dhe kur mungesa e energjisë do të ishte një shkatërrim i imazhit dhe humbjes së sigurisë se në Shqipëri mund të bëhet pushime me kushtet më të domosdoshme.

Por autoritetet e KESH-it nxituan të qetësojnë popullatën dhe botën e biznesit. "Kemi marrë të gjitha masat që të shmangim krizën energjitike në kushtet e thatësirës së pritshme. Me depozitat tona dhe kontratat që kemi lidhur do të sigurojme furnizimin normal të popullatës dhe biznesit" - tha Muharrem Stojku.

Zyra e Marrdhënieve me Publikun e KESH-it tha për DW se depozita e krijuar kap shifrën e 980 milion kilovatorëve. Nderkohe nje depozite tjeter, prej 180 milion kilovatorë i është dhënë Kosovës, për tia kthyer në kohë krize.

Shqiperia konsumon 16 milion kilovatore energji elektrike në ditë, nga të cilat 10 milion prodhohen nga hidrocentalet ne veri te vendit, kurse 6 milion të tjera importohen.

Deklarimet e sotme duket se tregojnë që KESH-it i janë kthyer pësimet në mësime. Mundësia e përsëritjes së krizave energjitike të viteve të kaluara kur popullata dhe biznesi vuanin ndërprerjen e energjisë nuk do ta gjejnë sivjet të papërgatitur.

Në terma afatgjatë Shqipëria u është drejtuar burimeve alternative për prodhimin e energjisë si atë të erës, diellit, termocentraleve dhe së fundi energjisë bërthamore. Ndërtimi i një centrali bërthamor, që do ta kthente Shqipërinë në një eksportues të energjisë për rajonin, është një nga projektet që kryeministri Berisha e ka më për zemër. Si hap fillestar për të hyrë në rrugën e realizimit të ëndërrës atomike të Shqipërisë është duke u hartuar legjislacioni përkatës, që në Shqipëri mungon krejtësisht.