1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rifillon dialogu Kosovë-Serbi

Bekim Shehu
6 Korrik 2020

Me nismën e presidentit francez Macron dhe kancelares gjermane Merkel, më 10 korrik, zhvillohet një “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë. Kurse më 12 korrik në Buksel takohen Avdullah Hoti dhe Aleksandër Vuciq.

https://p.dw.com/p/3erSN
Berlin | Angela Merkel und Emmanuel Macron
Fotografi: Getty Images/AFP/O. Andersen

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, takon të martön (07.07.), në Paris presidentin francez Emmanuel Macron, njoftoi zyra e kryeministrit kosovar. Pritja zyrtare thuhet në njoftim, "bëhet enkas për kryeministrin e Republikës së Kosovës në Pallatin Elize në Paris”,  dhe kjo sipas kryeministrit kosovar, "tregon kujdesin dhe përkushtimin e Presidentit Emmanuel Macron ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike”.

Vizita në Paris e kryeministrit Avdullah Hoti, bëhet vetëm katër ditë para mbajtjes së një Samiti virtual me 10 korrik në Paris, ku temë qendrore është dialogu Kosovë-Serbi, ndërsa, me datën 12 korrik në Bruksel rifillon me takime dialogu Kosovë-Serbi, me pjesëmarrjen e palës kosovare dhe asaj serbe. Samiti virtual me 10 korrik organizohet nën lehtësimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.  

Kosovo Treffen des Premierministers Avdullah Hoti mit EU-Vertretter Mirosllav Lajqak
Avdullah Hoti dhe Mirosllav LajqakFotografi: Office of the Kosovo prime minister

"Siç kemi premtuar se do të komunikojmë kur të kemi lajme, tani ka ardhur koha që ta konfirmojmë takimin e rinisjes së dialogut. Unë mund të konsideroj se më 12 korrik në Bruksel takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Nikoqir i këtij takimi do të jetë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, e i pranishëm është edhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak”, njoftoi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Njoftimi për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua vetëm disa ditë pas paraqitjes së një aktakuze nga Prokuroria Speciale për Kosovën me seli në Hagë, kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kjo aktakuzë akoma nuk është konfirmuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake në Gjykatën Speciale.  Publikimi i këtyre akuzave u bë në prag të një takimi Kosovë-Serbi që ishte planifikuar të mbahej me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. Ky takim ndërmjetësohej nga i dërguari special i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell. Ky i fundit ka paralajmëruar një takim të ngjashëm së shpejti në Shtëpinë e Bardhë, por data akoma nuk është caktuar.