1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervistë me shefin e Eulexit, Bernd Borchardt

Bahri Cani11 Qershor 2014

Intervistë me Bernd Borchard, shefi i misionit të BE në Kosovë Eulex. Zgjedhjet kane kaluar shumë mirë në sektorin e sigurisë, ndërsa misioni ynë ndryshon prej 14 qershorit, pohon Borchardt.

https://p.dw.com/p/1CFvr
Fotografi: DW/B. Cani

DW: Zoti Borchardt, si e vlerësoni ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë dhe në veçanti gjendjen e sigurisë për të cilën edhe ju keni pasur një pjesë të përgjegjësisë?

Bernd Borchardt: Gjatë zgjedhjeve ne jemi marrë me çështjen e sigurisë së bashku me Policinë e Kosovës. Dhe mund të them se jam shumë i kënaqur sepse të gjitha kanë kaluar shumë mirë. Nuk kemi pasur asnjë problem serioz, ndërsa imtësitë që janë paraqitur, janë zgjidhur shumë shpejt. Më duket se në ditën e zgjedhjeve nuk kam pasur asnjë thirrje telefonike, që do të thotë se problemet ka qenë lehtë të zgjidhen. Sa i përket ecurisë së zgjedhjeve për këtë do të deklarohen vëzhguesit e Bashkimit Evropian. Kjo nuk është në kuadër të mandatit tonë. Ndërkohë që tani presim me interesim të madh se si do të duket koalicioni i ardhshëm qeveritar.

DW: Koalicioni i ardhshëm qeveritar me siguri që është një çështje shumë e rëndësishme edhe sa i përket bashkëpunimit të ardhshëm me misionin tuaj. Çfarë prsini në këtë drejtim: mendoni se do të vazhdojë politika e tanishme, apo shpresoni se do të ketë ndryshime serioze në qeveri, të cilat do të ndikojnë edhe në bashkëpunimin tuaj?

Bernd Borchardt: Ne kemi pasur me qeverinë e deritanishme një bashkëpunim shumë të mirë. Bashkëbiseduesit tanë kanë qenë ministri i Drejtësisë dhe i Brendshëm dhe në këtë drejtim nuk mund të ankohem për asgjë. Natyrisht kemi bashkëpunuar edhe me kryeministrin dhe as këtu nuk mund të ankohem. Kryeministri mund të mbetet i njëjti, sepse partia e tij ka fituar më së shumti vota. Cilët do të jenë ministrant e ardhshëm nuk dihet, por ne jemi fleksibël dhe do të gjejmë nivelin e duhur të bashkëpunimit me partnerët tanë. Bashkëpunimi ynë varet edhe nga ajo se çfarë pret pala partnere.

DW: Ju jeni në Kosovë prej më shumë se një viti dhe me siguri që jeni njohuar me të gjitha probemet. Cilat janë sfidat dhe problemet më serioze me të cilat do të përbalket qeveria e ardhshme e Kosovës?

Bernd Borchardt: Këtu mund të them vetëm mendimin tim privat. Unë jam në kontakt të përhershëm me miqët e mi kosovarë të cilët thonë se ekzistojnë tri tema qendrore: ekonomia, ekonomia dhe ekonomia. Pra zhvillimi ekonomik i Kosovës.

DW: Më 14 qershor do të ndryshojë roli i Eulexit. Cilat do të jenë ndryshimet e këtij misioni?

Bernd Borchardt EU Mission Kosovo mit DW Reporter Bahri Cani
Fotografi: DW/B. Cani

Bernd Borchardt: Me qeverinë e Kosovës ne kemi pasur një shkëmbim letrash i cili ka përfunduar në mes të prillit mes presidentes Jahjaga dhe përfaqësueses së lartë të BE Ashton. Elementet më të rëndësishme në këto letra janë që mandati ynë ekzekutiv do të ndryshojë. Ne do t'i çojmë deri në fund rastet që kemi filluar. Por vetë nuk do të hapim asnjë rast të ri. Natyrisht që është e mundur që kosovarët të na kërkojnë që të marrim përsipër ndonjë rast. Ne këtë mund ta kërkojmë prej kosovarëve, që me dëshirë do të trajtonim ndonjë rast. Por dallimi kualitativ është që vendimet merren nga përfaqësuesit e Kosovës. Ndryshimi i dytë i rëndësishëm është që të gjitha institucionet e rëndësishme do të drejtohen prej kosovarëve. Prokuroria e Posaçme për Krimet e Rënda (SPAK) është drejtuar deri tani nga një bashkëpunëtor i Eulexit, ndërsa në të ardhmen do të drejtohet nga një koleg kosovar. Instituti për Mjekësinë Forenzike është bashkëdrejtuar nga një bashkëpunëtor i Eulexit, i cili në të ardhmen do të jetë zëvendësdrejtues. Ne duam që kosovarët të marrin më shumë përgjegjësi. Ndryshimi i tretë i rëndësishëm është që gjykatësit e Eulexit kanë përbërë shumicën në trupat gjykues. Ka pasur raste kur edhe në të kaluarën kemi qenë në pakicë, por në të ardhmen do të jetë rregull që ne jemi në pakicë. Shumicën mund ta kërkojmë vetëm nëse kemi argumentimentet e duhura.

DW: A do të ketë raste ku Eulexi do të ketë fjalën kryesore?

Bernd Borchardt: Përpunimi i rasteve të filluuara nga prokurorët tanë do të zhvillohet sipas rregullave të vjetra. Ajo që tregova pak më parë ka të bëjë me rastet e reja qe do të hapen.

DW: Për sa raste bëhet fjalë?

Bernd Borchardt: Fjala është për më shumë se 200 raste të filluara, por këtu ka dhe raste ku që tani mund të thuhet se nuk do të ketë proces gjyqësor, sepse nuk kemi argumente të mjaftueshme.

DW: Kush do ta drejtojë Tribunalin për Krimet e Luftës dhe cili do të jetë roli i Eulexit në këtë gjykatë?

Bernd Borchardt: Kjo gjykatë speciale do të merret me rastet e fajësimeve në raportin e Dick Marty, ku flitet për sulme dhe gjëra të tmerrshme në kohën e luftës. Rastet janë hetuar nga një prokurori speciale, e cila në skemën organizative i përket Eulexit, por punon plotësisht e pavarur. Kështu do të jetë edhe me gjykatën e cila në skemën organizative i përket Eulexit, por si dhe të gjithë gjykatësit e tjerë do të jetë plotësisht e pavarur. Marrëveshja mes BE-së dhe Kosovës përmes shkëmbimit të letrave përmban edhe një pjesë më të gjatë për këtë gjykatë speciale. Esenca është që kjo gjykatë duhet të punojë në bazë të ligjeve të Kosovës, në kohën kur janë bërë këto vepra. Selia e kësaj gjykate nuk do të jetë vetëm në Kosovë, por edhe në një shtet tjetër, për të mbrojtur dëshmitarët.

Dë: Zoti Borchardt a mund ta siguroni ju mbrojtjen e dëshmitarëve dhe sa janë të mbrojtur ata?

Bernd Borchardt: Mbrojtja e dëshmitarëve është këtu një problem shumë i madh. Në vendet e tjera mbrojtja e dëshmitarëve nënkupton që të merret një identitet tjetër dhe këta persona të jetojnë në një pjesës tjetër të vendit. Por në një vend të vogël si Kosova kjo do të thoshte se duhet të merret një identitet tjetër dhe të shkojnë në një vend tjetër të jetojnë. Sipas përvojave tona, numri i atyre që janë të gatshëm të bëjnë këtë është shumë, shumë i ulët. Pra gatishmëria e njerëzve që të shkojnë në një vend tjetër dhe të marrin një identitet tjetër, të shkëputen tërësisht nga familjet e tyre, është shumë e vogël.

DW: Po si do të zgjidhet problemi me mbrojtjen e dëshmitarëve në rastin e Gjykatës speciale për krime lufte?

Bernd Borchardt: Numri më i madh i dëshmitarëve, me sa jam i informuar, vjen nga vende të tjera. Ndaj situata është ndryshe. Ndërkohë që edhe Policia e Kosovës është në fazën e krijimit të një programi për dëshmitarët e mbrojtur. Përvojat e tona nga rastet e fundit dëshmojnë se dëshmitarët nuk janë në gjendje të bindin gjykatësit për fajin e të akuzuarve. Pra nuk është fjala vetëm për mbrojtjen e dëshmitarëve, por edhe për besueshmërinë e dëshmitarëve. Në muajt e fundit në dy raste, një kundër serbëve dhe një kundër shqiptarëve, sipas akuzave për dhunime si krime lufte, kemi pasur dy vendime për lirim, sepse dëshmitarët nuk kanë mundur t'i bindin gjykatësit.

DW: Si qëndron puna me personelin e Eulexit, a do të ketë shkurtime dhe ndryshime?

Bernd Borchardt: Ne do ta zvoglojmë misionin, në tetor por deri tani nuk dihen numrat e saktë. Vendimi duhet të merret këtë të mërkurë. Shpresojmë se kështu do të jetë.

DW: Kur priten aktakuzat e para në këtë gjykatë dhe sa do të zgjatë ajo?

Bernd Borchardt: Për të ngritur aktakuzë duhet të ngrihet gjykata, e ajo ende nuk ekziston. Para hapjes duhet të arrihet një marrëveshje me vendin fqinjë të selisë tjetër, ndaj është shumë vështirë të thuash tani se kur do të bëhet hapja.

DW: Domethënë rastet do të trajtohen nga Eulexi, por me mbështetjen e qeverisë së Kosovës?

Bernd Borchardt: Parlamenti i Kosovës ka marrë një qëndrim shumë të mirë me mbështetjen e gjërë të vendimit për krijimin e gjykatës. Ky vendim ka qenë shumë i mirë, sepse këto kritikat janë si një re e madhe mbi Kosovën, e cila duhet të spastrohet një herë e përgjithmonë, përmes lirimeve apo dënimeve. Gjykata teknikisht do t'i takojë Eulexit, por si të gjitha gjyatat e tjera do të jetë plotësisht e pavarur. Gjykatësit do të jenë ndërkombëtarë.

DW: A janë të pjekura sa duhet gjykatat e Kosovës dhe sistemi juridik për të trajtuar rastet më të rënda të korrupsionit dhe kriminalitetit, pa mbështetjen e Eulexit?

Bernd Borchardt: Sikur vendet e BE të mendonin se institucionet e Kosovës janë të pjekura plotësisht për të zgjidhur të gjitha problemet me siguri që ky mision do të kthehej në shtëpi. Vendet e BE mendojnë se Kosova ende duhet të ketë mbështetje. Ne kemi bërë përparime të mëdha në sektorin e policisë, Policia e Kosovës konsiderohet prej qytetarëve si policia më e pakurruptuar në të gjitha vendet e rajonit. Por në sektorin juridik ka nevojë për më shumë mbështetje.

DW: Cili do të jetë roli i Eulexit në veri të Kosovës?

Bernd Borchardt: Misioni ynë në veri do të jetë më i ngjashmi për misionin e tanishëm. Ne do të mbetemi edhe më tej të pranishëm në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për të mbështetur doganat dhe policinë. Çështja tjetër ku po ndihmojmë është integrimi i strukturave policore serbe në Policinë e Kosovës. Edhe këtu në masë të madhe jemi të kënaqur me rezultatet e arritura. Kemi pasur disa përvoja të mira, por edhe disa dështime. Në përgjithësi mund të themi se po shkojmë në drejtimin e duhur. Sektori i tretë është integrimi i sektorit juridik, por këtu duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit, në dialogun që duhet të vazhdojë në Bruksel.

DW: Në bazë të përvojave të deritanishme dhe marrëveshjeve, deri kur vlerësoni se Eulexi do të mbetet në Kosovë?

Bernd Borchardt: Ne kemi rënë dakord që misioni i Eulexit të vazhdojë deri në qershor të vitit 2016.