1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më pak pagesa me para në dorë: Ruani distancën kur paguani

Daniel Heinrich
8 Janar 2021

Në Gjermani dhe në vendet e tjera të BE njerëzit janë duke paguar gjithnjë e më pak me para në dorë. Pandemia ka bërë që kjo tendencë të jetë në rritje. Por ekspertët paralajmërojnë për rreziqet.

https://p.dw.com/p/3nf8K
Deutschland - Kartenzahlung - Supermakrt
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Karmann

Kompania gjermane e rrjetit të furrave të bukës, me volumin më të madh të punës në vend, në qershor të vitit të kaluar ishte temë në editorialet e gazetave. Kompania me seli në një qytezë të vogël pranë Dyseldorfit, ofroi ulje tre përqind të çmimit të produkteve për të gjithë klientët që paguanin në mënyrë elektronike dhe jo me para në dorë. Fitimin që nxirrte nga ulja e taksës mbi vlerën e shtuar, kompania ia jepte atyre që paguanin me kartë banke dhe jo me para në dorë. Ata e argumentuan këtë aksionin duke thënë se pagesat me kartë apo me telefon celularë janë jo vetëm më të shpejta, por janë edhe më higjenike se sa pagesat me para në dorë.

Ky rast nga furrat e bukës është një shembull jo vetëm për të treguar se si mundohen firmat e ndryshme për t'i bërë klientët që të paguajnë me metoda të tjera dhe jo me para në dorë. Kjo tendencë nuk ka të bëjë me Coronën, sepse ka qenë edhe para saj. Në vitin 2018, në Gjermani për herë të parë u arrit që numri i njerëzve që paguanin me kartë të ishte më i madh se sa numri i atyre që paguanin me para në dorë. Në vitin 2020 bizneset e kryen 56 përqind të volumit të punës nëpërmjet pagesave me kartë.

Symbolbild Bezahlung Kasse Geld
Fotografi: Fotolia/StefanieB.

Megjithatë në krahasim me vendet e tjera Gjermania nuk ndodhet as në krye as në fund. Në Luksemburg, Francë dhe Estoni njerëzit paguajnë me kartë bankare më shpesh se sa në Gjermani. Në krye të listët ndodhen vendet skandinave. Aty hotelet, baret dhe bizneset refuzojnë të pranojnë kartëmonedha dhe monedha metalike. Në Suedi ndërkohë 82 përqind e njerëzve i bëjnë blerjet jo me para në dorë.

Politika kërkon që pagesat të bëhen me rrugë elektronike

Në gjithë Bashkimin Europian, pa përjashtim, bëhet reklamë për qarkullimin elektronik të parave si metodë e sigurt dhe e pastër higjenike. Komisioni i BE nuk shqetësohet nga fakti që nuk ekziston asnjë lloj dëshmie që të tregojë se monedhat metalike dhe kartëmonedhat përmbajnë rreziqe infektimi me virusin e Coronës. Pandemia ka treguar sa praktike është pagesa jo me para në dorë, thonë autoritetet e Brukselit. Prandaj do ta nxisë një gjë të tillë edhe në të ardhmen. Kryetarja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, i ka deklaruar digjitalizimin dhe pagesat jo me para në dorë, ndër prioritetet kryesore të saj, direkt pas mbrojtjes së klimës.

Oliver Hommel është ekspert për qarkullimin e parave dhe Open Banking tek Accenture, një nga firmat më të mëdha konsultuese për sipërmarrjet. Ai është ekonomist dhe është i bindur se tendenca për pagesat jo me para në dorë në Europë do vazhdojë të jetë në rritje. Nga njëra anë „shumë njerëz janë mësuar me përfitimet e kësaj metode", nga ana tjetër „skepticizmi i tregëtarëve kundrejt pagesave me kartë bankare, ka rënë dukshëm që para fillimit të krizës së Coronës".

Vullneti politik për të bërë ndryshime tregohet edhe në jetën e përditshme: Falë një rregulli të BE që ekziston që prej vitit 2015, institutet e kartave të kreditit nuk kanë të drejtë të kërkojnë nga tregtarët përqindje të larta për pagesat e bëra me kartë krediti. Prandaj konsumatorët dëgjojnë gjithnjë e më pak të thuhet se pagesa me kartë është e mundur vetëm pasi paguhet një shumë e caktuar parash.

Por përfitimi që mund të ketë një klient, mund të kthehet në disavantazh për bukëpjekësin e lagjes, ose për bizneset e tjera. Shpesh ndodh që kalimi në pagesat elektronike të jetë i lidhur me gjoba. Firmat që mbajnë terminalet e pagesave me kartë, kërkojnë 0,25 përqind të blerjes kur paguhet me kartë bankare, kurse në pagesat e bëra me kartë krediti kërkojnë deri në 3 përqind të blerjes së kryer. Kompanitë dhe dyqanet që ofrojnë produkte me ulje, arrijnë shpesh të marrin kushte më të mira ose flatrate për shërbimet që ofrojnë me pagesat.

Österreich Wien | Coronavirus | Schlange vor Geschäft
Fotografi: Hans Punz/dpa/picture alliance

Rreziqe në mbrojtjen e të dhënave

Probleme për klientët ka kryesisht, sipas ekspertëve, sa i përket mbrojtjes së të dhënave. Për Oliver Hommelin kjo vlen sidomos në variantet e pagesave me telefon celular, në të cilat PIN-i jepet gjatë pagesës vetëm në celular. Kjo ka të bëjë kryesisht me teknikën e ashtuquajtur, NFC, një mënyrë komunikimi midis dy aparateve elektronike që ndodhen në distancë më të vogël se katër centrimetra. Deri tani kjo teknikë është përdorur kryesisht për pagesat elektronike të shumave të vogla të parave. Ndërkohë aparatet për pagesa me kartë, duke filluar që nga pikat e karburanteve e deri tek Discounter-at janë pajisur ndërkohë edhe me pajisjet elektronike lexuese, NFC. Për të bërë lidhjen midis celularit dhe pajisjes lexuese elektronike, mjafton vetëm të shkarkosh një applikacion, App.

Rëndësinë e madhe që ka fituar kjo mënyrë pagesash e tregon ndërkohë Holanda ku metodat NFC, është shumë e preferuar gjatë blerjeve. Në Holandë, që nga viti 2019,  klientët blejnë më shumë me celularë se sa me para në dorë ose me kartë.

Për Oliver Hommel ky zhvillim është i lidhur me probleme, sepse „celularët nuk janë krejtësisht të mbrojtur nga sulmet e hackerave". Përveç kësaj, kush blen në këtë mënyrë, tregon po ashtu se ku e bën pazarin. Applikacionet që përdoren për pagesat i ruajnë të dhënat për vendet ku bëhen blerjet, për qëllime sigurie. Se ku të çon kjo në rastet ekstreme e tregon SHBA thotë Hommel: „Aty, Google ka akses në shumë të dhëna të kartave të kreditit kështu që mund të ndikojë mbi reklamat që bëhen nga tregtarët e palëvizshëm, duke i organizuar, vlerësuar dhe shitur më shtrenjtë."