1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Më shumë: besim, qartësi dhe dinamikë!" - Presidenca austriake e BE-së

Bernd Rigert22 Dhjetor 2005

Pas Luksmeburgut dhe Britanisë së Madhe do të jetë Austria që qysh nga 1 janari 2006 do të kryesojë këshillin presidencial të BE-së. Kryesimi i këshillave të ndryshme ministeriale si dhe i samiteve të BE-së presupozon që vendi përkatës përveç temave aktuale mund të vendosë edhe disa prioritete të vetat.

https://p.dw.com/p/ArCV
Burgtheater në Vjenë
Burgtheater në VjenëFotografi: dpa

Tri gjëra dëshiron të arrijë në BE për gjashtë muajt e ardhshëm ministrja e jashtme austriake Urzula Plasnik: "Nëse më lejohet të shpreh tri dëshira këto janë: Më shumë besim, më shumë qartësi dhe më shumë dinamikë!"

Pas kompromisit për financimin e BE-së deri në vitin 2013, që u përcaktua në samitin para dy javësh, duhet që sërish të trajtohen temat e mëdha si kushtetuta, kuptimi i BE-së dhe kufijtë e zgjerimit. Kështu mendon kancelari ausstriak Volfgang Shysel.

Presidenti i Komisionit të BE-së Hoze Manuel Barrozo dëshiron që të zgjidhet sa më shpejt edhe grindja për paratë. Në intervistë për DW, Barrozo thekson: "Besoj, se vitin 2006 mund ta nisim me më shumë optimizëm. Ne mund të përqëndrohemi tani në çështje që janë të rëndësishme për qytetarët tanë, si zhvillimi dhe më shumë vende pune."

Nëse do të përsëritet debati i vitit 2005 mbi financat, kjo do të ishte "si vetëvrasje" për BE-në, është shprehur kancelari i Austrisë, Shysel. BE-ja ka nevojë për një burim të vetin tatimesh dhe financimi, në mënyrë që të mos mbetet gjatë në varësi të mëshirës së kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve antare.

Austria dëshiron ta ringjallë kushtetutën e hedhur poshtë nga francezët dhe holandezët, ka deklaruar ministrja e jashtme Plasnik: "Sa i përket çështjes së marrëveshjes për kushtetutën kam mendimin, që ne nuk do t´ia dalim me procedura kozmetike. Sepse në këtë mënyrë nuk i përgjigjemi si duhet peshës që ka kjo temë."

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ndërkohë është shprehur kundër ndryshimeve në tekstin e kushtetutës, tashmë të ratifikuar në Gjermani. Merkel preferon më shumë një deklaratë shtesë për çështjet sociale.

Ministrja e jashtme austriake njëkohësisht paralajmëron, që Austria nuk do të ofrojë recetat e zgjidhjes, por ajo mund të influencojë në krijimin e një atmosfere pozitive për debatin mbi kushtetutën. Një etapë e re ratifikimi është e mundur si në Francë edhe në Holandë pas zgjedhjeve, pra pas vitit 2007. "Nuk ka si të realizohet mendimi, se ne mund të veprojmë tani të mëvetsishëm si prestigjatorë apo si rektorë kreativë evropianë. Por ne do t´i kryejmë këto detyra duke pasur parasysh atë që mund të bëhet", thotë kryediplomatja austriake Plasnik.

Sa i përket politikës së jashtme presidenca Austriake e BE-së do të ketë si pikërëndesë Ballkanin për shkak të afërsisë gjeografike dhe historike me këtë rajon. Shtetet nga Kroacia deri në Maqedoni duhet të afrohen sipas mënyrës së tyre në union.

Ursula Plasnik për një kohë të gjatë luftoi kundër hapjes së bisedimeve të antarësimit me Turqinë. Tetorin e kaluar BE-ja e realizoi formalisht këtë hap. Por, ministrja e jashtme nuk dëshironte të shprehej, nëse do të jetë pikërisht Austria tani që do të hapë bisedimet e para praktike me Turqinë: "Eshtë ende shpejt për të gjykuar nëse mund të hapen bisedimet në gjysmën e parë të vitit.

Fillimisht duhet pritur, nëse Turqia do ta vërë në jetë unionin doganor me BE-në dhe nëse në këtë mënyrë do të njohë edhe Qipron si antare të BE-së. Në rast të kundërt Austria është e gatshme që t´ia përcjellë temën mjaft të diskutueshme në politikën e saj të brendëshme mbi antarësimin e Turqisë presidencës pasuese të BE-së, Finlandës.