1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë pabarazi megjithë rritjen ekonomike

Peter Hille22 Tetor 2008

OECD prezanton studimin për shpërndarjen e të ardhurave dhe varfërinë

https://p.dw.com/p/Fees
Lypës në Gelsenkirchen të GjermanisëFotografi: AP

Në vazhdën e krizës financiare diskutimi mbi rrogat e larta të menaxherëve është ndezur edhe në Gjermani. Ata fitojnë miliona ndërkohë që të tjera duhet t'ia dalin me disa qindra euro në muaj. Një studim i fundit i Organizatës për Zhvillimin Ekonomik dhe Bashkëpunimin, OECD, tregon qartë: rritja drastike e rrogave të menaxherëve në vitet e fundit në Gjermani ka sjellë një rritje pamasë të pabarazisë.



Në asnjë vend tjetër anëtar të OECD-s, Organizatës për Zhvillimin Ekonomik dhe Bashkëpunimin nuk ka pasur një rritje të hendekut mes të varfërve dhe të pasurve në vitet e fundit sa në Gjermani. Markus Grabcka nga instituti gjerman për studime ekonomike ka mbledhur të dhënat për studimin e krahasuar: "Është kështu, Gjermania për vite me radhë kishte një pabarazi të durueshme në aspektin e të ardhurave, por vërejmë se që nga vitit 2000 ka një rritje të dukshme të pabarazisë. Ne orientohemi tani më shumë drejt vendeve, që kanë pasur një masë të pabarazisë mbi mesataren."


Numri i njerëzve, të cilet duhet të sigurojnë jetesën me më pak se e ardhura mesatare ka kapur tashmë shifrën 11%, po kaq e lartë kjo shifër është në Greqi apo Britaninë e Madhe.


Markus Grabka përmend tre arsye për shtimin e hendekut në rroga.Tregu i punës në Gjermani ka ndryshuar jashtë mase, ka marrë fund koha e punëve të sigurta dhe janë shtuar punët me orar të kufizuar dhe të përkohshme. Përveç kësaj ka një rritje të madhe të numrit të personave të pamartuar dhe të të divorcuarve me fëmijë.


"Së treti edhe politika ka luajtur këtu rolin e saj. Kujtojmë uljen e tatimit maksimal për rrogat e larta."


Nga viti 1999 deri në 2005 nën qeverisjen e Shrëderit tatimi maksimal mbi të ardhurat ra nga 53% në 42%. Kjo solli rritje të të ardhurave të kategorisë së atyre, që fitojnë mirë.


"Po, kjo nuk është një tendencë që vihet re në Gjermani vetë, por edhe në SHBA, pra rritja e kurbës së të ardhurave të shtresës së lartë, pra të atij 5% ka një ndikim të madh në ndryshimin e të ardhurave në tërësi, pra shtimin e pabarazisë."


Tendenca e pabarazisë vihet re madje në tre nga katër shtete të OECD-s, vëren studimi. Për ekspertin Michail Fërster ky zhvillim është njëra nga arsyet kryesore.


"Ka pasur edhe vende, ku nuk është thelluar hendeku i pabarazisë. Për shembull në Spanjë, në Francë. Dhe me sa duket politika kombëtare mund të bëjë diçka, për të ndaluar që të shtohet strukturalisht pabarazia në të ardhura."


Në Gjermani vërtet që rishpërndahen mesatarisht më shumë para se në vendet e tjera të OECD-s, por kjo rishpërndarje nuk është efektive.


"Më të rëndësishme se sa masat pasive janë ato aktivet, direktet. Duhen marrë masa për të aktivizuar njerëzit që të futen në jetën e punës. Por duhen edhe masa shoqëruese, që puna t 'ia vlejë."


Kush punon duhet të jetojë nga puna e tij. Caktimi i rrogës minimale do të ndihmonte që gjithnjë e më shumë njerëz të kërkojnë punë, dhe të fitojnë para në mënyrë të mjaftueshme. Rishpërndarja e të ardhurave në Gjermani shpesh shkon në adresën e gabuar, pra jo tek më të varfrit.


Mjaft akute është gjendja pas shpërthimit të krizës financiare ndërkombëtare. Në rast e se ajo e godet rëndë Gjermaninë, atëherë hendeku mes të varfërve dhe të pasurve do të thellohet edhe më tej.


Markus Grabka nga OECD: "Sigurisht që në një gjendje të pafavorshme konjukturore rritet papunësia dhe me këtë edhe varfëria në të ardhura. Madje kjo sjell automatikisht shtim të pabarazisë. Kjo do të thotë: aty nga mesi i vitit 2009 pritet prapë rritje e varfërisë dhe e pabarazisë në Gjermani.


Dhe fakti që si pasojë e krizës edhe të ardhurat larta të menaxherëve do të bien, nuk është ndonjë ngushëllim i madh.