1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë se politikë evropiane e fqinjësisë

Ernst Meinhardt7 Shtator 2006

Ministri i jashtëm moldav thekson në Berlin vullnetin për anëtarësimin e vendit të tij në BE. Ky qëndrim u kundërshtua sjellshëm por me vendosmëri prej ministrit të shtetit Gernot Erler. Qeveria gjermane tha ai, përshëndet përpjekjet moldave për anëtarësim në BE, por kjo nuk shtrohet aktualisht për diskutim

https://p.dw.com/p/ArAD
Stema dhe flamuri në ndërtesën e qeverisë së Moldavisë
Stema dhe flamuri në ndërtesën e qeverisë së MoldavisëFotografi: DW

"Paraqisni shqetësimet tuaja. Nuk na duhen ceremonitë. Kështu nuk mbarojmë punë." Me këto fjalë e hapi Rita Süßmuth, presidentja e shoqatës gjermane për studime mbi Evropën Lindore dhe ish-kryetare e parlamentit gjerman, konferencën të mërkurën në Berlin, në qendër të së cilës ishte Republika e Moldavisë - në vitin e 15-të të fitimit të pavarësisë së vet shtetërore. Pjesëmarrësit e konferencës, organzuese të së cilës ishin edhe shoqata e Evropës Juglindore dhe ambasada e Republikës së Moldavisë, e morën seriozisht kërkesën e Rita Süßmuth-it.

Dallimet nuk mund të ishin shfaqur në mënyrë më të dukshme. Nga njëra anë ishte ministri i jashtëm i Moldavisë Andrei Stratan, i cili bëri të qartë se vendi i tij do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Madje pa kufizime.

"Nuk kemi përmendur asnjëherë ndonjë datë apo vit për pranimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian. E dimë se ç'ka ndodhur në Francë dhe Holandë pas zgjerimit të fundit të BE-së me dhjetë vende, ku u refuzua kushtetuta evropiane. Megjithatë procesi i afrimit të shteteve që synojnë të bëhen politikisht shtete evropiane nuk u ndal. Shembuj për këtë janë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, të cilat sipas vendimeve të BE-së u lejuan të marrin pjesë në procesin e negociimit dhe asociimit. Këtë dëshiron edhe Repubika e Moldavisë. Ajo shtrihet gjeografikisht në kontinentin evropian dhe nga pikëpamja historike është vend evropian."

Ky qëndrim u kundërshtua sjellshëm por me vendosmëri prej ministrit të shtetit në ministrinë e jashtme gjermane, Gernot Erler. Qeveria gjermane, tha Erler, i përshëndet përpjekjet moldave për anëtarësim në BE, por kjo nuk shtrohet për diskutim hë për hë, sepse zgjerimi përtej Rumanisë dhe Bullgarisë pamundësohet nga problemet kushtetuese dhe nga klima e ndryshuar në BE. Për këtë arsye Gjermania së bashku me shtete të tjera të BE-së ka formuluar ofertën e "Politikës Evropiane të Fqinjësisë".

Unë e kuptoj pakënaqësinë e ministrit të jashtëm moldav, tha Erler:"Askush nuk pret që një vend të thotë: Kaq na mjafton. Por aktualisht nuk ka realitet tjetër për procesin evropian të integrimit, aq më shumë për vendet, të cilave u drejtohet politika evropiane e fqinjësisë, ku hyjnë edhe Ukraina dhe republikat e kaukazojugore: Gjeorgjia, Armenia dhe Azerbajxhani. Detyra jonë është ta bëjmë sa më tërheqëse këtë politikë, që vendet pertnere të përfitojnë. Për këtë ka shanse të mira."

Politika evropiane e fqinjësisë është një program me të cilin Bashkimi Evropian ndjek synimin e krijimit të një "qarku shtetesh të qëndrueshme miqësore" përreth vetes. Këtyre vendeve, që nuk do tu jepet perspektivë anëtarësimi, do tu ofrohen një lidhje më e ngushtë me BE-në dhe shtysa për modernizimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë. Pra BE-ja u ofron fqinjëve një lloj partneriteti të privilegjuar. Kjo është shumë pak për ministrin e jashtëm moldav Stratan.

Mos i mbetet Moldavisë vetëm rruga nga dera e pasme, do të thotë bashkimi me Rumaninë? Këtë ide ministri i shtetit Erler e kundërshtoi qartë.