1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë transparencë në ushtrimin e detyrës

Marcel Fyrstenau6 Janar 2006

Në Gjermani qysh nga 1 janari 2006 ka hyrë në fuqi ligji i lirisë së informacionit. Ky ligj, u mundëson të gjithë shtetasve aksesin në informacionet zyrtare. Rregulla të tillë ekzistojnë prej kohësh në të gjitha vendet e tjera të BE-së. Vetëm Luksemburgu ende s´ka një ligj të tillë.

https://p.dw.com/p/Ar1m
Fotografi: dpa

Kushdo që në të shkuarën kërkonte informacion nga autoritetet gjermane përshembull lidhur me sigurinë e shoqërive ajrore, apo rrezikun e rezatimit në zonat përreth centraleve bërthamore, merrte si përgjigje: sekret zyrtar ose i ndërmarrjes. Këtej e tutje kjo do t´i përkasë së shkuarës. Me ndihmën e ligjit të ri për lirinë e informacionit, zyrat dhe autoritetet duhet t´i japin informacion kujdto që parashtron kërkesë për këtë. Ai që parashtron kërkesën nuk ka nevojë që të japë argumenta përse e kërkon informacionin. Nga ana tjetër autoritetet apo ndërmarrjet janë të detyruara të argumentojnë përse nuk duan të japin informacion.

Ky është një hap cilësor përpara, thotë i ngarkuari në Berlin për mbrojtjen e të dhënave dhe lirinë e informacionit, Aleksandër Diks. Raporti i informacionit mes qytetarit dhe shtetit kthehet kështu përmbys. Qytetari nuk është më ai që kërkon diçka, por ai e ka me ligj të drejtën ta pretendojë informacionin që do. Kryeqyteti Berlin, që është njëkohësisht edhe land më vete, ka luajtur një rol paraprijës në këtë drejtim.

Në Berlin ky ligj ekziston qysh në vitin 1999. Për herë të parë ligji hyri në fuqi filimisht në landin e Brandenburgut, ku Aleksandër Diks punonte përpara se të kalonte në Berlin. Juristi pra ka një përvojë disa vjeçare me ligjin që tani sapo u pagëzua edhe në nivel federate: "Veprimi konkreti i ligjit do të jetë në komuna apo në lagje. Aty ku qytetari do të dijë, se ç´po ndodh në vendbanimin e tij. Kemi të bëjmë me pyetje mëse praktike, përshembull përse në rrugën e shkollës, ku shkon fëmija im, ende nuk është instaluar semafori? Qytetari do të dijë për atë që e konsideron të domosdoshme. Një rast tjetër, një nënë donte të dinte, nëse ka mangësi në një shkollë që sapo ish ndërtuar. Këto janë interesa mëse legjitime, që duhen përmbushur."

Por ka kufij, që janë të rregulluar në ligjin e lirisë së informacionit. Përshembull askush nuk mund të pretendojë të ketë akses në informacionet ushtarake nga sektorët delikatë të ushtrisë, apo nga autoritetet mbikqyrëse që kanë të bëjnë me sigurinë, konkurrencën dhe financat. Këto janë vetëm dy shembuj nga lista e gjatë e përjashtimeve në ligj, prej të cilave sipas rastit ndërmarrje apo entet e ndrysshme mund përfitojnë për të fshehur informacionin, mendojnë kritikët.

Por pavarësisht nga kufizimet, sipas bashkëpunëtorit të "Transpyrency International", Dieter Hysgen parashikohet që ky ligj do të jetë i sukseshëm. Ai përmend rastin e shportave të ndihmës për njerëzit që jetojnë me asistencë sociale: "Ata marrin ushqime, pije, veshje dhe kozmetikë, madje edhe ndonjë libër për kulturë. Kjo shportë mallrash ndihme përfshin gjërat e domosdoshme vetëm për një jetesë në minimum. Ne e dimë që edhe të tjera organizata ndihme në Gjermani veprojnë kështu. Ndaj shpresojmë që me ligjin e ri do të marrim informacion për verfikimin e ndihmës, nëse ajo vërtetë është e mjaftueshme për të jetuar."

E pra nëse vërtetohen dyshime të tilla, kjo mund t´i kushtojë shtrenjtë shtetit që paguan asistencën sociale. Zyrat përkatëse do të jenë të detyruara të japin informacionin e kërkuar.

Por edhe ndërmarrjet do ta ndjejnë efektin e këtij ligji. Duke llogaritur me pyetjet e gazetarëve kurjozë ose të qytetarëve të shqetësuar, shoqatat ekonomike janë përpjekur ta pengojnë ligjin për lirinë e informacionit. Si rrjedhojë në ligj janë vendosur edhe klauzola që nuk përmbushin të gjitha kërkesat e parashtruara nga organizatat e antikorrupsionit.

Por sidoqoftë, këtej e tutje ligji do të jetë në fuqi në nivel federate dhe ky është një sukses, vë në dukje i ngarkuri për mbrojtjen e të dhënave në Berlin, Aleksandër Diks: "Unë s´kam asnjë iluzion, jo çdo përpjekje për ryshfet do të mund të dokumentohet. Por nëse secili ka parasysh që edhe qytetari i thjeshtë këtej e tutje ka akses në dosjet e autoriteve apo ndërmarrjeve, atëherë një dukuri e tillë së paku do të minimizohet."