1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

071209 Lehrerin Essen

19 Korrik 2010

Ute Weber është mësuese në gjimnazin femëror Essen-Borbeck. Puna në shkollë s'mä bëhet kurrë monotone, sepse përpiqem që materialet mësimore t'i freskoj vazhdimisht, sqaron ajo.

https://p.dw.com/p/MH9b

Ute Weber është grua familjare me këmbë në tokë, por edhe spontane dhe kurioze. Edhe pse asaj i pëlqen profesioni i mësuesit, pas 30 vjetësh në këtë profesion do t'i pëlqente të bënte edhe ndonjë gjë tjetër.

"Kam sjellë diçka të re me vete dhe të shohim si do të reagojnë nxënësit"

Fjala është për provimin përfundimtar në lëndën e gjeografisë. Zonja Weber ka 30 vjet që punon si mësuese në gjimnazin femëror Essen-Borbeck. "Nga kjo shkollë s'do të largohet askush, sepse është një shkollë e mirë."

Ajo jep gjeografi dhe anglisht. Kur del në mëngjes nga shtëpia, që e ka blerë bashkë me të shoqin Bernd para 25 vjetësh ajo mendon, "…se është ende e lodhur, se mësimi fillon shumë herët dhe se ajo do të kishte qejf sikur të fillonte pak më vonë."

57-vjeçarja thotë se është relativisht spontane. Asaj i pëlqen të mësojë vazhdimisht gjëra të reja, prandaj edhe e pasuron vazhdimisht orën e mësimit. Pikërisht kjo gjë e bën që lënda të mos i mërzitet asnjëherë. "Ajo që nuk më pëlqen shumë është, kur duhet të korrigjoj detyrat apo provimet. Përgatitjen për mësimin e bëj me qejf, sepse janë edhe vetë tip kurreshtar."

Sot Ute Weber ka gjashtë orë mësim. Ndërmjet pushimeve nuk ka kohë as të marrë frymë. Jeta dhe profesioni i mësuesit nuk janë të rehatshme. "Mësuese u bëra, sepse babai mendonte se s'është profesion i keq. Ai ishte vetë nëpunës civil, por punonte në zyrën e taksave. Unë vetë nuk desha punë zyre. Se ç'do të thotë të jesh mësues, këtë gjë e mora vesh gjatë viteve."

Bashkëshorti i Ute Weber, Bernd Weber, është gjithashtu mësues gjimnazi. Edhe pse kemi qenë në të njëjtin universitet dhe kemi studjuar të njëjat lëndë, për t'u njohur u njohëm kur ishim një herë për pushime për ski, tregon Ute.

Ute Weber angazhohet edhe në një projekt jashtëshkollor. Fjala është për një projekt të Institutit për Ekonominë Gjermane. Nxënësit dhe nxënëset që marrin pjesë në këtë projekt themelojnë një ndërmarrje dhe mësojnë gjatë vitit se si drejtohet një ndërmarrje private. Për angazhimin e saj ajo ka marrë edhe një dekoratë nga Ministria e Arsimit.

Edhe pse Ute Weber e do profesionin ajo ka qejf që pas tri dekadash në këtë profesion të bëjë një gjë tjetër:

"P.sh. do të desha të organizoja një shtëpi të përbashkët për të moshuar. Kur të plakem nuk dua të përfundoj në ndonjë azil pleqsh, por do të më pëlqente që së bashku me miq, shokë e të njohur të jetojmë bashkarisht në një shtëpi, të bëjmë gjëra bashkarisht dhe të mos jemi vetëm."

Ute Weber nuk është e vetmuar. Ajo ka dy vajza të rritura. Njëra prej tyre banon në afërsi, tjetra në një hyrje më vete, katin e parë të shtëpisë së prindërve.

Vajzat bëjnë jetën e tyre dhe një herë për një herë Ute Weber nuk ka nipër e mbesa për t'u kujdesur. Për këtë në kohën e lirë ajo mëson spanjisht, apo portugalisht - dhe ndoshta do të rifreskojë edhe rusishten që ka mësues dikur në shkollë. Ajo që i pëlqen më tepër është të udhëtojë dhe ndoshta të zbulojë vende që deri tani i njeh vetëm prej lëndës së gjeografisë.

Autor: Viacheslav Yurin / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama