1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maaßen: Skena terroriste është forcuar

Kay-Alexander Scholz
23 Shkurt 2017

Shefi i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani, Hans-Georg Maaßen skicon tablo të errët në Kongresin Evropian të Policisë. Jo vetëm shtimi i rrezikut të terrorit në Gjermani është shkak për shqetësim.

https://p.dw.com/p/2Y6Ti
20. Europäischer Polizeikongress
Fotografi: picture alliance/dpa/M.Skolimowska

"Pranvera Arabe" është kthyer në një "Kohë akulli arabe". Një milion, para së gjithash të rinj me origjinë arabe, 70 deri 80% e tyre pa pasaportë, kanë ardhur me valën e refugjatëve në Gjermani. Qeveria Trump është ende një pikëpyetje e madhe në politikën e jashtme. Në marrëdhëniet me Rusinë, Gjermania po përjeton me ritëm të përshpejtuar një kthim pas të shndërrimit të dikurshëm nga armik në partner dhe mik. Kësaj i shtohen partitë populiste, të cilat "e urrejnë politikën evropiane". Pamja që skicoi Hans-Georg Maaßen, Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës ditën e dytë të Kongresit Evropian të Policisë në Berlin është mjaft e zymtë. Ai foli për një proces transformimi, në të cilin konstantet e dikurshme, si marrëdhënia transatlantike, janë kthyer në variable, të ndryshueshme. "Në fund të procesit do të ketë konstante të reja dhe një strukturë të re pushteti", tha Maaßen.

Këto  të gjitha janë kushtet kuadër të bëra më komplekse, në të cilat mbrojtja kushtetuese duhet të kryejë luftën e saj kundër terrorizmit. Kjo në një kohë kur luftimi i terrorizmit është mjaft kompleks, sepse edhe atje kanë ndryshuar shumë gjëra.

Evropa Perëndimore në fokus

Në fazën pas vitit 2001 qe përballja me njësitë komando terroriste për shembull nga Afganistani. Kurse tani janë para së gjithash doras të veçuar ose grupe të vogla, që ushtrojnë atentate, u shpreh Maaßen. Prej 15 atentateve në Evropë në vitin 2016, vetëm tri u kryen prej njësive komando. E re është edhe që shumë doras kanë përvojë aktive në milicinë terroriste "Shteti Islamik" - dhe prandaj ndërkohë janë në gjendje "t'i përdorin kallashnikovët në mënyrë më profesioniste se shumë policë mbrojtës."

Skena islamiste-terroriste në përgjithësi është forcuar shumë. "Ndërkohë ne numërojmë 1600 vetë në potencialin islamist-terrorist", shprehet Maaßen. Rreth fundit të vitit 2016 kjo shifër ishte te 1200 vetë. Si "rrezikues" islamikë - prej të cilëve mund të pritet një atentat - Zyra Federale e Policisë Kriminale konsideron së fundi rreth 570 vetë.

Komunitete digjitale xhamish

Në hapësirën kibernetike është krijuar një botë paralele e vështirë për t'u kontrolluar - Maaßen foli për "komunitete islamike xhamish" në internet. Atentatorët nxiten përmes WhatsApp prej IS. Çdo ditë, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës merr dy, nganjëherë edhe katër sinjalizime për atentate të planifikuara. Përmes linjës direkte telefonike te Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës, në vitin 2016 mbërritën 1104 sinjalizime, dyfishi i numrit të një viti më parë dhe dhjetë herë më shumë se në vitin 2013.

Arkitektura e sigurisë nën presion

Maaßen e përmblodhi kështu raportin për gjendjen: "Ne jetojmë në një situatë të caktuar dhe jo më në një gjendje normale". Prandaj Gjermanisë i nevojiten burime të zhdërvjellta dhe të përshtatura. Arkitektura ekzistuese e sigurisë është e viteve 1950 dhe në një situatë normale ka rezultuar e suksesshme. Por tani ajo i është nënshtruar një testi të përditshëm. Në këtë sfond, Maaßen u shpreh që propozimet e ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, Thomas de Maiziere për një arkitekturë sigurie të ndryshuar të pranohen dhe të debatohen.

Në fund të fjalës së tij, Maaßen u dha me vete pak optimizëm pjesëmarrësve të Kongresit të Policisë: "Ne mund ta vëmë në kontroll gjendjen", tha ai.