1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Makth i terrorizmit në Greqi: bomba me postë

2 Nëntor 2010

I gjithë spektri politik i dënoi si akte terroriste, kurse zëdhenësi i qeverisë hodhi poshtë çdo insinuatë, që flet për "komplot qeveritar", me qëllim manipulimin e elektoratit në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor

https://p.dw.com/p/PweN
Policia në Athinë asgjesoi disa paketa-bomba, 2 nëntor 2010.
Policia në Athinë asgjesoi disa paketa-bomba, 2 nëntor 2010.Fotografi: AP

Historia e bombave të paketuara vazhdon sot për të dytën ditë me radhë në qendër të Athinës, ku evidentohen paketa të reja të dyshimta, që u dërgohen ambasadave të huaja. Sinjali i parë i alarmit u dha sot në mesditë në ambasadën bullgare, ku mbërritën menjëherë ekspertët dhe bënë shpërthim të kontrolluar të paketës. Në të njejtën zonë, në Psihiko, policia asgjësoi një paketë tjetër të dërguar në ambasadën ruse. Paketa-bombë, që destinohej për ambasadën kiliane, që u konsiderua e dyshimtë, u asgjësua para parlamentit, ku u dërgua për ekzaminim. I njëjti skenar u përsërit edhe në ambasadën zvicerane, ku nëpunësja hodhi paketën nga dritarja pa shkaktuar viktima, kurse paketa e dërguar për në ambasadën gjermane u kthye mbrapsht në zyrën postare, ku u bë edhe asgjësimi i saj. Investigim bëhet në këto momente në ambasadën e Panamasë në zonën e Pireut, ku u dërgua gjithashtu paketë e dyshimtë.

Policë para parlamentit grek pas një shpërthimi të kontrolluar, 2 nëntor 2010.
Policë para parlamentit grek pas një shpërthimi të kontrolluar, 2 nëntor 2010.Fotografi: AP

Paketat e sotme të bombave të paketuara pasojnë katër paketat e së henës një prej të cilave drejtohej kundër presidentit francez, Nicolas Sarkozy. Dy paketa u ishin dërguar ambasadave belge dhe hollandeze, kurse paketa, që i drejtohej ambadadës meksikane, i shpërtheu një nënpunësi në dorë, duke i shkaktuar lëndime të lehta. Sipas policisë paketat e evidentuara sot ishin dërguar dje, kurse metodologjia e prodhimit të tyre është e ngjashme me ato të përdorura më parë në sulmet e grupeve terroriste të viteve të fundit.

Policia arrestoi dy të rinj

Një 22 vjeçar, që mendohet se ka lidhje me grupin terrorist "celulat e Zjarrit" dhe një tjetër, që lidhet me grupet autonome të Athinës. Arrestimi i tyre u bë në kohën, që dorëzonin dy paketa në zyrat postare ECS dhe SWIFT MAIL, në distriktin e Pangratit, afër qendrës së Athinës.

Një prej paketave drejtohej kundër presidentit francez, Nicolas Sarkozy
Një prej paketave drejtohej kundër presidentit francez, Nicolas SarkozyFotografi: AP

Dërgimi i bombave të paketuara u dënua njëzëri nga gjithë spektri politik si akte terroriste. "Akte mjerante, të papranueshme, të dënueshme nga të gjithë, nga i gjithë populli grek dhe theksoj se demokracia nuk terrorizohet", deklaroi kryetari i parlamentit grek, Filipos Pecalnikos. Zëdhënësi i qeverisë nga ana e tij fshikulloi çdo insinuatë për "komplot" qeveritar, me qëllim manipulimin e elektoratit në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor të së dielës së ardhshme. "Është e njohur se disa u drejtohen teorive të komplotit, për të vërtetuar pikëpamjet e tyre", deklaroi zëdhenësi i qeverisë. Kreu i partisë nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor, Jorgos Karaxhaferis, tha se "tej çdo dyshimi disa ndërhyjnë nëpërmjet terroristëve për të destabilizuar dhe çkoordinuar përpjekjen e vendit" për të dalë nga kriza. Për të Majtën Demokratike vendi i zhytur në krizë të thellë ekonomike dhe sociale "nuk mund t'u rezistojë goditjeve të reja nga të ashtuquajturit militantë popullorë" .

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica