1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Manovra antiterror bashkë me ushtrinë

Nina Werkhäuser1 Shtator 2016

Ushtria gjermane, Bundeswehri dhe policia do të mbajnë në shkurt 2017 manovra të përbashkëta. Në këtë kuadër do të ushtrohet përballimi i atentateve terroriste. Sindikata e policisë i kritikoi ashpër planet.

https://p.dw.com/p/1JtIl
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Plani kohor është hartuar e edhe skenari i manovrave: më e vonta në shkurt të vitit 2017 Bundeswehri dhe policia do të ndërmarrin manovra të përbashkëta, për të ushtruar përballimin e një atentati të rëndë terrorist në Gjermani. Ose edhe të disa atentateve në vende të ndryshme, të cilat mund të çojnë për ditë të tëra në një gjendje terrori.

Për këtë ranë dakord në Berlin ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maizière (CDU) dhe ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU) në një takim me ministrat e Brendshëm të landeve gjermane të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Mecklenburg-Parapomeranisë dhe të Landit të Zarës.

Bundeswehr Vorführung Häuserkampf Panzergrenadierbrigade 41
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Sauer

Në manovrën e parë do të marrin pjesë gjithsej katër lande. Edhe lande të tjera kanë shprehur interes për pjesëmarrje, deklaroi ministri i Brendshëm i landit të Zarës Klaus Bouillon (CDU). Këto lande do të marrin status vëzhguesi në këtë manovër.

Ndihmë administrative në rast emergjent

Për përballimin e situatave të terrorit, në bazë të kushtetutës gjermane përgjegjëse është policia. "Gjendja kushtetuese është e qartë", theksoi Ministri i Brendshëm, de Maiziere. Por kur një gjendje e tillë është e komplikuar ose zgjat, atëherë lejohet "ndiha administrative" nga Bundeswehri. Komandën e mban gjithmonë policia.

Deutschland Bundeswehr Grundausbildung
Fotografi: picture-alliance/dpa/F. May

"Policia vendos për llojin e ndihmës për të cilën ka nevojë. Kjo është shumë e rëndësishme për mua", tha ministrja e Mbrojtjes von der Leyen, e cila pas atentateve të fundit terroriste në Gjermani dhe në Francë nguli disa herë këmbë për manovra të përbashkëta me policinë. "Kjo është punë e mençur parandaluese për një situatë pak të mundshme, por të përfytyrueshme", theksoi De Maiziere. Ai e përfytyron që ushtria gjermane të vërë në dispozicion në një situatë terrori kapacitete për transport ose për zbulim.

Deutschland Soldaten der Bundeswehr
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Sauer

Kushtetuta cakton kufij të ngushtë

Nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese angazhimi i Bundeswehrit brenda Gjermanisë është i mundur vetëm në kufij të ngushtë. Bundeswehri ka ndihmuar deri tani brenda vendit vetëm në raste katastrofash natyrore. Në rastet e përmbytjeve në lumenjtë Elbë dhe Oder ushtarët ndërtuan diga dhe ndihmuan për evakuime.

BdT Deutschland Kriegswaffen in Heikendorf Schleswig-Holstein
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Rehder

Kjo e ashtuquajtura "ndihmë administrative dhe për katastrofat" është fiksuar në Nenin 35 të Kushtetutës gjermane. Sipas këtij neni, një land federal ose qeveria gjermane mund t'i kërkojë për mbështetje forcat e armatosura, në rastin e një katastrofe natyrore ose në një "rast fatkeqësie veçanërisht të rëndë". Pra edhe pas një atentati të rëndë terrorist.

Të dish ku të telefonosh

Përballë atentateve më të fundit në Gjermani dhe në vendin fqinjë Francë skenari i një rasti terrorist po diskutohet më shumë. "Në rast nevoje duhet të funksionojnë rrjetet e dhënies së alarmit", pati theksuar herë pas herë javët e fundit ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Në provat e para doli në pah se institucionet kompetente as nuk e dinë ku të kërkojnë ndihmë në rast emergjence.

Bildgalerie Kriegswaffen in Heikendorf Kampfpanzer
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Rehder

Në një kohë që partitë unioniste CDU/CSU e konsiderojnë joproblematik angazhimin e Bundeswehrit brenda vendit në Gjermani, partneri i koalicionit, SPD bëri thirrje që të mos zgjerohen përcaktimet e kushtetutës. Kurse kryetari federal i Sindikatës së Policisë, Oliver Malchow tha se ky debat mbulon vetëm problemet e mungesës së personelit tek policia. Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të Partisë e Majta, Jan Korte tha se në një "shoqëri të lirë dhe demokratike ushtarët e armatosur nuk kanë të drejtë t'i thonë asgjë një civili.