1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni:211 vite burg për të akuzuarit e rastit "27 prilli"

16 Mars 2019

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me gjithsej 211 vjet burg 16 të akuzuarit për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit 2018.

https://p.dw.com/p/3FBBp
Mazedonien, Skopje: Parlamentssitzung über Verfassungsänderung
Fotografi: Regierung Mazedonien

16 të akuzuarit për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit 2018 kanë marrë dënime gjithsej 211 vite burg. Të dënuarit janë shpallur fajtor për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Bëhet fjalë për vepra të harmonizuara që janë kryer në koordinim me struktura të caktuara duke filluar që nga mobilizimi i anëtarësisë, të shumë shoqatave të cilët ishin furnizuar me maska dhe mjete të tjera me synimin për të hyrë me dhunë në Kuvend. Në mesin të dënuarve është edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov. "Gjykata ka sjellë vendimin duke i shpallur fajtor të akuzuarit për ngjarjen e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Mitko Çavkov dënohet 18 vjet, me nga 15 vjet burg dënohen Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski, Jane Çento, Mumin Pepiq, Nikolla Mitrevski dhe Vllatko Trajkovski. Viljan Mihajllovski është dënuar me 14 vjet burg. Oliver Popovski me 13 vjet ndërsa me nga 12 vjet Mlladen Dodevski, Gorançe Angellovski , Igor Jug dhe Oliver Radullov me 10 vjet, Aleksandar Vasilevski-Ninxha me 8 vjet dhe Abdylfeta Alimi me 7 vjet burg”, ka deklaruar kryetarja e gjykatës, Dobrilla Kacarska.

Erstürmung des Parlaments in Mazedonien
Dhuna në parlamentFotografi: picture-alliance/dpa/B. Grdanoski

Nga gjithë të akuzurit vetëm Igor Durllovski ish-drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit është shpallur i pafajshëm. Për aktet e dhunshme në Kuvend janë amnistuar paraprakisht disa persona përfshirë këtu edhe disa deputetë të VMRO DPMNE-së përmes ligjit për amnisti që është kritikuar nga opinioni i gjerë për shkak të dyshimeve se bëhet fjalë për pazar mes pushtetit aktual dhe këtyre deputetëve për të siguruar votën e tyre për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Për VMRO-DPMNE-në procesi gjyqësor është politik

Pas aktvendimit të Gjykatës Penale për të akuzuarit e rastit "27 Prilli”, ka reaguar partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Sipas kësaj partie u dëshmua se në Maqedoni ka sistem gjyqësor të ndikuar nga pushteti pikërisht në prag të zgjedhjeve presidenciale. "Ne jemi shtet, në të cilin vrasësit e të miturve lihen të lirë kurse personat nga rasti i '27 Prillit' akuzohen për terrorist. Ky aktvendim është i porositur dhe i ditur paraprakisht”, u shpreh Igor Janushev, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar për arsyen e vetme se në mesin e 16 të dënuarve është edhe Abdylfeta Alimi. Sipas tyre, kjo paraqet tendencë për të amortizuar dënimet e tjera të grupit të organizuar paraprakisht duke projektuar dhe realizuar goditjen mbi Kuvendin.

"Është e palogjikshme që Abdylfeta Alimi të ngarkohet me lëndën terrorizëm dhe i njëjti të nivelizohet me grupin që dhunuan Kuvendin dhe deputetët. Abdylfeta Alimi në këtë proces gjyqësor po trajtohet si viktimë, me të cilët po mundohet të ruhet "balanca” etnike ndaj të dënuarve”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët. Dhuna në Kuvend me 27 prill ka ndodhur në momentin, kur opozita e cila kishte siguruar shumicën kishte nisur procedurën për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.