1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: LSDM largohet nga parlamenti

29 Janar 2011

Partia më e madhe opozitare Lidhja Social Demokrate (LSDM) ka braktisur të premten Parlamentin për një afat të pacaktuar duke drejtuar akuza ndaj maxhorancës. Përfaqësuesit e SHBA dhe BE kanë shprehur shqetësim.

https://p.dw.com/p/1079n
Parlamenti, ShkupFotografi: Petar Stojanovski

LSDM, partia më e madhe maqedonase në opozitë nuk do të marrë pjesë më në punimet e parlamentit të Maqedonisë. Kështu deklaroi në një konferencë shtypi të mbajtur të premten, kryetari i saj Branko Cërvenkovski. Ai më tej ka theksuar se shteti nën qeverinë e Nikolla Gruevskit, nuk është as i lirë e as demokratik. “Unë personalisht asnjëherë nuk kam mbështetur bojkotimin e institucioneve. Çdoherë kam besuar në një demokraci parlamentare dhe kjo nuk është mënyra më e mirë e zhvillimit të betejës politike. Por, Maqedonia me këtë pushtet qëmoti nuk ka demokraci. Ja ka e ka Gruevski parlamentin që ka dashur gjithmonë – pa opozitë”, ka deklaruar Cërvenkovski.

Shkaku kryesor për këtë vendim, siç ka pohuar ai është, se qëllimi i këtij pushteti është që vazhdimisht të krijojë ndarje, konfrontime të ndërsjellta, tensione dhe përplasje në shoqërinë maqedonase. Deputetëve të LSDM-së në bojkotimin e Kuvendit iu bashkangjitën edhe kolegët e tyre të PRSD-së.

Macedonian President Branko Crvenkovski
Branko CrvenkovskiFotografi: AP

Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker me këtë rast u shpreh se, përpos gjyqësisë dhe mediumeve që ballafaqohen me shumë probleme, me bojkotin e LSDM-së, rrezikohet edhe funksionimi normal i Parlamentit të Maqedonisë. “Lirisht mund të them se, mediumet e pavarura dhe gjyqësori, të cilat janë dy komponentët kryesore të demokracisë po ballafaqohen me shumë probleme. Por sot kuptova se edhe Parlamenti, si organ ligjdhënëse, po ballafaqohet me probleme. Institucionet dhe demokracia në Maqedoni duhet të merren me këtë çështje për të rregulluar këtë”, deklaroi Riker, pas takimit të premten me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Duke komentuar, rastin e burgosjes së pronarit të televizionit A1, Ambasadori amerikan tha se, është me rëndësi që kriminelët të ndiqen, krimi të sanksionohet, gjyqësori të bëjë punën e vet, ndërsa mediumet të mos mbyllen dhe të funksionojnë. Ndërkohë, delegacioni i BE-së në Shkup, deklaroi se e dënon çdo lloj bojkoti të Parlamentit.

Autor: Qerimane Bekteshi

Redaktoi: Aida Cama