1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Prokuroria Speciale godet krimin zgjedhor

Fatos Musliu15 Shkurt 2016

Prokuroria Speciale në Maqedoni në kuadër të aksionit të emërtuar “Titanik” ka hapur dhjetra procedura hetimore për veprën penale mashtrim zgjedhor.

https://p.dw.com/p/1Hvi4
Mazedonien Anklage der Sonderstaatsanwältin Katica Janeva
Fotografi: DW/P. Stojanovski

“Prokuroria Speciale ka hapur procedurë hetimore për vepra penale që kanë të bëjnë me shkeljet gjatë procesit zgjedhor, shkeljet gjatë votimit, pastaj shkeljet e lirive dhe të drejtave të njeriut, sigurinë e përgjithshme dhe atë të pronës, si dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka theksuar Prokuroja Speciale, Katica Janeva. Me të njëjtën vepër ngarkohet edhe kryetari aktual i Bashkësisë së Pushtetit në Shqipëri, lidhur me organizimin dhe ndarjen letërnjoftimeve dhe votimit të maqedonasve të atjeshëm në zgjedhjet në Maqedoni.

Gjykata penale refuzon kërkesat për paraburgim

Gjykata Penale e Shkupit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për ndalimin e tetë ish-zyrtarëve të lartë, të dyshuar për përfshirje në falsifikimin e zgjedhjeve në vitin 2013, por edhe për vepra tjera të dënueshme, sipas Kodit Penal të Maqedonisë. Gjykatësja ka vendosur se ata do të mbrohen në liri gjatë hetimit dhe nuk deshi të prononcohet për atë se përse janë refuzuar kërkesat.

“Shkaqet për këtë vendim janë theksuar në arsyetimin me të cilin afati i lejuar për ankesë është 24 orë dhe se përderisa vendimet nuk janë të plotfuqishme nuk mund të komentohen në mënyrë plotësuese”, ka deklaruar Paula Bozhinovska, zëdhënëse e Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Prokuroria Speciale ka shpreh indinjat lidhur me vendimin e Gjykatës penale.

“Gjykata Penale ka lëshuar shansin që të hyjë në historinë e Maqedonisë. Vendimet do të ankimohen“, thuhet në njoftimin e shkurtër të Prokurorisë Speciale që drejtohet nga Katica Janeva.

Reagime pro dhe kundër Prokurorisë speciale

Partia maqedonase në pushtet VMRO DPMNE ka akuzuar Prokurorinë Speciale për standarde të dyfishta. “Gjatë periudhës së kaluar ishim dëshmitarë të deklaratave të pamatura nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, që i paralajmëronte hapat e Prokurorisë Speciale publike. Me këtë, në mënyrë drastike është shkelur kredibiliteti i institucionit duke i hedhur hije profesionalizmit dhe paanshmërisë së saj”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së

Opozita maqedonase ka dalë pro vendimit të prokurorisë speciale: “Prokuroria Speciale Publike punon në përputhje me ligjet e Maqedonisë. Ajo është formuar si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës. Qytetarët presin që të kthehet besimi në sistemin gjyqësor në Maqedoni. Secili që i ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet në Maqedoni, duhet doemos të mbajë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, gjithashtu i kanë dhënë mbështetje Prokurorisë Speciale, por duke kërkuar që të punojë në përputhje të plotë më ligjet në fuqi. “BDI-ja e përkrah punën e Prokurorisë Speciale, duke e inkurajuar që të punojë në bazë të ligjeve. Gjithashtu, BDI u bën thirrje gjitha subjekteve politike, qoftë shqiptare apo maqedonase që të mos e keqpërdorin punën e Prokurorisë Speciale për politika ditore. Ne do të mbështesim çdo rast që është i bazuar në fakte”.

Ambasada eHBA-së në Shkup, i jep mbështetje të fuqishme punës së prokurores Katica Janeva. “SHBA mbështesin plotësisht zyrën e Prokurorisë Speciale dhe rolin e saj në hetimin dhe procedimin mbi kriminalitetin e dyshuar nga përmbajtjet e përgjimeve të paligjshme. Emërimi i Katica Janevës ishte një element thelbësor i marrëveshjes së Përzhinës dhe u aprovua nga të katër partitë politike."

Analistët: Drejtësia vonon por nuk harron

Profesor Nano Ruzhin thotë se aktakuzat e Prokurorisë Speciale padyshim që do të ndikojë edhe në zhvillimet e ardhshme politike. “Në praktikën e deritanishme në gjyqësorin në Maqedoni, asnjë rast nuk ka filluar pa u përzier politika. Dallimi është në atë që për herë të parë qeveria i kundërvihet Prokurorisë. Kjo do ta përforcojë pozitën e opozitës”, ka thënë Nano Ruzhin.

Analisti Albert Musliu mendon se aksioni i parë i Prokurorisë Speciale rriti besimin e qytetarëve për drejtësi dhe kjo do të ndikojë që ata të shprehin lirisht dhe pa frikë vullnetin e tyre në zgjedhje. “Me hapjen e rastit të parë që e bëri prokurorja, ne mund të presim një proces ligjor, një proces të matur, por proces i cili në fund do të japë rezultate. Këto rezultate do të thyejnë monolpolin e VMRO-DPMNE-së dhe përshtypjen se ata e kontrollojnë gjithë situatën”, vlerëson Albert Musliu, analist politik.

Prokuroria Speciale është themeluar si institucion në bazë të marrëveshjes politike të arritur vitin e kaluar mes katër partive politike dhe me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Kompetencë e kësaj Prokurorie është hetimi bisedave të përgjuara, në bazë të cilave ka indikacione se funksionarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në më shumë afera korruptive dhe keqpërdorim të proceseve zgjedhore.