1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: "Zgjedhjet mund të shtyhen!"

Zoran Jordanovski2 Shkurt 2016

Maqedonia ka perspektivë evropiane. Por kjo varet nga reformat dhe nga përfundimi i krizës së brendshme politike, thotë ministri i shtetit për Evropën Michael Roth.

https://p.dw.com/p/1Ho27
Deutschland Michael Roth Staatsminister
Fotografi: Jänicke Knoll

Deutsche Welle: Maqedonia gjendet maktualisht në një krizë të rëndë politike. Partitë në pushtet kritikohen për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit. Të martën në Shkup mblidhen përfaqësuesit e qeverisë, opozitës dhe aktivistët e shoqërisë civile, për të biseduar për gjendjen. Cili është qëllimi i vizitës suaj në Maqedoni?

Michael Roth: Vizita në Shkup është planifikuar kaherë. Si ministër i shtetit për Evropën unë i vizitoj të gjitha vendet e Ballkanit dhe kontaktoj me përgjegjësit politikë dhe shoqërinë civile. Qëllimi është që të sinjalizohet se këto vende kanë një perspektivë evropiane. Por duhet të plotësojnë kushtet e parashikuara. Sa më me vendosmëri të zbatohen reformat, aq më shpejt do të shkojë edhe procesi i afrimit me Bashkimin Evropian. Kjo është në interesin e këtyre vendeve por edhe në interesin e BE. Stabiliteti, demokracia dhe mirëqenia në tërë rajonin janë qëllimet tona.

A do ta cilësonit gjendjen në Maqedoni si shqetësuese?

Në ish-Republikën Federale Jugosllave të Maqedonisë duhet të zgjidhet sa më parë kriza e rëndë politike. Banorët e këtij vendi e meritojnë këtë. Në radhë të parë janë reformat dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, sipas standardeve evropiane. Nga këto varet edhe afrimi i Maqedonisë me BE. Përpjekjet e palës evropiane do të nënvizohen edhe gjatë kësaj vizite.

Një ekip ekspretësh i diplomatit gjerman Reinhardt Priebe i ka përkufizuar problemet në Maqedoni si: mangësi në shtetin juridik, mangësi të mëdha në pavarësinë e institucioneve, organeve juridike dhe mediave, si dhe mangësi tek ndarja e shtetit dhe partive. Ekspertët thonë se janë dhënë edhe shumë sugjerime. Si po zhvillohen gjërat me zbatimin e këtyre sugjerimeve?

Edhe më parë ka pasur sinjale për mangësi në zbatimin e reformave. Më vjen shumë keq, sepse e di që kjo zhgënjen shumë edhe gjeneratën e re proevropiane. Respektimi i vlerave tona evropiane siguron edhe një të ardhme më të mirë. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vendosur vet që t'i respektojnë këto vlera. Ndaj pres që më në fund të fillojë realizimi i këtyre reformave. Sa i përket mangësive dhe reformave të propozuara nga Komisioni i BE, me të vërtetë është bërë shumë pak. Ndaj aktualisht është shumë e paqartë nëse zgjedhjet e 24 prillit do të zhvillohen sipas standardeve evropiane.

Partitë në pushtet duan patjetër që zgjedhjet të mbahen më 24 prill, pavarësisht shtyrjes së reformave dhe masave të tjera që kanë shkaktuar krizën politike. Opozita pohon se nuk do t'i pranojë zgjedhjet në këto kushte. Sa legjitime janë këto zgjedhje?

Ne e mbështesim pa rezerva ndërmjetësimin evropian. Forcat politike kanë rënë dakord për planin që nënkupton edhe zgjedhjet e reja sipas standardeve evropiane. Tani të gjithë përgjegjësit politikë e kanë për detyrim që ta zbatojnë në tërësi këtë plan. Këto kërkesa vlejnë në veçanti për qeverinë, e cila ka një përgjegjësi të veçantë. Kërkesat tona janë të qarta, që të mbahen zgjedhje të lira dhe korrekte, sipas standardeve evropiane. Nëse Komisioni i BE vlerëson se nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje të tilla në fund të prillit, ato me siguri që do të shtyhen.

Por a mund të ndodhë që BE të bëjë lëshime, për shkak të rëndësisë së Maqedonisë në zgjidhjen e problemit me refugjatët?

Jo, Nuk ka lëshime politike në procesin e afrimit me BE. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do ta ndihmojmë këtë vend në përballjen me valën e refuagjtëve. Me rëndësi është që në këto kohëra të bashkëpunojnë me vendet e Ballkanit për zgjidhjen e kësaj drame. BE dhe Gjermania po e mbështesin konkretisht Maqedoninë. Gjermania ka ndihmuar ndërkohë vendet tranzite - pra Maqedoninë dhe Serbinë - me 2,1 milionë euro dhe ka premtuar 1,3 milionë euro për masat e infrastrukturës. BE-ja ka ndarë 22 milionë euro për këto qëllime dhe ka krijuar një fond prej 46 milionë eurosh. Kjo është mirënjohje për solidaritetin dhe ndjenjën e përgjegjësisë që kanë treguar të gjithë.

Michael Roth është politikan gjerman, që nga dhjetori i vitit 2013 ai është ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme dhe zëvendësminstër për çësthje politike. Pikërëndesa në punën e tij janë Evropa Lindore, Rusia dhe bashkpunimi mes Francës dhe Gjermanisë.