1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia "bëhet" veriore

Boris Georgievski
26 Janar 2019

Parlamenti grek aprovoi paktin historik të emrit me Maqedoninë. Mbas dekadash grindjeje politike të dy vendet ballkanike shpresojnë të kenë marrëdhënie të mira fqinjësie në të ardhmen.

https://p.dw.com/p/3CEN6
Bildergalerie Skopje
Monumenti i Aleksandrit të Madh në Shkup Fotografi: DW/A. Feilcke

Dimri është i ftohtë dhe me borë, më shumë se zakonisht por kjo është e vetmja shenjë që tregon se një vend që ndodhet në thellësi të Europës dhe në Ballkanin jugor u kthye brenda natës në "verior". Disa qenë janë shpërndarë rreth statujës 30 metra të lartë të Aleksandrit të Madh që ndodhet në qendër të Shkupit, kryeqytetit të vendit që tani quhet "Republika e Maqedonisë veriore". Ata janë rojet e vetme të një projekti të krijimit të vonshëm të kombit, një projekti që dështoi si financiarisht ashtu edhe nga pikëpamja estetike. 

Karte Land und Provinz Mazedonien EN

"Statuja monumentale e Aleksandrit të Madh, i cili duhet të forconte artificialisht identitetin etnik të Maqedonisë, kthehet në mes të sheshit qendror të kryeqytetit në një hiç gjigand", thotë politologu maqedonas Gordan Georgiev për Deutsche Wellen. Kur u vendos monumenti, grekët u acaruan shumë dhe e interpretuan atë si një përpjekje të maqedonasve për të përvetësuar trashëgiminë kulturore të Maqedonisë. Kjo nuk nxiti marrëdhëniet e mira fqinjësie.

Tani, 700 km në jug, në Athinë parlamenti grek pranoi sot Marrëveshjen e Prespës duke i dhënë kështu fund një grindjeje 27 vjeçare për emrin. Parlamenti në Shkup e pati bërë këtë më 11 janar, duke aprovuar emërtimin e vendit si "Maqedoni veriore".

Bildergalerie Skopje
Monumenti i Aleksandrit të Madh në Shkup Fotografi: DW/A. Feilcke

Politikë e re ballkanike

Ajo çka deri tani është parë nga bota si grindje e çuditshme dhe e pakuptimtë, duhet të shërbejë si shembull i mirë për një politikë të re ballkanike, të moderuar dhe të orientuar nga e ardhmja.

Republika e Maqedonisë ose ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM), siç quhen nga Greqia, i shton emrit të saj një karakteristikë gjeografike për t'u dalluar nga rajoni greko-verior që ka të njëjtin emër. Marrëveshja historike midis të dy vendeve, në të cilën u rregullua çështja e emrit, u nënshkrua më 17 qershor 2018 në rajonin kufitar të Prespës, nga kryeministrat grek dhe maqedonas Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev.

Nga njëra anë me të duhet të mundësohet që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe të çohen përpara bisedimet e pranimit me BE. Nga ana tjetër zgjidhja e çështjes së emrit duhet të shërbejë si bazë për marrëdhënie të mira fqinjësie në një rajon, zhvillimi i të cilit është penguar shpesh në të kaluarën nga problemet kufitare dhe problemet e identitetit.

"Ky pajtim historik hap rrugën për një partneritet strategjik dhe një bashkëpunim të ngushtë në disa fusha, që janë të interesit të përbashkët," thotë ministri i Jashtëm maqedonas Nikola Dimitrov për Deutsche Wellen, pak pas përfundimit të votimit në Athinë. Ai beson shumë se madje kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës, "do e kuptojnë këtë gradualisht". "Ne jemi aleatë natyrorë me fqinjin tonë grek," thotë Dimitrov.

Westbalkan Gipfel in London Nikola Dimitrov
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikola DimitrovFotografi: Imago/A. Parsons

Kapërcimi i miteve

Në këtë çështje gjestet dhe simbolika janë shumë të rëndësishme. Kështu tek monumenti i Aleksandrit të Madh në Shkup, në të ardhmen do të shkruhet se luftëtari i famshëm është pjesë edhe e trashëgimisë helene dhe jo vetëm e trashëgimisë sllavo- maqedone. Dhe një komision i përbashkët greko- maqedon është duke punuar në sqarimin e një sërë çështjesh historike, arkeologjike dhe pedagogjike, çështje që i ndanë dy kombet në dekadat e fundit.

Puna e tyre ndodhet para sfidave të shumta, jo vetëm për shkak të presionit të nacionalistëve nga të dy anët e kufirit. Protesta masive, nganjëherë të dhunshme, kundër kompromisit zhvillohen rregullisht si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi. Drejtuesit e partive konservatore në opozitë, Nea Demokratia në Greqi dhe VMRO-DPMNE në Maqedoni, nuk e pranojnë marrëveshjen.

"Në të dy vendet janë shtuar rrëfenjat nacionaliste dhe fashiste," thotë shkrimtarja maqedonase Kica Kolbe në një bisedë me Deutsche Wellen. "Nga kjo grindje përfitojnë vetëm politikanët e korruptuar nacionalistë. Kjo është arsyeja pse ata e luftojnë me forcë marrëveshjen. Sepse ajo dobëson propagandën e tyre." Si anëtare e "Komisionit të Përbashkët Interdisiplinor", Kolbe është konfrontuar shpesh me të kaluarën e saj.

Ajo ka lindur më 1951 në një kamp refugjatësh në afërsi të Shkupit, pasi prindërit e saj ishin dëbuar nga Greqia Veriore gjatë luftës civile që zgjati nga 1946 deri 1949. Autorja e ka përjetuar vetë vuajtjen dhe kompleksitetin e konfliktit shumëvjeçar midis dy kombeve. Kjo i forcoi edhe më shumë vullnetin, që të përkrahte pajtimin dhe kompromisin midis Greqisë dhe Maqedonisë.

Kica Kolbe mazedonische Schriftstellerin und Philosophin
Kica Kolbe, shkrimtare dhe filozofe Fotografi: Privat

Pajtim dhe normalizim

"Pajtimi është për grekët dhe maqedonët i rëndësishëm, për të parë se ata nuk e zgjedhin dot fqinjin," thotë Kica Kolbe. "Nëse dy persona janë në grindje një ndërmjetësues mund të ndihmojë. Në këtë rast ndërmjetësuesi është një dokument: Marrëveshja e Prespës. Dhe mesazhi i dokumentit është i qartë: Të dy palët duhet të flasin me njëri tjetrin për çdo gjë, që i ndan."

Me aprovimin e Parlamentit të Athinës nuk ka përfunduar e gjitha. Ditët e ardhshme qeveria maqedonase duhet të informojë Kombet e Bashkuara për ndryshimin e emrit. Dhe parlamenti grek duhet të votojë edhe një herë, kësaj here për protokollin e pranimit në NATO. Me të Maqedonia Veriore duhet ta ketë të mundur të anëtarësohet plotësisht në aleancën politike dhe ushtarake.

Në Maqedoninë Veriore ekziston bindja se ky zhvillim nuk mund të ndalet më. Prandaj në media po fillon të shkruhet gradualisht më shumë për tema të tjera si ndotja e ajrit, ekonomia e dobët, largimi dramatik i mijëra të rinjve dhe i njerëzve të arsimuar. Edhe vetë qentë e shpërndarë rreth monumentit të Aleksandrit të Madh janë kthyer papritur në një temë më të madhe për shtypi se sa dilema e "përjetshme": A ishte kalorësi grek apo maqedonas?