1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia dhe Greqia së shpejti në bisedime për emrin

3 Tetor 2009

Bisedimet midis Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësimin e OKB-së për çështjen e emrit do të rifillojnë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme në Greqi

https://p.dw.com/p/Jwuk
Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i MaqedonisëFotografi: AP

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi që do të mbahen në këtë fundjavë dhe mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kanë riaktualizur çështjen e zgjidhjes së kontestit për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë. Gjatë fushatës zgjedhore në Greqi është folur edhe për çështjen e emrit. Deklaratat e ministres së punëve të jashtme të Greqisë Dora Bakojani se suksesi më i madh i qeverisë ka qenë arritja e unitetit të të gjitha partive politike për çështjen e emrit dhe se pa zgjidhjen e emrit Maqedonia mund të ballafaqohet me veto për anëtarsimin e saj në BE, janë pritur me indinjatë të thellë në qarqet politike të Shkupit.

Ministri jashtëm maqedonas Miloshoski dhe homologja e tij greke Bakojani
Ministri i Jashtëm maqedonas Miloshoski dhe homologja e tij greke BakojaniFotografi: MIA

Edhe deklaratat e Papandreut jo aq shpresëdhënëse

Edhe qëndrimet e liderit të Pasok-ut Jorgos Papandreu nuk kanë qenë aq shpresëdhënëse për zgjidhjen e çështjes së emrit. Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov gjatë qëndrimit në Nju Jork, ka marë premtime nga zëvendës sekretari amerikan i shtetit Xhejms Strojberg se, pas 4 tetorit, do të intensifikohen bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit. Presidenti Ivanov ka thënë se për Maqedoninë dy qëllimet strategjike mbeten integrimi në BE dhe NATO. Ai beson se me ndihmën e mekanizmave të OKB-së, do të zgjidhet kontesti absurd, që, sipas tij, e imponoi Greqia, duke i shkelur obligimet ndërkombëtare. Kryeministri Nikolla Gruevski ripërsëriti qëndrimin se Shkupi në tërë pocesin e bisedimeve, ka treguar gatishmëri serioze për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Bogorodica, pika e kalimit kufitar Maqedoni-Greqi
Bogorodica, pika e kalimit kufitar Maqedoni-GreqiFotografi: Petr Stojanovski

Gruevski i gatshëm për zgjidhjen e problemit të emrit

"Në këtë moment mund të deklaroj se do të japim gjithçka që varet nga ne që të arijmë deri tek zgjidhja e problemit, por kuptohet, ne jemi për një zgjidhje nga e cila do të jenë të kënaqura të dyja palët, e ne veçanti qytetarët e Maqedonisë".

Ministri i Jashtëm Antonio Milloshoski vlereson se absurditeti i politikës greke shkon atje ku s'mban, sepse politikanët grekë marrin të drejtën dhe mendojnë se mund të ndërrojnë emrin e një shteti tjetër.

Milloshoski shprehet për një fqinjësi të mirë me Greqinë

"Ky problem ka shkaktuar humbjen e energjisë dhe kohës për të dyja vendet. Jam i mendimit se do të vijë koha që kjo çështje të mbyllet dhe Maqedonia dhe Greqia të zhvillojnë një fqinjësi të mirë si dy anëtare të plota të NATO-s, dhe BE-s", vlereson Milloshoski.

Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimiç ka deklaruar në Nju Jork, se në tryezën e bisedimeve ka mjaft ide që Maqedonia dhe Greqia të fillojnë të mendojnë për gjetjen e zgjidhjes. Gjithnjë, sipas Nimiç, pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi, do të rifillojnë bisedimet midis Shkupit dhe Athinës për harmonizimin e qëndrimeve reth ideve të tija për zgjidhjen e kontestit për emrin.

Autor: Fatos Musliu/Angjelina Verbica

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi