1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia e Veriut sot zgjedh presidentin e ri

20 Prill 2019

Këtë të dielë (21 prill) qytetarët e Maqedonisë së Veriut votojnë për presidentin e ri. Në këto zgjedhjet presidenciale garojnë tre kandidatë, nga të cilët asnjëri prej tyre nuk është deklaruar si politikan i karrierës.

https://p.dw.com/p/3H7yO
Mazedonien Kommunalwahlen Symbolbild
Fotografi: picture-alliance/abaca/A. Fazlagikj

Kush garon për President ?

Stevo Pendarovski do të jetë kandidati i përbashkët presidencial i partive të koalicionit qeveritar. Ai është lindur më 3 prill të vitit 1963 në Shkup, është docent për siguri ndërkombëtare, politikë të jashtme dhe globalizim në Fakultetin për Shkenca Politike në Universitetin Amerikan Kolexh-Shkup. Pendarovski gjithashtu ishte kandidat për president nga radhët e LSDM-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, ku u radhit i dyti.

Gordana Siljanovska Davkova është kandidatja për presidente e Maqedonisë së Veriut e mbështetur nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Ajo ka lindur në Ohër në maj të vitit 1955, është e martuar dhe ka dy fëmijë. Mes viteve 2012 dhe 2016 ajo ka qenë anëtare e Komisionit të Venecias për çështje të pakicave. Sot ajo mban pozitën e profesoreshës në Fakultetin Juridik në Shkup. Nëse ajo arrin të fitojë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të bëhet presidentja e parë femër në shtet.

Nord-Mazedonien Präsidentschaftskandidat Stevo Pendarovski
Kandidati i LSDM, Stevo PendarovskiFotografi: Reuters/O. Teofilovski

Blerim Reka është kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ai kandidon si kandidat i pavarur, por që mbështetet nga partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Ai mban pozitën e prorektorit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ka qenë ambasador dhe shef misioni për Maqedoninë në Bashkimin Evropian në Bruksel. Temat e publikimeve shkencore lidhen me politikën, gjeopolitikën, drejtësia në BE, studimet evropiane dhe rolin e UNMIK-ut në Kosovë.

Fushatë e qetë, pa incidente

Fushata për zgjedhjet presidenciale është karakterizuar si më e qetë dhe ndryshe nga të mëparshmet. Pendarovski gjatë fushatës ka mbështetur fuqishëm Marrëveshjen e Prespës e nënshkruar me Greqinë për të ndryshuar emrin e vendit, të cilën Siljanovska-Davkova e kritikon edhe pse opozita ka thënë se nuk do ta anulojë atë. Reka ka vlerësuar se shqiptarët duhet të çlirohen nga kompleksi i inferioritetit të tepruar ndaj maqedonasve dhe se edhe postet kyç në vend mund të udhëhiqen nga shqiptarët.

Sipas ekspertëve fushata më tepër është vlerësuar si garë mes partive politike se sa e kandidatëve për President.  "Edhe pse të tre kandidatët paraqiten si jopartiakë, megjithatë makineria politike, e cila u rreshtua prapa tyre, i vë nën hije. Edhe kësaj here fushata u shfrytëzua nga partitë, si ato të pushtetit dhe opozitës, që t'i matin forcat, gjegjësisht të verifikojnë rejtingun partiak. Paraqitjet e tre kandidatëve për President janë mesatare, ndërsa jo rrallë edhe të mërzitshme, me disa gafa që i regjistruan mediat”, thotë analisti Aco Kabranov.

Mazedonien Gordana Siljanovska-Davkova Uni Professorin
Kandidatja e VMRO, Gordana Siljanovska-Davkova Fotografi: DW/P. Stojanovski

"Kjo fushatë dallon nga fushatat e mëparshme presidenciale vetëm për një arsye sepse kësaj here në garë është një kandidat shqiptar dhe dy kandidatë maqedonas. Kandidatët maqedonas kryekëput janë përqendruar në Marrëveshjen e Prespës, ndërsa ajo që dallon është se kandidati shqiptar për president prezanton pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe pakënaqësitë e tyre”, vlerëson Zudi Xhelili. "Unë personalisht janë i kënaqur me mënyrën që komunikojnë dy partitë udhëheqëse. Mbaj mend fushata të tjera, ku retorika ishte jashtë nivelit të duhur. Mendoj se kësaj fushate tani i kontribuon karakteri i tre kandidatëve, ndërsa profesori Blerim Reka është një befasi pozitive në këtë fushatë”, thotë profesori universitar Vllado Buçkovski.

Anketat dhe debatet televizive nuk nxjerrin fitues

Të gjitha anketat thonë se në balotazh do të gjenden Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova. Kandidimi i shqiptarit Blerim Reka ndërkaq duket se është vetëm në funksion të matjes së forcave partiake mes Bashkimit Demokratik për Integrim, Alternativës dhe Partisë Demokratike Shqiptare nga njëra anë dhe Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa nga ana tjetër. Mirëpo, fakti se sondazhet nuk nxjerrin pretendent të sigurtë, në balotazh, nëse nuk ndodhë ndonjë e papritur, votat e Rekës mund të jenë përcaktuese për presidentin e ardhshëm.

Wirtschaftskonferenz in Skopje Mazedonien 02.12.2013 Blerim Reka
Kandidati Blerim Reka, këtu duke folur në një forum ekonomik në Shkup, (02.12.2013)Fotografi: DW/F. Musliu

Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave dy kandidatët me më shumë vota do të shkojnë në balotazh më 5 maj ku pjesëmarrja e elektoratit duhet të jetë së paku 40% në mënyrë që rezultati të jetë i vlefshëm.

"Një numër i madh qytetarësh janë të zhgënjyer në përgjithësi me politikën dhe janë lodhur nga betejat politike dhe proceset zgjedhore, viteve të fundit. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të motivohen ata që janë të pavendosur dhe ata që janë të zhgënjyer”, thotë Marko Trohsanovski nga Instituti për Demokraci.

Raundi i parë për zgjedhjet presidenciale është caktuar më 21 prill ndërsa i dyti më 5 maj. Të dielën 1.808.131 qytetarët kanë të drejtë vote, jashtë vendit të drejtën e votës do të mund ta realizojnë 1.782 qytetarë në 32 përfaqësi konsullore diplomatike.Të shtunën (20 prill), një ditë para zgjedhjeve të drejtën e votës mund ta realizojnë 1.640 persona ë burgosur, shtatë persona të shpërngulur brenda vendit dhe 3.583 persona të sëmurë dhe të moshuar. Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia në vitin 1991.