1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia ka ngecur me reformat

3 Gusht 2010

Maqedonia ka shënuar ngecje evidente në realizimin e reformave. Gjyqësori, administrata publike, të drejtat e njeriut dhe investimet e huaja janë evidentuar si sektorë me ngecje në implementimin e reformave.

https://p.dw.com/p/Ob66
Fotografi: picture alliance/dpa

Në takimin e fundit midis përfaqësuesve të Këshillit për stabilizim-asocim dhe përfaqësuesve të Maqedonisë, nga Brukseli janë shprehur një sërë vërejtjesh për ngecje në realizimin e reformave që Maqedonia duhet t`i plotësojë për përmbushjen e standardeve si vend kandidat për anëtarësim në BE. Gjyqësori, administrata publike, të drejtat e njeriut dhe investimet e huaja janë sektorët e apostrofuar ku ështe vërejtur ngexje në implementimin e reformave.

Informim i Komisarit Fyle

Qeveria është e fokusuar në vërejtjet që janë definuar si dobësi nga ana e Këshillit për stabilizim-asocim, thotë kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski. Sipas tij, autoritetet e vendit me seriozitetin më të madh do të vazhdojnë me ndryshimin e gjendjes në gjyqësi, administratë publike, të luftuarit e krimit të organizuar dhe korrupcionit. Për të gjitha hapat që do të ndërmerren për anashkalimin e dobësive, kryeministri Gruevski përmes një letre e ka informuar komisionerin për zgjerim Shtefan Fyle.

Stefan Füle dhe Nikola Gruevski
Stefan Füle dhe Nikola GruevskiFotografi: Peter Stojanovski

“Brukseli i përcjell me vëmedje zhvillimet në Maqedoni, andaj me një letër e kam informuar eurokomesarin Fyle për detajet e aktiviteteve tona. Është mirë që ai të informohet drejtpërdrejt për të gjitha hapat që ndërmerren nga ana e qeverisë. Për një apo dy muaj në administratën publike dhe gjyqësi do të inkorporohet një pako e re ligjesh”, ka thënë kryeministri Gruevski.

Hapat e parë

Me kërkesë të Brukselit, Ministria e Punëve të Brendshme do të heqë dorë nga disa kompetenca të saj të cilat do t`ia bartë prokurorit publik ashtu siç funksionon ky institucion në Itali dhe Gjermani. Për përmirësimin e administratës shtetërore është angazhuar një ekspert slloven. “Ai ka përgatitur një plan aksional për administratë të depolitizuar dhe funksionale. Të gjitha sygjerimet do të inkorporohen në ligje të cilat më së voni deri në vjeshtë do të implementohen në praktikë”, shprehet kryeministri Gruevski.

Mersel Bilalli
Mersel BilalliFotografi: Fatos Musliu

Analisti politik Mersel Bilalli thotë se pas çdo raporti që vjen nga Brukseli, politikanët vendorë japin deklarata kontradikore, ata mundohen që në çdo mënyrë t`i amortizojnë vërejtjet dhe të arsyetojnë mosefikasitetin e tyre. “Në qoftë se i lexojmë të gjitha konkluzionet në raport mund të konstatojmë se shumë elemente kanë të bëjnë me vërejtje serioze të kryerjes së obligimeve nga shtetet që pretendojnë të bëhen anëtare, në rastin konkret Maqedonia”, thot Mersel Bilalli.

Premtimet për reforma nuk janë reale

Premtimet e politikanëve për reforma nuk janë reale meqë për një reformim të mirëfilltë të gjyqësorit dhe administatës publike duhet një periudhë më e gjatë.

“Reformat nuk mund të behen brenda muajve. Në gjyqësor vetëm në aspektin formalo- juridik nevojiten shtatë deri në tetë muaj që të miratohen ligjet. E njëjta vlen edhe për administratën, në situatën kur pranohen mbi 20 mijë kuadro të cilët nuk dinë se ku i përcaktojnë, ajo është një havari, piramidë jofunksionale në administratën publike,” vlerëson analisti Bilalli.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama