1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia me qeveri të re, Zoran Zaev kryeministër

1 Qershor 2017

Me 62 vota pro, 5 abstenime dhe 44 vota kundër, Parlamenti i Maqedonisë ka votuar qeverinë e re, e cila do të drejtohet nga lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev.

https://p.dw.com/p/2e07k
Mazedonien Kabinett von Premierminister Zoran Zaev im Parlament in Skopje
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Koalicionin e ri qeveritar e përbëjnë tri parti politike, një maqedonase LSDM dhe dy shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptarët. Partitë shqiptare do të drejtojnë tetë dikastere ministrore dhe dy poste të zëvendëskryeministrave. Për herë të parë në këtë përbërje të shumicës së re parlamentare, shqiptarët kanë edhe kryetarin e parlamentit.

Kryeministri i qeverisë Zoran Zaev ka thënë se kabineti i tij do të do të punojë për kthimin e normalitetit në vend, sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik si dhe integrimin euroatlantik të vendit.

"Me besim të madh do të punojmë të gjithë së bashku, në interes të të gjithë qytetarëve, në interes të Maqedonisë tonë të përbashkët. Unë dhe kabineti im do të punojmë për bashkimin dhe jo ndarjen e popullit, do të punojmë për jetë më të mirë, për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet, për të ardhme më të mirë për të gjithë", ka deklaruar Zaev.

Mazedonien Premierminister Zoran Zaev im Parlament in Skopje
Kryeministri i ri i Maqedonisë Zoran Zaev duke folur në parlamentFotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

"Emri mbetet shqetësim për ne, megjithatë do të kërkojmë zgjidhje dhe jo ta bllokojmë çështjen. Për këtë do të konsultohemi dhe do të kërkojmë mbështetje edhe nga opozita", ka thënë Zaev. Menjëherë pas marjes së postit kryeministër, Zaev porositi politikanët që t'i mbajnë duart larg gjyqësorit.

"Askush, ama askush më nuk do të ketë kontroll mbi gjyqësorin, gjithçka që do të punohet do të jetë në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë dhe duke pasur për bazë gjithnjë interesin e qytetarëve". Kryeministri Zaev ka kërkuar edhe dorëheqjen e Marko Zvërlevskit, kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore Publike.

"Njëra nga arsyet që nuk funksionin gjyqësori është Prokurori i Përgjithshëm shtetëror. I bëj thirrje Marko Zvërlevskit që nga dita e sotme të japë dorheqjen si akt moral sepse ai e di, se me vendim të qeverisë, parlamenti e ndërron Prokurorin e Përgjitshëm. Dhe seriozisht apeloj që të përshpejtojë proceset, të japë dorëheqjen prokurori Zvërlevski", ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Gruevski: Kjo qeveri nuk ka kapacitet reformues

Ish-kryeministri dhe njëherësh lideri i VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski drejtoi kritika të ashpra ndaj kabintetit të ri të Zaevit duke e vlerësuar si rrënues të asaj që është arritur në Maqedoni gjatë qeverisjes së partisë së tij. Gruevski kërkoi edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare meqë siç tha është shkelur vullneti i qytetarëve, që e nxori partinë e tij fituese të zgjedhjeve të 11 dhjetori të kaluar. Gruevski ka thënë, se pas presioneve të shumta nga populli, Zaev u detyrua që para se të merrte mandatin të jepte garanci se do të heq dorë nga ajo që njihet si "Platformë e Tiranës".

"Është mirë që ai nënshkroi se nuk do ta mbështesë Platformën e Tiranës. Dua të përgëzoj edhe popullin, i cili plotë 80 ditë protestoi kundër saj me qëllim që të ruaj unitarizmin e shtetit. Askush nga ne nuk luftonte që t'i shkurtohen të drejtat shqiptarëve, pasi ata sikur edhe në të kaluarën ashtu edhe në të ardhmen do të kenë avancim të përdorimit të gjuhës së tyre", është shprehur Gruevski.

Ahmeti: Qeveri me shumë sfida, do t'i kalojmë me sukses

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se këtë qeveri e presin shumë sfida për të cilat do të mundohen t'i kaloj me sukses. Sipas Ahmetit do të jetë qeveri që do të reflektojë mirë tek qytetarët e Maqedonisë.
"Tash i tërë përkushtimi programor dhe kauza kryesore është reformat që e presin vendin dhe unë mendoj që kjo qeveri do të ketë sukses. Ka një përkushtim shumë të fortë nga të gjitha forcat politike, që e kanë ngritur këtë partneritet dhe këtë koalicion dhe njëherit jam shumë i sigurt që edhe komuniteti ndërkombëtar do të jetë shumë pranë për të ndihmuar reformat në drejtësi dhe çështje që kanë të bëjnë procesin drejt antarësimit të vendit në NATO dhe BE", ka deklaruar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Lëvizja Besa dhe PDSH-parti opozitare parlamentare

Lëvizja Besa do të jetë opozita e re shqiptare , ajo ka votuar e përmbajtur gjatë votimit të qeverisë me arsyetimin se edhe ky kabinet qeveritar, e në veçanti partia maqedonase nuk ka treguar gatishmëri për mbylljen e shumë çështjeve të hapura shqiptare.

"Nëse nuk kemi vullnet që ta ridefinojmë Maqedoninë atëherë do në na ndodhë që në çdo dhjetë vjet të vihet në pikëpyetje ekzistenca e këtij shteti. Duke mos e njohur këtë ne arritëm në pikën më të keqe, në të cilën ndodhemi sot, të kemi parti të pasura siç janë VMRO dhe BDI, por shtet të dobët dhe qytetar të varfër", ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut