1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëdhënie të qeta

11 Maj 2010

Në Kosovë, marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe misionit evropian EULEX nuk janë të tendosura. Kështu thonë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të pranisë civilë ndërkombëtare në Kosovë.

https://p.dw.com/p/NL4z
Logoja e Eulex-it

Përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të pranisë civile ndërkombëtare thonë se raportet ndërmjet tyre nuk janë tendosur pas bastisjeve të policisë së EULEX në zyrat e ministrisë së telekomunikacionit dhe hetimeve, që po zhvillohen rreth tenderëve të ndërtimit të rrugëve.

'Proceset ligjore të zhvillohen natyrshëm'

Zyrtarë të misionit EULEX të kontaktuar nga DW thonë nëpërmes postës elektronike - e vetmja formë e komunikimit më ta tash për tash - se EULEX dhe qeveria e Kosovës vazhdojnë ta theksojnë rëndësinë e sundimit të ligjit në Kosovë dhe faktin se askush nuk është mbi ligjin. Zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes, thotë se ky mision dhe Qeveria besojnë se proceset ligjore duhet të zhvillohen natyrshëm, pa ndërhyrje politike. Njësoj dhe në të njëjtën formë përmes postës elektronike, zëdhënësi i zyrës civile ndërkombëtare, Andy Mc Guffie, thotë se puna e kësaj zyre dhe bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës vazhdon normalisht, me një agjendë të plotë përpara. Ai thotë se po punohet ngushtë për një sërë çështjesh që lidhen me pakon e Marti Ahtisarit, siç janë, përgatitja për zgjedhjet komunale në komunën e re serbe të Parteshit, transferimi i kompetencave në komunat e reja si dhe monitorimi i procesit të privatizimit.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga ana e tij, thotë se bashkëpunimi me misionet evropiane në Kosovë është në interesin e të gjithë qytetarëve.

"Nuk mendoj se asnjë për bartësve të institucioneve të Kosovës mendon ndryshe, pra që të kemi raporte të mira më bashkësinë ndërkombëtare, e cila ka investuar dhe do të investojë në Kosovë për të zhvilluar Kosovën, por natyrisht gjithmonë brenda mandatit që ka”, thotë presidenti Fatmir Sejdiu.

Mirëpo, analistët e pavarur mendojnë së pas bastitjes nga EULEX të zyrave të ministrisë së telekomunikacionit, tendosja e raporteve ndërmjet misioneve evropiane dhe institucioneve të Kosovës është shumë e dukshme. Kështu thotë për DW, Agron Bajrami, kryeredaktor i së përditshmës Koha Ditore.

“Është e qartë, edhe publikisht kryeministri e ka kritikuar shumë ashpër atë që e ka quajtur ndërhyrje politike të panevojshme nga ana e Peter Faith, shef i zyrës civile ndërkombëtare, sikurse edhe misionin e EULEX-it, për ndërhyrjen dhe mënyrën e bastisjes. Mendoj se kjo tendosje nuk do mend se ekziston, ndërkohë që nëse kjo vërtet do të shndërrohet në ndonjë konflikt më të madh mbetet të shihet”, thotë Agron Bajrami. Agron Bajrami, thotë se përkeqësimi i raporteve të institucioneve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar do të shkojë vetëm në dëm të Kosovës.

“Natyrisht, kjo nuk do të thotë se faktori ndërkombëtar duhet dhe ka të drejtë të diktojë gjithçka, mirëpo, unë nuk po e shoh se institucionet e Kosovës kanë pasur një dialog në mënyrë që të kenë një bashkëveprim me forcat ndërkombëtare këtu”, thotë Agron Bajrami.

Ndarja e pushteteve sjell përplasje

Sidoqoftë, zhvillimet e ditëve të fundit, sipas analistëve të pavarur duket se shënojnë një periudhë përplasjesh ndërmjet institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, përplasje, që edhe në të kaluarën janë cilësuar si të mundshme për shkak të mënyrës së ndarjes së pushteteve. Zyra civile ndërkombëtare ka në mandatin e saj, mbikqyrjen e zbatimit të pakos së Marti Ahtisarit, ndërsa EULEX-i mbikqyrjen dhe mbështetjen e sundimit të ligjit. Por të dyja misionet ndërkombëtare kanë edhe autoritet ekzekutiv në disa fusha të caktuara.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi