1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëdhëniet gjermano-franceze vazhdojnë të jenë të shkëlqyera

Nina Werkhäuser10 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/ArIT
Motori gjermano-francez në politikën evropiane vazhdon të punojë pa asnjë lloj pengese. Një shenje e qartë për këtë është që kancelari gjerman Gerhard Schrëder do të përfaqësojë në bisedimet që do të zhvillohen me përfaqësuesit e Irlandës si presidente e radhës e BE-së edhe presidentin francez Zhak Shirak. Për këtë pikë ranë dakord që të dy politikanët në bisedimet e tyre në Berlin. Në tetor të vitit të kaluar kancelari gjerman Schrëder u përfaqësua në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Bruksel prej Shirakut.

Kancelari gjerman Gerhard Schrëder dhe presidenti francez Zhak Shirak demonstruan edhe nje herë që janë të një mendjeje në të gjitha pikat e rëndësishme të politikës ndërkombëtare duke filluar që prej angazhimit në Afganistan e deri tek Kushtetuta Evropiane. Shiraku kërkoi që kjo kushtetutë të hyjë në fuqi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2004, ose në rast se ky afat nuk arrin të respetohet deri në fundit të këtij viti. Shrëderi deklaroi se që të dyja qeveritë dëshirojnë sa më shpejt që kushtetuta të miratohet, por jo që ky hap të ndërmerret me çdo kusht. "Ne duhet të ngulim këmbë për shumicën e dyfishtë, duam që të arrijmë sukses në çështjen e marrjes së vendimeve me shumicë dhe që puna e Komisionit Evropian të bëhet më efektive." - tha Shrëder.

Shrëderi do t'i diskutojë pretendimet gjermane dhe ato franceze me politikanët irlandezë në Dublin. Sipas mendimit të Shirakut çështja e zgjerimit të sektorëve në të cilat marrja e vendimeve bëhet me shumicë votash dhe jo sipas parimit të njëzëshmërisë është tepër e rëndësishme për të mënjanuar bllokimin e një sërë vendimesh.

Në lidhje me angazhimin në Afganistan Gjermania dhe Franca janë duke shqyrtuar nëse brigada gjermano-franceze mund të angazhohet në kuadër të trupës ndërkombëtare ISAF. Edhe pse shqyrtimi i kësaj çështjeje, sikurse tha Shrëder, vazhdon, është e qartë se trupa Eurocorps në të cilën përveç Gjermanisë dhe Francës janë të përfshira edhe tri vende të tjera të BE-së, do të marrë në emër të NATO-s drejtimin e trupave të ISAF-it. Brigada gjermano-franceze e cila bën pjesë në Eurocorps ka marrë pjesë deri tani në veprimtaritë e zhvilluara në kuadër të KFOR-it dhe të SFOR-it.

Të dy politikanët biseduan edhe për çështjen e Irakut. Pas takimit të ministres franceze të mbrojtjes Mishelë Alio-Marie me ministrin amerikan të mbrojtjes Donald Ramsfeld në Uashington, pati një numër spekulimesh në lidhje me një angazhim të mundëshëm të ushtarëve francezë në Irak. Qeveria franceze bëri me këtë rast të qartë se parakusht për një angazhim të tillë është një kërkesë e qevrisë irakiane dhe mandati përkatës i OKB-së. Ky qëndrim përputhet me qëndrimin e Gjermanisë. Shirak theksoi: "Ne jemi të një mendjeje sidomos për çështjen e Irakut në të cilën Gjermania dhe Franca kanë saktësisht të njëjtin qëndrim". Shrëder dhe Shirak biseduan edhe për çështje ekonomike, si p.sh. për planet për blerjen e disa koncerneve farmaceutike gjermane prej atyre franceze, apo fuzionimin e disa të tjerave. Shrëder kërkoi që nga veprime të tilla të mos preken vendet e punës, por shtoi se politika nuk ka ndikim në marrjen e vendimeve të tilla.