1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja Lisbonës kapërcen një pengesë vendimtare në Çeki

Christina Jansen19 Shkurt 2009

Marrëveshja për reformimin e BE-së u miratua nga dhoma e deputetëve e parlamentit çek të mërkurën (18.2.). Vendimi u morr pas polemikash të shumta. Tani ajo duhet të miratohet edhe nga senati.

https://p.dw.com/p/GxMm
Harta e vendeve që kanë ratifikuar deri më 28.11.2008 Marrëveshjen e LisbonësFotografi: DW

Presidenti çek Vaclav Klaus i njohur për qëndrimin e tij kritik ndaj BE-së, ka bërë të ditur se do ta nënshkruajë dokumentin vetëm nëse Irlanda e miraton konventën, në një përsëritje të referendumit, i cili dështoi në vitin 2008. Çekia mban aktualisht presidencën e rradhës të BE-së.

Gati një vit kanë polemizuar deputetët çekë mbi konventën e Lisbonës. Gjatë javëve të fundit përkrahësit e saj në parlamentin çek luftuan për çdo votë, dhe me sa duket me sukses:


"Dhoma e deputetëve miraton kështu konventën e Lisbonës"


Me 125 vota pro, vetëm pesë më shumë se numri i domosdoshëm, Marrëveshja për reformimin e BE-së ka kapërcyer kështu pengesën e parë në Çeki. Në një debat të ashpër deputetët që prej ditës së martë përsëritën edhe njëherë argumentat e tyre. Në të vërtetë të gjitha ishin thënë tashmë, por jo nga secili. Për kryeministrin çek Topolanek bëhej fjalë për mbijetesë politike. Ai u përpoq të fitonte pikë në debat me sinqeritetin. Marrëveshja e Lisbonës as për të nuk është arsye për të brohoritur, u shpreh kryetari i rradhës i Këshillit të BE-së, por ajo është e keqja më e vogël: "Ne nuk do të fitonim asgjë nëse nuk do të ratifikonim Marrëveshjen e Lisbonës. Nuk ka alternativë tjetër. Mbetet vetëm që të pranojmë Marrëveshjen e Lisbonës, ose të dalim në pozicion jashtë loje. Kështu do të përfundonim në grupin e shteteve pa peshë në Evropë."


Kundërshtim pati deri në fund nga komunistët dhe kritikët e BE-së nga vetë partia e Topolanekut. Jan Schwippel, deputet i Partisë Demokratike Qytetare (ODS) tha: "Marrëveshja e Lisbonës është baza për një Bashkim Evropian të ri. Se si do të jetë ai në të ardhmen, e tregoi presidenti francez Sarkozy, i cili kërkon nga prodhuesit francezë të automobilëve të mos prodhojnë në Çeki. Në Evropë nuk do të ketë konkurrencë të ndershme. Për këtë arsye unë them: Marrëveshja e Lisbonës simbolizon dështimin e elitave dhe është një mashtrim kundrejt zgjedhësve."


Të paktën një pjesë e këtyre kritikëve kanë ndryshuar mendim. Për t'i bërë ata për vete deputetët miratuan një vendim shtesë. Ai duhet të bëjë të pamundur që gjermanët, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore u dëbuan nga Çekia dhe u shpronësuan, të kërkojnë zhdëmtim mbi bazën e Marrëveshjes së Lisbonës. Një skenar hipotetik frike me të cilin kritikët e BE-së rreth presidentit çek Vaclav Klaus vazhdimisht përhapnin frikën. Hapi tjetër është tani miratimi i Marrëveshjes së Lisbonës në muajin prill nga Dhoma e Lartë e parlamentit çek. Por sipas analistëve rruga drejt Lisbonës do të jetë e gjatë edhe nëse senati do të japë dritën e gjelbër. Kritikët do të vazhdojnë përpjekjet për zvarritjen e procesit. Ata mbështesin shpresat edhe tek presidenti çek Klaus, babain shpirtëror të skepticizmit çek ndaj BE-së, i cili në fund duhet të nënshkruajë dokumentin e ratifikimit.

(EXH/VFB)