1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja përmban më tepër pikëpyetje se sa pikëçuditëse

15 Nëntor 2005

Shtypi i sotëm komenton nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit të madh në Berlin mes unionit konservator CDU-CSU dhe partisë socialdemokrate SPD. Edhe vrasja e një ushtari gjerman të Bundesverit në Afganistan ka tërhequr vëmendjen e analistëve.

https://p.dw.com/p/Arsr

Lidhur me kongreset e partive gazeta "Süddeutsche Zeitung" komenton:

"Mazhorancat brenda partive që miratuan marrëveshjen e koalicionit janë të domosdoshme, por ato nuk janë kusht i mjaftueshëm për të punën e përbashkët politike. Marrëveshja përmban shumë më tepër pikëpyetje se sa pikëçuditëse. Përgjigja ndaj çështjeve të hapura do të varet nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në tri lande verën e ardhëshme", konkludon "Süddeutsche Zeitung".

Ndërsa komentatori i "Norbayerischer Kurier" analizon me nota kritike rrethanat e qeverisjes dhe shancet e koalicionit të madh nën kancelaren Angela Merkel: "Viti 2006 do të jetë edhe viti kur do të vendoset fat i qeverisë Merkel. Nëse ajo ia del të forcojë konjukturën me trukun e rritjes së taksës mbi vlerën e shtuar, që do të hyjë në veprim në vitin 2007, nëse do të influencojë edhe një çtensionim në tregun e çmimeve të naftës dhe të euros, atëherë ka mundësi që të jepet ndonjë impuls fillestar për të ndihmuar në shmangien e problemeve në Gjermani. Por e gjitha kjo është tani për tani vetëm parimi i shpresës. Shumë njerëz me të drejtë prisnin më shumë nga qeveria e re", vëren "Norbayerischer Kurier".

"Wiesbadener Kurier" komenton kongresin e partisë kristiandemokrate: "Diskutimi mbi çështjen dhe duartrokitjet e kursyera për Merkelin në kongresin e partisë tregojnë, se CDU-ja është e lidhur më shumë nga arësyeja se sa nga pasioni me kryetaren e vet. Merkeli e di, se sprova e saj konsiston në një qeverisje solide. Vetëm në këtë mënyrë koalicioni i ngjyrave zi e kuq do të mund t´u mbyllë gojën kritikëve të shumtë duke nisur nga bulevardi e deri tek bosët e mëdhenj", thekson "Wiesbadener Kurier".

Gazeta "Die Welt" komenton lamtumirën e Gerhard Shrëderit duke e lidhur atë edhe me vrasjen e një ushtari gjerman në Afganistan: "Në kohën që televizionet transmetonin fjalimin e lamtumirës së kancelarit Gerhard Shrëder, me titra jepej lajmi për vrasjen e një ushtari gjerman në Kabul. Kamerat u sillnin pranë delegatëve dhe telespektatorëve Gerhard Shrëderin në portretin e të cilit janë rrënjosur shtatë vjet qeverisjeje, por më shumë se kjo koinçidenca e ngjarjeve flet për përmasat e ndryshimeve që kanë karakterizuar Gjermaninë qysh pas ardhjes së Shrëderit në postin e kancelarit. Ndonëse disa e konsiderojnë si një projekt të dështuar koalicionin e socialdemokratëve dhe ekologjistëve, është verbëri historike të mendosh që këto kanë qenë shtatë vite të humbura. Në këto vite Gjermania ka zënë vendin që iu hap asaj në vitet 1989/1990", nënvizon "Die Welt".

Në të njëjtën linjë komenton edhe "Kölner Stadtanzeiger": "Angazhimit të Bundesverit në Afganistan nuk i dihet fundi. Ushtarët gjermanë mund të sulmohen edhe në të ardhmen, e po ashtu mund të ketë sërish edhe të vrarë. Ky është rreziku që ka marrë parasysh Gjermania si edhe të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse në trupën mbrojtëse që duan të ndihmojnë në stabilizimin e këtij vendi. Gjermania ka një interes të madh në politikën e sigurimit për një Afganistan stabël. Ndaj është një gëzim i dyfishtë që në marrëveshjen e koalicionit është përcaktuar vazhdimësia në politikën e jashtme", komenton "Kölner Stadtanzeiger".

Në komentin e "Landeszeitung" i kushtohet vëmendje Bundesverit dhe misioneve të tij jashtë vendit: "Tingujt e trumpetave që ranë me rastin e jubileut të 50 vjetorit të Bundesverit një javë më parë shprehin traditën e rreme të stabilitetit. Sulmi vdekjeprurës i talibanëve ndaj ushtarëve gjermanë tregon për procesin e rrezikshëm të transformimit, në të cilin ndodhet ushtria. Pothuajse pesëdhjetë vjet me radhë misioni i Bundesverit ka qenë demonstrim force si masë parandaluese. Ndërsa rasti ekstrem as që mendohej. Por tani detyra është ndërhyrje. E pra rasti ekstrem është i përditshëm. Ish-ushtrisë për vetëmbrojtje i mungon urdhëri i ri në fuqi për marshim. Por çfarë çmimi janë në gjendje të paguajnë qytetarët për mbrojtjen nga terrori, për një furnizim më të mirë me lëndë të para dhe për tregjet e eksportit? Përgjigjen mund ta gjejmë vetëm nëpërmjet një debati publik", shkruan "Landeszeitung".