1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270610 G20 Abschluss

28 Qershor 2010

Samiti i G20-ës përfundoi dje në Toronto të Kanadasë me pranimin e uljes së huave në vendet e industrializuara. Konkretizimi i reformës së tregjeve financiare u shty për takimin në Seul të Koresë së Jugut në nëntor.

https://p.dw.com/p/O4rq
Presidenti amerikan Barack Obama, kancelaja gjermane Angela Merkel në samitin e G20-ësFotografi: AP

Samiti i dyfishtë i G8-ës dhe G20-ës në Kanada u mbyll me një marrëveshje për uljen e huave. Kjo befason, aq më tepër kur dihet se në prag të tij ishte ndezur një debat midis Gjermanisë dhe SHBA-së në lidhje me rrugën që duhet ndjekur për të dalë nga kriza: me hua të tjera apo me një politikë inteligjente kursimi. Me sa duket tani qëllimi u arrit. Receta mban emrin rritje ekonomike nëpërmjet uljes së huave, formulë kjo që po i pëlqen edhe presidentit amerikan Barack Obama. Marrëveshja e tetë shteteve më të industrializuara për të përgjysmuar deri në 2013-ën deficitet e tyre nuk është e detyrueshme nga pikëpamja ligjore dhe secili vend është i lirë të vendosë se si do ta arrijë reduktimin e borxheve, por me sa duket me shembullin paralajmërues të Greqisë evropianët kishin argumentet më të mira. Prandaj kancelarja gjermane u nis e kënaqur drejt atdheut.

G20 Gipfeltreffen in Toronto
Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy dhe presidenti rus Dmitri Medvedev në samitin e G20 Toronto 27 qershor 2010Fotografi: AP

"Afati për të përgjysmuar deri në 2013-ën deficitet është një strategji shumë e qartë daljeje. Ne largohemi prej programeve koniunkturore, gjatë të cilave kemi bërë më shumë borxhe, dhe si vende të industrializuara përgjysmojmë deri në 2013-ën huatë tona. Kjo është shumë ambicioze, dhe ta them hapur është më shumë se ç'prisja, sepse është shumë specifike. Dhe fakti që kjo pranohet nga vendet e industrializuara përbën për mendimin tim një sukses."


Në kërkim të unitetit

Angela Merkel nuk pati sukses me orvatjen e saj për të futur një takse mbarëbotërore për transaksionet financiare. Kjo ndeshi në qëndresën e fortë për shembull të Kanadasë, që nuk i shpëtoi bankat e saj me miliarda nga taksat. Por edhe të vendeve në ekspansion ekonomik, si Brazili. Më e suksesshme duket ideja e një tatimi për bankat, e cila u mbështet për shembull nga presidenti amerikan Obama dhe kryeministri britanik David Cameron. Por njëherë për njëherë evropianët do të përpiqen të fusin një taksë për tregjet financiare brenda BE-së ose së paku brenda eurozonës.

Kanada USA Präsident Barack Obama beim Abschluß von G20 in Toronto
Presidenti Barack Obama pas përfundimit të konferencës së shtypit në samitin e G20 në Toronto.Fotografi: AP

Premtime të shkelura

Organizatat joqeveritare (OJQ) janë shumë të zhgënjyera pas samiteve në Huntsville dhe Toronto. Për herë të parë në dokumentin përfundimtar nuk përmenden premtimet e takimit të Gleneagles-it para pesë vjetësh që ndihma për zhvillimin të rritet deri në 2010-ën me 50 miliardë euro. Për këtë arsye organizatat e ndihmave nuk kanë besim as ndaj nismës së re të miratuar këtu për të luftuar në mënyrë efikase me rreth tetë miliardë dollarë vdekshmërinë e nënave dhe të fëmijëve.

Autor: Henrik Bëhme/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica