1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrja e secilit person nën mbikqyrje pa vlerësime paraprake nuk është në harmoni me të drejtat elementare.

16 Dhjetor 2009

Mbledhja e të dhënave nga telefonatat dhe interneti për secilin individ dhe ruajtja e tyre gjashtë muaj, komentohet edhe në shtypin e sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/L3ah
Gjykatësit e Gjyktaës KushtetueseFotografi: picture-alliance/ dpa / Bildbearbeitung: DW

Frankfurter Rundschau lidhur me këtë temë pohon: "Ligji për mbledhjen e të dhënave dhe memorizimin e tyre për gjashtë muaj në formën e tanishme është i papranueshëm. Shumë të dhëna mblidhen dhe mbahen tepër gjatë, ndërkohë që tepër autoritete shumë lehtë mund t'i shikojnë këto informacione sensibël. Memorizimi i të dhënave është në kundërshtim me të drejtën e vetëvendosjes së informimit dhe lirisë së shtypit. Madje edhe më prerë: në formën e tanishme, ky ligj ëshë në kundërshtim me Kushtetutën", pohon komentatori i gazetës Frankfurter Rundschau.

E përditshmja "Berliner Zeitung" që në fillim konstaton: "Ligji për memorizimin paraprak të të dhënave është në kundërshtim me Kushtetutën. Mirëpo nuk mund të pritet që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese ta hedhin poshtë në tërësi. Fjala është për një ligj gjerman, por ai është sipas rregullave juridike të BE-së. Ligji është pra në një farë forme nën mbrojtjen evropiane. Sikur edhe në rastin e shumë gjarpërinjve helmues, të cilët janë nën mbrojtje, do të mjaftonte që ligjit t'i nxirret dhëmbi helmues. Dhe këtë duhet ta kenë parasysh gjykatësit, kur të vendosin për këtë ligj", nënvizon kjo gazetë.

Ndërsa në Märkische Oderzeitung lexojmë: "Në botën tonë teknologjike, ku gjithnjë e më shumë gjëra kalojnë përmes telefonit dhe kompjuterit, shteti nuk mund t'i mbyllë sytë, kur gjendet para rreziqeve si kriminaliteti, apo rrjetet e organizuara terroriste. Por marrja pa vlerësime paraprake e secilit person nën mbikqyrje nuk është në harmoni me të drejtat elementare. Qeveria federale mbrohet se ka miratuar vetëm një prej rregullave juridike të aprovuara në BE. Por qeveria federale ka tejkaluar edhe rregullat e parashikuara në Bruksel dhe tani i mundësohet edhe shërbimeve sekrete, që të përdorin këto të dhëna. Mbetet shumë interesante të shihet se si do të vendosë Gjykata në Karlsruhe, lidhur me këto ligje", konstaton Märkische Oderzeitung.

Autor: BahriCani/dpa

Redaktoi: Angjelina Verbica