1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marsh në mbështetje të Haradinajt

Bekim Shehu2 Maj 2007

Ministra të qeverisë së Kosovës dhe figura tjera politike të mbështetur nga mijëra qytetarë, marshuan rrugëve të Prishtinës në mbështetje të ish - kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Haradinaj akuzohet në Hagë për krime kundër civilëve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Organizatorët e marshit thanë se ata besojnë në drejtësinë ndërkombëtare dhe shpresojnë shpaljen si të pafajshëm të Haradinajt.

https://p.dw.com/p/ArW5
Ramush Haradinaj
Ramush HaradinajFotografi: AP

Disa mijëra qytetarë nga të gjitha rajonet e Kosovës, u mblodhën në Prishtinë, në mbështetje të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht gjendet në Tribunalin e Hagës. Masa me njërëz të prirë nga ministra të qeverisë së Kosovës dhe figura të tjera politike, marshoi rrugëve të kryeqytetit. Organizatorët thanë se më këtë fushatë synojnë t'i dëshmojnë botës se nuk janë kundër drejtësisë, por kundër padrejtësive. Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, lexoi disa rreshta nga një fjalim i Haradinajt, dhënë para se ai për herë të parë të paraqitet para Tribunalit të Hagës.
Isufi tha se qytetarët e Kosovës besojnë në drejtësinë ndërkombëtare dhe pikërisht për këtë fakt mendojnë se zoti Haradinaj do të shpallet i pafajshëm.
Marshi në Prishtinë, në mbështetje të ish - kryeministrit është i 15-ti me radhë që mbahet në kuadër të fushatës "Me Ramushin". Fushata është inicuar nga të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i së cilës është Ramush Haradinaj.
Ish - komandanti i UÇK-së në zonën e Dugagjinit akuzohet për krime kundër civilëve të kryera gjatë luftës në Kosovë, në këtë zonë. Ditë më parë në një konferencë për media, ekipi i mbrojtësve të Haradinajt u shpreh se gjykimi është në rrugë të duhur. Ata thanë se gjatë muajit korrik do të kërkojnë nga prokuroria që të tërheqë akuzat kundër Ramush Haradinajt, të cilat sipas mbrojtjes janë të pabaza dhe pa fakte.