1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marti Ahtisarit i dorëzohet dokumenti i Grupit Negociator të Kosovës

Bekim Shehu22 Nëntor 2005

Grupi negociator i Kosovës i dorëzoi sot ndërmjetësuesit ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisarit, dokumentin në të cilin paraqitet qëndrimi i palës kosovare për të ardhmen e Kosovës

https://p.dw.com/p/AqsY

Kryenegociatori ndërkombëtar, i cili do të kryesojë bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, dëgjoi sot pikëpamjet e palës kosovare për të ardhmen e Kosovës nga grupi negociator, ndërsa, këtë qëndrim ai e mori edhe të shkruar në formë dokumenti. Më këtë pala shqiptare e Kosovës bëri hapin e parë duke argumentuar kërkesën për pavarësinë e Kosovës, mirëpo, delegaconi u shpreh i gatshëm të futet në procesin e bisedimeve. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili kryeson grupin negociator të Kosovës, megjithkëtë vazhdon të kërkojë njohjen e drejpërdrejt të pavarësisë së Kosovës. Presidenti Rugova u shpreh se, pala shqiptare dhe ajo serbe e Beogradit në këtë proces do të bisedojnë njëra me tjetrën për disa çështje të cilat nuk i specifikoi, ndërsa, nuk pranoi të përgjigjet nëse pala kosovare dhe ajo serbe e nivelit të lartë politik do të takohen dhe të bisedojnë drejpërdrejt njëra me tjetrën.

Kryenegociatori ndërkombëtar, Marti Ahtisari, pas takimit disa orësh që zhvilloi me grupin Negociator të Kosovës nuk u prononcua për mediat. Paraqitjen e tij të parë në Kosovë para mediave ai do të ketë nesër në mbrëmje kur të pëfundojë të gjitha takimet që ka parashikuar të zhvillojë këtu. Sot në mbrëmje ndërkaq, Marti Ahtisari do të zhvillojë dy takime të ndara me udhëheqësit fetar të serbëve të Kosovës Peshkopin, Teodosije dhe Atin Sava Janjiq. Takimi do të zhvillohet në manastirin e Deçanit.