1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masakra e Oradour

Christian Ignatzi/Eliana Xhani8 Qershor 2014

Prokuroria gjermane ngre padi kundër një 89-vjeçari nga Kölni për masakrën në Oradour.

https://p.dw.com/p/1CEOV
Fotografi: Jean-Pierre Muller/AFP/Getty Images

10. qershor 1944 në Francën e pushtuar nga nazistët. Katër ditë më parë forcat aleate kishin zbarkuar në Normandi. Nga jugperëndimi drejt tyre marshor regjimenti SS "Der Führer". Në atë të shtunë vere gjermanët arrijnë në fshatin e vogël Oradour-sur-Glane në afërsi të Limozhës. Atje ata kryejnë një krim që do të hyjë në histori si masakra më e madhe e Evropës Perëndimore.

Rreth orës 14 në fshat mbërrijnë 120 ushtarë nazistë të cilët me pretekstin se po kërkonin armë i mbledhin burrat e fshatit në sheshin e tregut. Pasi dërgojnë në kishë gratë dhe fëmijët, i çojnë burrat në stallat e bagëtive dhe i pushkatojnë. Më pas i vënë flakën kishës dhe e qëllojnë atë me armë dhe granata. Përse është ende sot e paqartë. 642 njerëz vriten. Vetëm pak banorë mbijetojnë.

Prokuroria: fajtor për vrasje në 25 raste

Të martën (10.06.2014) mbushen 70 vjet nga masakra. Tani është para hapjes një proces gjyqësor kundër një ish pjesëtari të regjimentit të SS-ve. "Kemi ngritur padi pasi kemi vlerësuar dëshmi pohimet e dëshmitarëve dhe materile arkivi", tha kryeprokurori Andreas Brendel për Dë. Ai drejton zyrën qendrore në Landin e Renanisë Veriore Vestfalisë për përpunimin e krimeve në masë të nacionalsocialistëve. I paditur Verner C., që tani është 89 vjeç, akuzohet se si pjesëtar i regjimentit SS në moshën 19-vjeçare, ka vrarë në Oradour 25 vetë dhe në 617 raste ka ndihmuar në vrasje.

SS-Untersturmführer Heinz Barth
Fotografi: picture alliance/ADN Zentralbild

Në një njoftim të gjykatës së landit në Köln thuhet se i padituri së bashku me një tjetër të armatosur me armë automatike, i ka vrarë burrat në një qilar vere. Më pas e ka ndihmuar në vrasjen e grave dhe fëmijëve, duke marrë detyra mbikqyrjeje pranë kishës dhe duke çuar atje material për vënien e zjarrit. Avokati i tij Rainer Pohlen beson një tjetër version. Klienti i tij ka pasur urdhër të bëjë roje por nuk ka qëlluar: "Dëshmia është vetëm 49 rreshta i gjatë, që nuk është shumë në një dosje me 40.000 faqe", thekson ai. "Në dosje emri i klientit të tij përmendet vetëm një herë."

Mbrojtja: Verner C. nuk ka qenë ndër ata që kanë qëlluar

Veç kësaj një dëshmitar okular, pjesëtari i SS-ve August Lohner, ka bërë para një gjykate në Bordeaux në 1953 dëshmi shumë të sakta për ata që kanë qëlluar. I dyshuari nuk ka qenë pjesë e atyre emrave. "Vërtet ai nuk është përmendur nga asnjë dëshmitar në vendngjarje", thotë prokurori Brendel. "Por ne kemi vlerësuar lista dhe kemi nxjerrë konkluzione." Prokuroria mendon se asnjë prej njerëzve të regjimentit SS nuk ka pasur mundësi t'u shmanget urdhërave. Grupi, të cilit i përkiste Verner C. kishte detyrë të qëllonte dhe të vinte zjarrin. Padia dhe mbrojtja presin tani një vendim të gjykatës së landit Köln për hapjen ose jo të çështjes gjyqësore.

Frankreich Ruinen Oradour-sur-Glane
Fotografi: imago stock&people

Avokati Pohlen, i cili në fund të marsit i ka paraqitur gjykatës argumente kundër një dënimi, është gjithsesi i mendimit se një proces 70 vjet pas ngjarjes nuk është patjetër i nevojshëm: "Nuk mendoj se është obligim historik që kaq vite më pas të ndërrmeret diçka." Prokurori Brendel kundërshton: "Vrasja nuk është akt penal që i skadon afati për ndëshkim. Kodi Pendal nuk parashikon asnjë kufi moshe për keqbërësit." Veç kësaj për shkaqe morale është e vetëkuptueshme që të hapen procese gjyqësore kundër pjesëmarrësve të mundshëm në krime lufte.

Në këtë drejtim për një kohë të gjatë ka pasur mangësi. Republika Federale deri tani nuk ka nxjerrë askënd para përgjegjësisë për masakrën. Një prej autorëve u dënua në 1983 në ish-RDGJ me burgim të përjetshëm dhe në 1997 në Gjermaninë e bashkuara u lirua nga burgu. Aq më shumë domethënie merr kështu padia kundër Verner C.

Nuk është çudi që të afërmit e viktimave të Oradour-it u kanë ndaluar për kohë të gjatë gjermanëve të shkelnin në fshatin e tyre të shkatërruar. Ndërkohë një i mbijetuar ofron vizita të shoqëruara përmes rrënojave. Vitin e kaluar Presidenti gjerman Joachim Gauck vizitoi Oradour-in bashkë me homologun francez François Hollande. Gauck, dukshëm i prekur, dorë për dore me Hollande, u kërkoi falje të afërmve të viktimave.

Gauck und Hollande in Oradour-sur-Glane 04.09.2013
Fotografi: REUTERS

Çdo dënim i një krimineli nazist kontribuon madje që plagët të zbuten paksa, beson prokurori Brendel: "Nuk është fjala vetëm për të dënuar kriminelët por edhe për të sensibilizuar për vuajtjet e shkaktuara prej nesh." Tetë nga autorët e dyshuar të masakrës së Oradour-it janë ende në listë, thotë Brendel. "Aktualisht veç kësaj zhvillohen edhe procese të tjera gjyqësore kundër kriminelëve nazistë të luftës në Gjermani."

Vendimi pritet në verë

Ka shumë arsye përse ende sot zhvillohen procese. Shumë dosja janë hapur mjaft vonë dhe pas rënies së murit dosjet e Stasit sollën njohuri të reja. Marrëveshja Shengen lehtëson punën përtej kufijve me Francën. Në fund të viteve '70 ka pasur një herë hetime kundër Verner C. por ato u ndërprenë për mungesë provash. "Veç kësaj", thotë avokati Pohlen, "është fakt që drejtësia gjermane për shumë dekada e ka injoruar Oradour-in. Kam përshtypjen se tani por bëhen përpjekje të kryhen ato procese që është e mundur ende të bëhen."

Nëse procesi kryesor kundër Verner C. do të hapet, vendoset nga dhoma për rininë e gjykatës së landit të Kölnit, pasi i padituri në 1944 ka qenë vetëm 10 vjeç dhe pra vlen e drejta penale për të rinjtë. "Me një rast të tillë nuk ka përvojë askush atje", thotë avokati Pohlen. Pohlen pret që deri në korrik ose gusht të merret vendimi. Nëse gjykata e shpall Verner C. të pafajshëm, prokuroria megjithatë do të ketë arritur diçka, shpreh bindje Andreas Brendel: "Për rininë e sotme një gjë e tillë është gjithnjë një shembull paralajmërues në luftën kundër neonazistëve."