1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masat e Shqipërisë në pikëkalimet kufitare

19 Dhjetor 2009

Kufij të sigurtë dhe integruar si parakushte për plotësimin e kërkesave të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave dhe luftën ndaj trafikut të drogës e të qënieve njerëzore. Çfarë po punohet në kufirin e Shipërisë?

https://p.dw.com/p/L8mC
Pikëkalimi kufitar mes shqipërisë, Kosovës dhe MaqedonisëFotografi: MIA

Procesi instalimit të infrastrukturës bashkëkohore dhe sistemit të informacionit TIM, që lidh pikëkalimet kufitare të Shqipërisë me ato të vendeve të Bashkimit Europian, sipas drejtorit të Kufirit e Emigracionit në Gjirokastër Eduard Caka, ka përfunduar. Pikëkalimet kufitare në Kakavije, tre Urat në Përmet, Sopik e Qafë Botë të Sarandës punojnë tashmë me këtë sistem. Në fund të muajit dhjetor një ekip ekspertësh të Bashkimit Evropian do të verifikojnë në vend situatën.

"Informatizimi është sistemi TIM-s, sistemi total i menaxhimit të informacioni i cili është instaluar dhe ka të dhënat për të gjithë shtetasit shqiptarë të pajisur me pasaporta, po kështu dhe shtetasit e huaj", shpjegon Eduard Caka.

Masat kundër kriminalitetit

Kosovo Land und Leute Grenze Podugevo
Fotografi: Nikos Pilos

Komandanti i pikëkalimit kufitar të Kakavijes Temo Vodaj pohon se krahas këtij procesi është në monitorim të plotë prej një ekipi ekspertësh të Bashkimit Evropian edhe procedura e intervistimit e masat e mara për viktimat e trafikut të qenieve njerëzore dhe të personave të deportuar.

"Diskutuam rreth të gjitha procedurave që ndiqen me shtetasit e kthyer e në veçanti me viktimat e mundshme të trafikimit siç jane femrat e fëmijët nën moshën 18 vjeç. Ata kanë ardhur, kanë marrë pjesë në procedurat e intervistimit, kanë vëzhguar nga afër të gjitha veprimet e punonjësve të policisë, e kemi diskutuar për të gjithë procedurat që kemi e çfarë duhet të përmirësojmë e ndryshojmë", shpjegon ai.

Drejtori i Kufirit e Emigracionit në Gjirokastër Eduard Caka pohon se në menaxhimin e integruar të kufirit po rritet çdo ditë bashkëpunimi me faktorët ndikues e sidomos me homologët grekë përgjatë gjithë vijës kufitare me këtë vend. Falë këtij bashkëpunimi janë arritur rezultate konkrete në goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës e qenieve njerëzore që veprojnë në dy shtetet.

"Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me drejtorinë e policisë së qarkut, po kështu me palën greke kemi shkëmbim informacioni sepse ashtu si krimi nuk ka pasaportë po qarkullon shumë lehtë nëpërmjet kufirit, ashtu dhe ne po marim masa për ti goditur këto rrjete brenda e jashtë kufijve të vendit tonë", pohon Caka.

Toleranca zero

Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinant Pone shpreh vendosmërinë e qeverisë shqiptare në luftë kundër trafikut të qenieve njerëzore e të lëndëve narkotike. "Të gjitha fenomeneve që i klasifikova si problematika të shoqërisë shqiptare dhe që pavarësisht minimizimit të tyre ne do të vazhdojmë me këtë vendosmëri drejt bërjes zero të tyre. Ka vetëm një rrugë, kjo është tolerance zero", thekson ai.

Plotësimi i standardeve në menaxhimin e kufirit dhe futja në rrjetin evropian të kontrollit janë disa nga kushtet bazë që Shqipëria duhet të plotësojë për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Autor: Odise Kote

Redaktoi: Bahri Cani