1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masat më të rrepta të sigurisë

27 Tetor 2009

Para procesit për vrasjen e egjiptianes Marva Elsherbini

https://p.dw.com/p/KGE0
Një fotografi e Marva El-Sherbinit varet në ndërtesën e bashkisë së Dresdenit gjatë një ceremonie mortore publike.Fotografi: AP

Në gjykatën e landit në Dresden nisi të hënën (26.10.) procesi lidhur me vrasjen e myslimanes shtatzënë Marva El-Sherbini, e cila u vra me thikë më 1 korrik në një sallë gjyqi. Dorasi akuzohet se e ka vrarë 31-vjeçaren dhe ka tentuar të vrasë bashkëshortin e saj 32-vjeçar. Procesi, i cili zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, deri tani është parashikuar të zgjasë 11 ditë, deri me 11 nëntor.

Pak pas ngjarjes së tmerrshme në Dresden qendrës se kulturës dhe arsimit iu shtua edhe emri "Marva Elsherbini". Shoqata ka hyrë këtë vit në këtë ndërtesë. Disa qindra metra më tej fillon parku i madh i Dresdenit. Fare pranë ndodhen dy pallate të larta me parafabrikate. Me tramvaj mbërrin brenda pesë minutave në pjesën e vjetër të qytetit. Nga jashtë ndërtesa e ulët nuk ka ndonjë dukje, brenda gjithçka është e rregulluar dhe e shtruar me qilima. Në dhomën më të madhe ndodhet këndi i lutjeve.

Incidente të pabesueshme

Një nga personat kontaktues për shtypin ndërkombëtar është Marianne Thum e qendrës për të traumatizuarit në Dresden. Ajo ka kontakte me qytetarët myslimanë dhe pas vrasjes në gjykatën e landit ka dëgjuar gjëra, të cilat për një qytetar normal në Dresden janë të paimagjinueshme.

"Pra ka situata, kur një gruaje në tramvaj, apo në rrugë, apo duke pritur autobusin i thonë. "Hiqe shaminë nga koka, ose do ta pësosh si Marva." Dhe ka shumë gra, që nuk dalin më në rrugë, që e marrin shpejt fëmijën nga kopshti, rrugës blejnë shpejt gjërat e domosdoshme, që u duhen, por jo me ngadalë, në qetësi."

Prozessauftakt in Dresden
Vrasësi Alex W. duke u sjellë në sallën e gjyqit.Fotografi: AP

Në qendrën e kulturës dhe arsimit "Marva-Elsherbini" ndodhen edhe fëmijë. Nëntëvjeçari Rhadid është një djalë i shkathët, nëna e tij kishte miqësi me Marvën. Rhadidit i kujtohet, që nëna e tij ka qarë shumë, kur mori vesh për vdekjen e shoqes së saj. A luan ndonjë rol në shkollën ndërkombëtare në Dresden fakti, që ai ka lindur në një vend tjetër?

"Kjo te ne nuk ka aspak rëndësi. Unë flas shumicën e kohës gjermanisht. Ndoshta ata mendojnë se unë vij diku nga Gjermania, apo ku ta di unë. Unë do të mërzitem kur të shkoj në Egjipt. Sepse varet vetëm nga nëna. Ajo ka punë dhe kur të mbarojë, atëherë do të ikim."

Prozessauftakt in Dresden
Interesimi i mediës egjiptiane për procesin është i madh.Fotografi: AP

I rëndësishëm trajtimi si njeri

Kryetari i Këshillit Qendror të myuslimanëve në Gjermani, Ajub Axel Köhler, i përgjigjet kështu pyetjes se a ka ndonjë recetë për komunikimin e kulturave me njëra-tjetrën.

"Tek tjetri duhet të shohim në radhë të parë njeriun dhe pastaj çfarë pamje ka. A është i zi, apo i bardhë, apo si është i veshur."

Që kjo recetë e thjeshtëzuar është vështirë të zbatohet në praktikë e di edhe imam el Bakri. Ajo punon si korrespondente e televizionit egjiptian në Dresden.

"Ata tani nuk mendojnë, që gjermanët, që të gjithë gjermanët janë të dhunshëm. Natyrisht që çështja nuk trajtohet kështu, por ama duhet thënë se njerëzit në Egjipt, janë të zemëruar. Ata e ndiejnë se nuk kanë siguri dhe nuk respektohen për kulturën, apo fenë e tyre."

Të afërmit nuk e mbështesin hakmarrjen

Edhe vëllai i Marvës së vrarë, Tarek Elsherbini, ka ardhur në Dresden. Për njoftimet në internet se është caktuar një shpërblim për atë, që vret dorasin, vëllai nuk di asgjë dhe as që do të ketë të bëjë me një gjë të tillë.

Procesi në gjykatën e landit Dresden shoqërohet me masa të rrepta sigurie. Me xhama antiplumb dhe rrugë të bllokuara. Tabelat për ndalimin e qëndrimit para gjykatës së landit në fundjavë (25.10.) ishin shenjat e para.

Autorë: Karsten Wolf / Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj