1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mashtrime me subvencionet në Bullgari - Vëzhgim dhe sanksionim

Wolfgang Otto11 Mars 2008

Autoritete efikase policore, sistem i pavarur drejtësie, funksionarë dhe politikanë me integritet moral - këto të gjitha janë elementet e shtetit ligjor, por Bullgaria pak prej tyre është në gjendje të ofrojë.

https://p.dw.com/p/DMXU
Kioskë për këmbimin e valutave, Sofje
Kioskë për këmbimin e valutave, SofjeFotografi: DW

BE kërkon të reduktojë mashtrimet me subvencione në Bullgari.Në këtë drejtim nuk ka ndryshuar asgjë edhe me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Bullgaria me vend shumë të keq në TI

Shoqata kundër korrupsionit "Transparency International" shqyrton çdo vit 180 vende me synimin për të përcaktuar përmasat e përhapjes së korrupsionit atje. Bullgaria zuri gjatë testit të fundit një pozicion shumë të keq, vendin e 64-t. Ky është madje një vend më poshtë se një vit më parë. Nga vendet anëtare të BE-së vetëm Rumania ka rezultat më të keq.

Bullgaria dhe Rumania nën vëzhgim për korrupsionin


Në disa qeveri të vendeve anëtare të BE-së dhe në Komisionin e Unionit shumë herët u kristalizua një dyshim i rëndë: pas anëtarësimit në vitin 2007 Bullgaria mund të linte pas dore luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në vend. Për këtë arsye Bullgaria ashtu si dhe Rumania u vendosën në vëzhgim të veçantë. Raporti i parë i Komisionit të BE-së në muajin qershor paraqiti rezultate që nuk i lënë vend iluzioneve: nuk ka suksese konkrete në reformën për shtetin ligjor. Dhe gjatë paraqitjes së raportit të tij preliminar në muajin shkurt zëdhënësi i Komisionit Mark Gray u shpreh: "Shqetësim paraqet para së gjithash mungesa e përparimit luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe kundër kriminalitetit të organizuar. Bullgaria duhet të sjellë prova më të mira për hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e rasteve të tilla."


Nga mangësitë është i prekur direkt edhe Bashkimi Europian

Ato janë përgjegjëse për përfundimin në duar të gabuara të subvencioneve nga BE-ja. Ja një shembull: një fabrikë mishi në Bullgari kishte marrë shtatë milionë e gjysmë euro nga fondi i BE-së, për të blerë makineri të reja. Në të vërtetë u blenë makineri të përdorura, që kushtonin më lirë. Pjesa tjetër e parave u zhduk në kanale të errëta. Një tjetër shembull: nga ndërtimi i një autostrade të financuar nga BE-ja, funksionarët kanë marrë 13.000 euro rryshfete. Këto dhe raste të tjera natyrisht janë një halë në sy për Komisionin e BE-së në Bruksel. Në rradhë të parë pasi autoritetet bullgare nuk tregojnë ndonjë zell të madh për zbardhjen e tyre.

BE ka ngrirë tre herë subvencionet

Për të ushtruar trysni Komisioni i BE-së në tre raste të mëparshme ka ngrirë subvencione në shumë prej disa qindra milionë eurosh. Anëtari i ri, Bullgaria duhet të reagojë tani, mendon zëdhënësi i Komisionit Mark Gray i cili shprehu në mënyrë figurative shpresat e BE-së me një metaforë nga futbolli: "Kemi parë një gyjsmë të parë loje të mjerueshme. Presim që pjesa e dytë të jetë shumë më e mirë."

7 miliardë euro subvencione për Bullgarinë

Në korrik do të dalë një tjetër raport mbi përparimet në reformën e shtetit ligjor në Bullgari. Atëherë mund të merret vendim edhe për sanksione të reja. Por hapësira e veprimit të Bashkimit Europian është e vogël. Për Bullgarinë janë miratuar deri në vitin 2013 subvencione në shumë prej 7 miliardë eurosh. Por anullimi i thjeshtë i fondeve nga shumë vetë konsiderohet ide jo e mirë. Kjo ndihmë është tejet e nevojshme dhe një Bullgari e pa zhvilluar nuk është as në favor të BE-së.