1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Master për të drejtën europiane të biznesit - Gjermania nismëtare e bashkëpunimit rajonal në arsmin e lartë

30 Maj 2009

Gjermania - promotore e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Financim gjerman për programin rajonal të masterit në universitetet publike të rajonit për të drejtën europiane të biznesit.

https://p.dw.com/p/I0iW

Me këtë projekt mbështetja e Gjermanisë ndaj procesit integrues europian të Ballkanit Perëndimor ndjek një synim vizionar dhe afatgjatë: përgatitjen me dije të nivelit europian të ekspertëve në fushën e të drejtës europiane të biznesit. Në projektin në fjalë marrin pjesë dymbëdhjetë Fakultete të Drejtësisë nga Universitetet Publike të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnjë - Hercegovinës.

Të drejtën për të aplikuar e gëzojnë gjithë ata që kanë marrë me rezultate të larta diplomën për drejtësi në këto fakultete apo në ato të Universitëeteve të vendeve anëtare të BE. Projekti financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim përmes Agjensisë Gjermane për Bashkëpunim teknik , e njohur me inicialet GDZ.

Blerina Raca, eksperte ligjore në zyrën e GDZ në Tiranë dhe koordinatore e projektit tregon se ku do të kontribuojë Gjermania.

" Me profesorë të huaj, të spikatur në fushën e të drejtës europiane të biznesit. Drejtim tjetër është kontributi në hartimin e kurrikulave mësimore përmes sjelljes së përvojës dhe ekspertizës nga universitetet gjermane,mbështetja me literaturë e universiteteve pjesëmarrëse për dy vitet e ardhshme, ndërtimi i një faqeje interneti, ku aplikantët, të diplomuarit në drejtësi, pedagogë të rinj mund të marrin gjithë informacionin on line. Do ti mbështesim edhe për dy vitet e ardhshme lidhur me menaxhimin e këtij masteri. Gjithë programi menaxhohet në nivel rajonal nga një Bord i përbërë nga dekanët e Fakulteteve të Drejtësisë në vendët pjesëmarrëse."

Shqipëria do t`u bashkohet 5 vendeve të rajonit, të cilat e kanë filluar shtatorin e kaluar këtë program, në vitin akademik 2009- 2010. Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin Publik të Tiranës, Skënder Kaçupi, thotë se ky master do të pajisë pjesëmarrësit me dijet e duhura për të trajtuar çështje ligjore që lidhen me hyrjen në BE të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

"Fakulteti i Drejtësisë nxjerr juristë për të gjitha fushat: gjykatës, prokurorë, avokatë. Sa më me nivel të lartë profesinal të jenë ata, aq më mirë do t´i shërbejnë procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Për më tepër kur ky projekt mbështetet nga Qeveria gjermane, kontributi i së cilës në këtë proces si për Shqipërinë ashtu edhe për rajonin është shumë i vyer."

Baza e një niveli të lartë profesional janë padyshim kurrikulat mësimore.

"Kurrikulat e këtij programi janë të unifikuara për të gjitha Fakultetet e Drejtësisë në nivel rajoni. Cdo kurs që do të zhvillohet në Shqipëri do të jetë i njëjtë me atë në cdo vend tjetër të rajonit. Kjo do të thotë që nuk do të ketë jo vetëm profesorë shetitës, pra një pedagog nga Universiteti i Beogradit apo Zagrebit të vijë në Tiranë për një lëndë apo vice versa por ka edhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë, " thotë Blerina Raca duke dhënë hollësi të tjera për kurrikulat dhe stafin pedagogjik.

Një staf pedagogjik i përbërë nga profesorë të përzgjedhur në universitet më të njohura të Gjermanisë apo vendeve të tjera të BE është garanci për nivelin e lartë të njohurive.

"Niveli i i këtij masteri rajonal pritet të jetë pikërisht ai që kërkon koha sot. Gërshetimi i aftësive të pjesëmarrësve me profesionalizimn e lartë të stafit pedagogjik do të sjellë që në përfundim të programit ata që do të marrin diplomën të jenë vërtet dikushi nga pikpamja e profesionalizmit." thotë dekani i Fakultetit të Drejtësisëm në Universitetion e Tiranës, Skënder Kacupi.

Profesionalizmi është celësi i përballimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor të sfidave të integrimit europian. Qëllimi final i këtij projekti: përgatitja e një breëi profesionistësh të nivelit europian,të aftë për të trajtuar cështje juridike që lidhen me të drejtën europiane të biznesit.

Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Sonila Harasani